Një mbrëmje poetike panigjirike për promovim e dy vëllimeve lirike të Petro Çerkezit


9 prill. Një mbrëmje poetike panigjirike për promovim e dy vëllimeve lirike të Petro Çerkezit:

“TI MË KËSHILLON TË BLEJ NJË BILBIL”,

“QIELL BAROK MELANKOLIE”

dhe antologjisë poetike të poetit të shquar qipriot Mehmet Jasin

“ENGJËJ HAKMARRËS” përkthyer prej tij në gjuhën shqipe, botuar nga shtëpia botuese prestigjoze Neraida. Botuesi Jani Malo sintonizoi gjithë veprimtarinë duke bërë vlerësime për bashkëpunimin dhe krijimtarinë e autorit.

Një klimë e jashtëzakonëshme miqësore me ngjyra prilli e shpirti me miq të dashur e të respektuar të jetës dhe artit që u takuan pas shumë vjetësh në sallën e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, që rrallë ta sjell fati ta përjetosh. Vetëm poezia mund të krijojë një klimë të tillë mirësie, miqësie dhe respekti të ndërsjelltë.

– Publicisti dhe poeti Aleksandër Çipa, kryetari i Unionit të Gazetëarëve shqiptarë foli për krijimtarinë 50-vjeçare të Petro Çerkezit, për vlerat artistike, karakteristikat njerëzore dhe veçoritë e veprimtarisë së tij krijuese në poezi dhe prozë.

– Ish nxënësja e poetit Kozeta Vrenjo interpretoi poezi nga krijimtaria e poetit dhe përshëndeti auditorin me një poezi të saj mbresëlenëse. E falenderojmë përzemërsisht dhe për ndihmesën e saj të çmuar për organizimin e eventit.

– Poetja Vllasova Musta u përqëndrua në kolorin metaforik të poezisë së Çerkezit duke sjellë kujtime dhe imazhe që nga periudha e jetës liceiste e studentore me poetin duke ilustruar dhe analizuar me vargje nga vëllimet poetike.

– Për veprën e poetit të shquar mesdhetar qipriot Mehmet Jasin, përkthyer në 12 gjuhë evropiane, foli gjerësisht poetja Natasha Lako duke vlerësuar prurjen e këtij poeti në shqip, vlerat e poezisë së tij dhe afinitetin me poezinë shqipe duke u përqëndruar dhe në kontributin e Çerkezit në fushën e përkthimeve bilinguale në të dy gjuhët shqipe dhe greke. Theksojmë këtu se në vitin 2022 qarkulloi në Athinë antologjia poetike bilinguale e Natasha Lakos “Qiell Evrope” përkthyer prej Çerkezit.

– Frederika Toli Muço interpretoi poezi nga krijimtaria e Mehmet Jasinit.

– Në fund poeti Petro Çerkezi falenderoi pjesmarrësit për prezencën dhe respektin e veçantë duke theksuar se letërsia dhe poezia shqipe ka vlera të mirëqëna që duhet të përkthehet për të hedhur ura të vërteta të diplomacisë kulturore për një integrim më të shpejt në Evropë. Në fund poeti nënshkroi libra dhe bëri fotografi me miqtë.

– Në event ishin të pranishëm mjaft autorë të mirënjohur të letrave si Lida Miraj, bashkëshortja e shkrimtarit të shquar Moikom Zeqos të cilit Çerkezi i përktheu në gjuhën greke dhe i botoi në Athinë në 2021 antologjinë poetike bilinguale “Magjia e Infinitit”. Kënaqësi ishte dhe takimi me krijuesit Kostaq Papa, Rozeta Kreste, Kleo Lati, Violeta Duro, Stavri Mina, Fitim Çaushi, muzikantin Saimir Skënduli etj.

I falenderojmë përzemërsisht të gjithë.

A. Kastriti