Njeriu që frymëzon punë dhe shkencë bujqësore-Nga Spasse Thanasi


Njeriu që frymëzon punë dhe shkencë bujqësore

  • Si  student  e pedagog  Profesori Rexhep  Uka  kaloi  me pasion auditoreve të Universitetit Bujqësor  të  Kamzës, në politikë u përfshi  që në ndryshimet e para demokratike  në vitin 1991  si  deputet dhe ministër i Bujqësisë duke spikatur me  preukupacionin e lartë  intelektual  ndaj vendit. Por “gjurma” e tij profesionale dhe autoriteti shkencor “flasin” me gjuhën njerëzore dhe artistike në Fermën “UKA -FARM” në  Laknas të Tiranës…

……………………………………Nga    Spasse   Thanasi

Të jetosh i “heshtur”  dhe pa shumë “dukje mediatike”  mes punës, pasioneve te profesionit dhe krijimtarisë shkencore të biodiversitetit natyror, nuk do të thotë se je shkëputur nga “zhurma” e madhe e Kryeqytetit, nga moderniteti teknologjik dhe nga  hirarkia  profesionale e niveleve të larta  në  shkallë  vendi. Përkundrazi, je “më i pasuri” njeri me botën e krijuar  në një ambjent tepër kreativ me harlisjen e bimësisë, me aromën e luleve  dhe hijezimi i pemëve rreth e qark. I certifikuar  si një agronom i mirëfilltë në elitën profesionale  të bujqësisë, si një shkencëtar i biodiversitetit shqiptar me një individualitet  universal  krijues,professor Rexhep Uka dallon sot i pari midis “profesorateve” akademike e shkencore  të vendit e atyre ndërkombëtare.  Ferma e tij private “UKA –FARM” me sipërfaqe prej 20 Ha  në mes të fushës së Laknasit,vetëm 15 km larg Tiranës, është një kompleks madhështor i një zhvillimi bujqësor me përmasa universale në llojshmëri e produktivitet. Kurora e Selvive ( ose siç quhet “parada e modës”) me dekorin e bukur e të gjelbëruar krijon një biosferë të këndshme relaksuese. Mes kësaj natyre që të mrekullon në shpirtë sjellim në mendje thënien: “Biodiversiteti është jetë, Homogjeniteti është vdekje” dhe si sinonim i pandarë mund të  përsërisim “Pluralizmi është demokraci, monizmi është diktaturë”.

Në çdo hap këtu ndesh bimësi të një lloji  të veçantë si lëpjeta e famshme e bjeshkës së Tropojës( Rreshkëz); lakra e kuqe ruse, e cila ka një lulëzim prej një muaji e shërben për bletët (mori i lakrës tërheq shumë insekte të dobishme që janë entmofagë universale që pasurojnë mjedisin); qershia e vogël që ekziston vetëm përpara Liceut të Korçës (mbjellë nga agronomi i Kamzës Vangjel Rikashi (Qosja) koleksioni i  pemëve  të mollëve të mbjellë në të gjithë Shqipërinë e që bëhen rreth 45 varietete ndër më të vjetrat “molla gjyle” e deri te  “molla suap” që ka ekzistuar në Korçë në vitin 1935; rrënjët e ullishteve të mbjella në 20 vjetët e fundit në distancat 4x4x4 e që gradualisht kalojnë në sistemin 8x8x8 në të gjithë hapësirën e bashkëshoqerohen me pemë të tjera(rreth 30 varietete të mara në Zvicër);koleksioni i trëndafilave  të egër, plot aromë me 3 rroza kanine  që ka 30% vitamminë C e është pa gjemba; bima “Comfrey” symbol i permakulturës dhe lufton barërat e këqia, plehëron tokën me lëngun e saj (unikale në Evropë); lajthia e egër dekorative; acacia e marrë nga Parisi si pemë më e vjetër; bimë që tërheqin fluturat (10 -15 varietete); 7 lloje bimësh që prodhojnë insektet natyrale sidomos lule “Tanezia” që është e njohur gjatë Luftës së Dytë Botërore ku cdo ushtar mbante një qese në brez me këtë bimë kundër pleshtave e morave…

Një tabelë bashkëkohore e vendosur në hyrje të Fermës “UKA” tregon filozofinë  e Fermës që funksionon nga nga viti 1996 : Rigjenerim – qendrueshmëri; Resurset që pasurohen  gjatë kohës si Uji – Toka – Biodiversiteti- Bimësia – Ushqimi; Operativiteti  shëndërrohet në veprim praktik : gadishmëri – vitalitet ekonomik – shëndet – komunitet – vetëqendrueshmëri – produktivitet. Kjo e bënë shumë domethënëse Fermën  me  Bujqësinë  në Tryezë”, që rrallë  e ndesh në ambjente të tjera  të rrethit të Tiranës. Arritja  e kësaj përmase  të  një kompleksi ndërveprues  në tërë gamën e  prodhimeve dhe shërbimeve, nis nga Laboratori krijues “UKA” ku gjen “muzeun” e të gjitha punëve dhe farotekën  e 500 kultivarëve të mbledhur në Shqipëri dhe nëpër Botë. “Laboratori i jetës”, siç e quan profesor Rexhep Uka,ruan koleksionin 50-vjaçar të punëve të tij krijuese e seleksionuese duke filluar nga insektet e mbledhura në vitin 1968 me Petrit Mançe në afidofaunën e Korçës  apo dhe me koleksionin me entofarmen e Ullirit nga Lukova nga viti 1985 dhe vazhdon  me punën e gjatë seleksionuese e studimore ku përfshihen : entomofarma e NB Kamzës, Tapizës në veçanti, gjithë ekskursionet nëpër Shqipëri,sidomos në disa zona specifike si Korça, bregdeti nga Uji i ftohtë deri në Butrint(me koleksionin e plotë të dëmtuesve të ullirit e agrumeve) dhe 30 vjetët e fundit “UKA-FARM” ka vrojtuar, seleksionuar e studjuar përditë. Preparati i fundit daton 02.05.2023. Të tërheqin vemendjen disa novacione për grackimin e insekteve dhe shumë pajisje që shoqerojnë  fazat e vrojtimit, studimit e seleksionimit  shkencor  në laborator. Interesant është “Kopshti i Biblës dhe Kuranit” me variantet e librave të shenjtë e të bekuara ku trajtohen  fidane fasule që rriten 5 m, fidan ulliri i varietetit tek Kisha e Shën Premtes në Vlorë, luledielli dekorativ i shkurtët, hardhi nga Piskova Përmet, trëndafila, preshi  etj…

Filozofia e Fermës “UKA –FARM” rrjedh nga largësia e viteve ku shumë breza vunë themelet e godinës së familjes “UKA” në Laknas që trashëgon një traditë universale të dijes, të punës, të profesionit dhe të dashurisë njerëzore. Origjina e  brezave të familjes daton që nga viti 1800 me fisin “Thaçi” në Iballë të Pukës që në rreth 15 breza është transformuar në disa vende si në Trumë (1830); në Gjakovë (1941); në Tropojë,Babinë(1946); në Kukës,Pisk (1947); në Kamëz (1952) dhe perfunimisht në Laknas (1956). Ndaj dhe profesor Rexhep Uka nuk e fsheh kënaqësinë e tij se “fati studimor e shkencor” nuk ka evoluar brenda tij në boshllëk, por në një koherencë interesante të labirintheve të jetës dhe sot brezi i tre djemve të tij Arbërit, Florir& Borit do të çojë më tej “stafetën” profesionale e teknologjike me një përkushtim të madh. Synimi i tyre më i madh është që kjo Fermë të jetë një “Muze” ku turistet e huajt të vijnë e të shikojnë “Shqipërinë në gotë e në shishe”, siç thonë ata për Kantinën e Verës me prodhime nga kultivarët e rrushit vendas.