Një skenë në qiell për ty-Llesh Gjoka


– Poezi homazh për aktorin e madh Mirush Kabashi

Kur ike, nuk lajmërove, o artist i rrallë

se të priste një skenë tjetër atje lart në qiell

Dritat mbetën ndezur, perdet nuk ranë

Nga dera vinte një gjëmë e mbytur në det.

Në një çast pllakosi një heshtje zie

Fryma e qytetit u meh, u tkurr

U hap lajmi se ti ike, o aktor i parë

për t’u shfaqur në një skenë tjetër ku s’kishe luajtur kurrë.

Dhe duartrokitje ovale përshkuan qytetin, vendin

Spektatorët në këmbë, homazh si një triumf

Nuk ish parë ndonjëherë të kishte kësi shfaqje

Ajo kish filluar por nuk do mbaronte kurrë.

Si në lashtësi, në agora rilinde një Sokrat të ri

Dhe njerëzit në trumba po mblidheshin rreth teje

Me zërin që mahniste dhe sendet në natyrë

Gjakun e bëje të vlonte ndër deje.

Por jo ti s’ke ikur, je një yll i ri

Me mallëngjim çdo ditë do rendim pas teje

Një skenë në qiell u hap prore për ty

Nderim në tokë, dritë përtej jete.