Olsi-Vaso Papaj


Olsi,

Ti punon te bari i një moteli

Në autostradë, kilometri shtatë.

Çifteve, që nata e gjatë kurrë s’i veli,

Kafen ua çon në dhomë herë posht’, herë lart.

Olsi,

Dukesh se vjen nga një botë ideale,

Kur çelsin dorëzon: Dhoma dy, tre, tetë…

As sytë s’i ngre, i shurdhët ndaj çdo fjale,

Një buzëqeshje të drojtur pas derës e troket.

Olsi,

Ç’paske kështu tërë këtë mëngjes?

Do të flasësh, por asnjë fjalë s’ të del.

Të dridhet dora, kur sjell filxhanin e kafesë.

Pse heshtja jote ngjan aq shumë me këtë motel?

Olsi,

Ti punon. Tërë ditën një mijë lekë,

Ndaj kur të jap bakshish, dorën vë në zemër.

Të shoh, ata që ngjiten lart, shtrembër i ndjek,

Natyrisht, të ndrisin sytë te cepi, për një femër.

Olsi,

Pse sot të ka rënë tërë ky trishtim?

Vajza që lart u ngjit, mos ishte fqinja?!…

Një shoqe klase, shkolle, mbetur në kujtim,

Mbase shoqëruesi të dukej burrë me thinja?…

Olsi,

Të njoh. Gazetat atë ditë të gjitha ishin shitur,

Në galerinë e thellë ti kishe lënë babanë,

Ndaj malet ke ca vjetë që i ke zbritur,

Me vete more nënën, motrat dhe vëllanë.

Olsi,

Ti punon te bari i një moteli

Në autostradë, kilometri shtatë.

Çifteve që dita e sotme i perkëdheli,

Pak dritë të drojtur ua çon si një dhuratë.

Në kërkim të Olsit

Olsi,

Ke kohë, që ti mungon në barin e atij moteli,

Në autostradë, kilometri shtatë.

Atje ku çiftet, nata dhe dita bashkë kurrë s’i veli,

Atje, ku dhe kafenë ua çojnë shpesh herë në shtrat.

Olsi,

Ti kurrë s’u bëre pjesë e tij ai memec – moteli,

Atje, në autostradë, kilometri shtatë.

Ndaj një ditë papritur provove t’i ngjaje një rebeli,

Ndërmore rrugë – parrugë të botës, larg, shumë larg…

Olsi,…

Papritmas, një mëngjes herët, me ty u ndesha.

Në inbox, mesazh: “Poet, të përshëndes!”

“Po ti, si je or mik, ku humbe?” të shkrova nja dy rreshta.

Ma ktheve: “Jashtë, përtej kufijve, punoj në punë të zezë.”

Olsi,

Kërkove t’i hapësh jetës tënde shtigje të reja,

T’i marrësh diç asaj, për nënën, motrat dhe vëllanë.

Me të zezat kallo, qoftë në të zezë, e fituar është beteja,

Ndaj dhe pse me flokë dëbore, më shumë do të t’kem xhan.

Olsi,

Qëllon të ndalem ndonjë herë në barin e atij moteli,

Në autostradë, kilometri shtatë.

Por atje, ku çiftet, nata dhe dita vazhdon t’i përkëdheli,

Një tjetër Ols ua çon kafenë si ti, atje në shtrat.