Parku Kombëtar Shebenik-Steblevë,një mrekulli e lënë pas dore për shkak të mungesës  së  rrugës-Nga Sakip  Cami


Nga Sakip  Cami

Prej 15 vjetësh, 34 mijë hektarë të këtij parku natyror me 14 liqene akullnajorë , vetëm 110 km larg Tiranës, nuk vizitohen dhe shfrytëzohen për shkak të rrugës së pambaruar Librazhd-Steblevë. Pa  u lidhur mbetet edhe segmenti tjetër Steblevë – Ura e Shupenzës  me Rrugën e Arbrit, RMV dhe Kosovën . Për 15 vjet ky park është vizituar vetëm nga 43 mijë vizitorë ditorë.

Shqipëria  është një vend i bekuar me të gjitha mrekullitë e natyrës, me detin Jon dhe detin Adriatik, me Liqenin e Ohrit, Prespës dhe të Shkodrës,   me Alpet e Veriut të Shqipërisë që konkurojnë me ato të Zvicrës, me Thethin, Valbonën, Korabin, Lurën, Krujën, Gjallicën, Tomorrin, Gramozin, Shebenikun, me liqenjtë akullnajorë të Dhoksit, Kacnisë, Balgjajt, Draganit, Belshit, me konionet e Osumit e të Skraparit, me Llogaranë dhe bukuritë e Bregut, me syrin e kaltër në Jug dhe në  Shkodër, me pyjet pa fund, me bukuritë pa fund që do t’i kishte zili cdo i huaj dhe që donte ti vizitonte dhe cdo shqiptar.

Por këtë herë do të shkruajmë për Parkun Kombëtar Shebenik – Jabllanicë, ku fshati turistik i Steblevës zë një të tretën e territorit të tij. Parku Kombëtar Shebenik – Jabllanicë  shtrihet në verilindje të vendit tonë, në mesin e verilindjes, në kufijtë e administrimit pyjor të Librazhdit.Ky park  është i mbrojtur edhe nga UNESCO.

Me vendim të Këshillit të Ministrave ai është shpallur Park Kombëtar me vlera të larta ekoturistike, në përshtatje me konventat ndërkombëtare për shtimin e sipërfaqeve të mbrojtura. Po me vendim të KM i është ndryshuar emri nga Parku Kombëtar Shebenik – Jabllanicë në Parkun e Shebenikut, ka mbetur në emërtimin vetëm me një skaj të tij. Skaji lindor përkon me fshatin shqiptar të Jabllanicës që ndodhet në RMV, por kjo nuk do të thotë se banorët e Jabllanicës nuk janë të interesuar për zhvillimin e mjedisit dhe të turizmit njëlloj sikurse shqiptarët e Steblevës dhe të zonave të tjera të këtij parku. Ky është vendimi i dytë që qeveria ka marrë për këtë  park, nga më të mëdhenjtë dhe më të bukurit e vendit tonë, vendim që nuk ka të bëjë me zhvillimin e tij, por për emërtimin e tij. Banorët e Steblevës kamë propozuar që të emërtohet Shebenik – Steblevë.

Në sipërfaqen  prej 34 mijë hektarë,  pjesën kryesore e zënë pyjet, pastaj kullotat, tokat bujqësoree ato jo prodhuese, shkëmbore, si dhe trojet. Ai shtrihet brenda këtyre kufijve:

  • Në veri (Rrethi i Bulqizës): Pika e takimit të rrugës automobilistike Librazhd – Steblevë me rrugën Librazhd- Dorëz, ura e lumit Rapun, pranë fshatit Zagosht, shkalla e Lunikut, fshati Llange, Fushë Studen. Kufiri verior ndjek rrugën e fshatit Borovë, përroin e Zallit të Klenjës, ndërpret rrugën automobilistike Steblevë – Klenjë dhe pika kufitare Shkëmbi i Shqipes.
  • Në lindje Republika e Maqedonisë (Jablanicë), Shkëmbi i Shqipes, vijon përgjatë kufirit shtetëror, maja e Raducit (2 081 m), Qafa e Kruqit (2132 m), Shpella e Ariut (2 030 m), Qafa e Kokelit (1883 m), Maja e Kurorës), Maja Varri i Marikës, Maja e Kallkanit, Qafa Rinas (1 404 m).
  • Në jug (Komunat Rrajce, Qukës, Hotolisht, Qendër): ndjek kurrizin dhe rrugën për këmbësorë, në drejtimin Qafa e Policës, kalon te Qafa e 6 Lisave, ndjek rrugën për këmbësorë, maja e Skurës.
  • Në perëndim (Komunat Lunik e Steblevë), zbret kurrizin, ndërpret lumin e Bushtricës, vijon në maja e Trestenikut, maja Varri i Plakës, ndjek rrugën këmbësore për në fshatin Bozgarë – Kokrevë, ndërpret përroin e Hotolishtit, ngjitet kurrizit, kalon përgjatë rrugës Dorëz – Librazhd, deri te pika e takimit me rrugën automobilistike Librazhd – Steblevë.

Ne territorin e parkut perfshihen gjashtë komuna, pjesë e dy bashkive Librazhd dhe Prrenjas.  Prezanca e tij ndikon në një popullsi prej afërsisht 15.000 banore.Ky park menaxhohet nga Seksioni i Zonave te mbrojtura prane DRSHP Elbasan,

Përshkohet nga  dy lumenj dhe disa burime të vogla ujore që rrjedhin përmes zonës së Parkut me një gjatësi prej 22 km, përfshirë në veri lumin e Qarrishtës që bashkohet me lumin Rrapun dhe në jug lumin e Bushtricës qe bashkohet me lumin Shkumbin.

Kjo zonë ka 14 Liqenet akullnajoretë vogla me bukuri madheshtore, te cilat ndodhen ne nje lartesi mbi 1900 metra mbi nivelin e detit si dhe 3 liqene artificialë, njëri më i bukur se tjetri.

Klima ne shumicen e parkut bie në kategorinë e klimës mesdhetare, me temperatura mesatare vjetore ndërmjet 7 °C dhe 10 °C. Reshjet mesatare vjetore jane midis 1.300mm dhe 1.800mm varet nga lokacioni brenda parkut.

Parku përmban ahun, bredhin, pishën, dhe specie lisi, si dhe lloje të tilla si shelg dhe bredhin evropiane argjendi në shpatet veriore të zonën e Parkut. Ka edhe një numër të llojeve bimore të rralla. Specie kryesore të florës jane: Ahu, Pisha e zeze, Bredhi, Dushqet, Bushi dhe me rralle takohen Meshtekna, Arrneni, Frasheri, Ajdesi, Panja, Ajshja, Shelgu, Lisi, Lajthia, Shkoza, Melleza, Vidhi, Vodheza e eger, Qershia e eger, Boronica, Gorrica, Dardha e egër, Trendafili i eger, Çaji i malit, Sanza, etj. Disa specie jane në rrezik të zhduken si mështekna,  arrneni, frashëri, qershia e egër, shtogu, boronica dhe shume bime mjekesore si xhirrokulli, sanzin, krekzen, lulebalsamin, blirin, vidhin e malit, çajin e malit etj.

Zona parkut është menduar të përmbajë një nga vargjet kryesore e mbetur të specieve si Rrëqebullit i Ballkanit etj. Gjithashtu një gamë të natyrshme për ariu kafe, ujkun gri, dhia e egër, derri i egër, trofta e eger. Speciet kryesoe të faunës jane: Ariu i murrmë, Ujku, Vjedulla, Dhelpra, Ketri, Nusja e lalës, Shqiponja, Skifteri. Më të rrallë janë: Zardafi, Derri i egër, Kaprolli, Dhia e egër, Rreqebulli, Gjeli i egër, Trofta e malit. Fauna ka pesuar demtime te medha, pothuajse jane ne zhdukje rrëqebulli, dhia e egër, kaprolli, gjeli i egër, macja e egër, lundërza, shqiponjat, trofta e malit.

Janë të shumtë shtigjet për shëtitje në park të ndjekura me shenja përkatëse per eskursionin tuaj. Është i zhvilluar sporti i skive në dimër në Fushë Studen dhe Steblevë, sporti i automobilizmit malor në stinën  e verës, sporti i kanoes në liqen, etj

Turizmi ne këtë zone akoma është ne fazat e para te zhvillimit. Vizitoret janë te paket dhe të vet organizuar. Kjo kur zona e parkut, përveç vlerave turistike ka edhe pasuri kulturore e tradita të hershme.Ka mjaft monumente natyrore te shpallura apo jo, qe mund të vizitohen nga turistet,studiuesit, etj. Përmendin psh, FshatinLlange me shtëpi karakteristike me mure guri, trekatëshe, shumevjeçare; Kishën e Koshorishtit, ndërtuar në një shpelle në shek. II para erës sonë; liqenet karstikeShebenik,liqenin e Fushe Studnes, Vlaskën, Fushën e Dorezit, Bredhin eFushe Kuqes, Rrapin e Taksimit, Shkallëne Skënderbeut, Gurrën e Ariut e shume te tjera.

Ne këtë zone Komuniteti organizon mjaft aktivitete social-kulturore tradicionale,te cilat janë e vetmja frymëmarrje e këtij komunitetit dhe këto janë festat tradicionale qe festohen gati ne çdo fshat te madh dhe kanë secili të veçantat e veta, por nga pikëpamja e pjesëmarrjes janë shume te vlefshme, sepse marrin pjese shume anëtare te komunitetit, te ftuar, po dhe te huaj.

Kostumet popullore tradicionale janë një pasuri e madhe folklorike  që ndryshojnë në disa fshatra,  po ashtu edhe këngët e vallet popullore.

Në zonë organizohen festa popullore si ajo e Shëngjergjit (ardhjes së pranverës) etj.


Ka edhe disa shpella ku mund të vërehen ende pikturat murale me motive kryesisht biblike të bëra përgjatë shekujve.

Rruga automobilistike e nisur që nga viti 2008 ka mbetur në fshatin Dorëz. Qafa e Dragalicës në dimër është e pakalueshme. Në verë, sapo të kalosh Qafën e Dregalizës, të shfaqet fshati i Llangës, një fshat i gjelbëruar, por me pak shtëpi të mbetura, për shkak të migrimit brenda dhe jashtë vendit. Në verë disa oxhaqe shtëpish nxjerrin tym, disa banorë kthehen gjatë stinës së verës.

Sapo kalon Llangën të shfaqet Fusha e Studnes, ose fusha e Ftohtë, të cilën banorët e quajnë edhe fusha e Zabzunit. Fshati i Fushë Studnes është zhvendosur buzë malit, për të mos zënë sipërfaqen e tokës, në fushë, një tokë me dhe të lehtë që prodhon pataten më të mirë në Shqipëri. Patatja e Steblevës dhe ajo e Shishtavecit njihen që prej vitesh për cilësinë e tyre.

Këtu është vend historik. Sipas studiuesve vendas në këtë fushë është zhvilluar faza e parë e betejës së Oranikut në vitin 1448.

Beteja të Skënderbeut në këtë zonë janë zhvilluar edhe në Mecad të Borovës dhe në Modric ku janë edhe kalatë dhe gjurmët skënderbegiane.

Në këtë fushë të rrehuar nga Liqeni i Studnes dhe malet piktoreske për rreth disa banorë e bisnesmenë vendas kanë ndërtuar bujtinat e para të prritjes së turistëve vendas dhe të huaj. Turistët gjermanë dhe ato italianë e kanë këtë pjesë të parkut si shtëpinë e tyre, pasi vinë me automobila malorë dhe me bicikleta.

Në fshatin Steblevë, ku vendet piktoreske dhe liqenet janë edhe më të shumta, banorët A. Bushati, A. Kormaku, M. Hoxha etj., kanë ndërtuar bujtina pritjeje për turistët ku serviren mish, bulmet, perime e fruta të vendit.

Por me statusin e fshatit turistik, në Steblevë nuk është bërë asgjë. Cdo gjë kë mbetur në letër, asnjë investim.Dhe investimi më i madh, që nuk pret më është asfaltimi i rrugës Librazhd – Steblevë dhe Borovë – Ura e Cerenecit për t’u lidhur me Rrugën e Arbërit. 

 Vende me bukuri të veçantë në Steblevë

  • Fusha e Steblevës me 84  burime ujore
  • Mali i Raducit, me lartësi 2082 metër
  • Mali i Draganit,  Shkëmbi i Draganit
  • Liqeni i Draganit, Kanionet e Liqenit
  • Gështenjat e egra,
  • Lulet te fusha e ish piramidës  30 ,
  • Çajret e thata,
  • Livadhet e Visharicës,
  • Mali i Kallkanit, me majën e tij 2134 metra
  • Mali i Stratorit dhe burimet  që rrjedhin prej tij,
  • Pyjet e Mllacës,
  • Pyjet e Malit të Kusarit,
  • Përroi i Govatave,
  • Çezma e Ataturkut
  • Vakëfi i Steblevës, fusha dhe pyjet përrreth tij  etj.etj.

Të gjitha këto vende krijojnë një ansambël të pakrahasueshëm bukurish, të cilat mbeten të pashfrytëzuara plotësisht.