
O MUZA PERËNDESHË
(Ne Diten Boterore te Poezise).
Oazave shëtita, burimeve t’kristalta
aromen e luleve pastaj shijova
në kroje tek burimi, dëlirësi shpirti
muzën e bekuar aty takova.
Pluskoj mbi retë, aurorën vështroj
vezullimi i yjeve shpirtin magjeps
valëve të detit djepin ua shtroj
shkëlqimin e diellit në varg e zbres.
O muza ime, më shpjerë tek ty
shejtni vargu kudo ti dhuron
krahapur tumirem n’shtratin tënd
aty ku frymëzimi, si krua buron.
Ngjyrat e ylberit pa ty s’kanë shkëlqim
hojet e bletëve s’do kenë ëmbëlsi
ujëvarat do shuhen, savanat pa blerim
deti s’do ketë valë, as pylli freski.
Në vjeshtë gjethet, korsitë mbulojnë
vitet na ikin e ne pas mbesim
pas dimrit vjen një bulëzimi i ri
një stinë tjeter që ne e presim.
Ti muza ime, herë ndrinë e venitesh
bashkudhëtarë ecim ,herë zëmë n’thua
herë zbeh vargun tim, herë ashtu ngritesh
mbesim të pandarë, si mishi me thua.
Në sfidat e jetës,ti më jep frymëzim
kur jam i harruar e kur ndjehem mbret
në çaste gëzimi dhe kur kam pikëllim
ndjej që të kam afër,se nga qielli zbret.
O muza e bekuar, ta gjeta folenë
pa ty ndjehem hiç, pa plang e taban
majave të ajsbergut,humbur vetëhenë
asket i stepave, mbetur mohikan.