Pengu i një shpirti-Rudina Muharremi Beja


Rudina Muharremi Beja

“As nga nëndheu e as nga mbidheu”

Ky kthim i ethshëm tek guri i varrit s’është strategji narrative, as orvajtje për t’u shmangur nga një mbyllje e thjeshtë e romanit memorial “BABAI” por është peng shpirti, është heshtje që ngjeth mishin.

Kanë kaluar katër orë e dyzet minuta që kur dita e njëzetë e dhjetorit ka hyrë, ndërsa unë jam ende tërësisht, pashmangshmërisht e përfshirë në vorbullën e ngjarjeve, ndryshimeve territoriale, fetare dhe kulturore të vetë shoqërisë shqiptare që ndjekin rrjedhën jetës, të viteve, të shekujve në romanin kushtuar babait.

Ato janë pasqyruar në mënyrë mjeshtërore e të detajuar përmes narrativës së mahnitshme të autorit HEKURAN HALILI.

Ma dërgoi këtë libër me postë që ta lexoja dhe unë kurrë s’do të mund ta zhgënjeja.

Ishte vetëm çështje kohe…

Kuptohet që në fillim se romani nuk do të jetë një akt trillimi apo përpunim krijues pasi lexuesi arrin t’i prekë të gjithë personazhet e të udhëtojë me ta.

Ky memorial, i pashoq për nga ngrohtësia që përcjell, lejon lexuesin të rizbulojë plagët e lashta që ende pikojnë gjak, shkund memoriet dhe i aktualizon ato me mjeshtëri në funksion të ringjalljes së vlerave më autentike të kombit shqiptar duke mos humbur njëkohësisht nga epiqendra protagonistin e veprës, babain.

Larmia e tematikave tërësisht në shërbim të personazheve të shenjtëruara dhe historitë e rrëfyera kapërcejnë kufijtë e një memoriali të thjeshtë në një shtrirje të vazhdueshme ku çdo lexues ka mundësinë të eksplorojë universe të panjohura më kurrë më parë.

Vepra e organizuar mjeshtërisht arrin si një lokomotivë që sjellë me vete vagonët e saj e që ndalesë pas ndalesë na njeh jetën e një njeriu të thjeshtë për nga funksioni në shoqëri por shumë të rëndësishëm për nga morali i lartë dhe vlerat e paçmueshme.

Ky baba që ngjall tek të gjithë figurën e një heroi të vërtetë, të një shembulli për t’u ndjekur, të burri të rrespektuar nga të gjithë ndënëse i varfër ekonomikisht por njëkohësisht tepër i pasur.

Fjalët e përkushtuara e të mençura mbetur si far bregut të Jonit, heshtjet e tij, sakrificat, dhimbja dhe nostalgjia nxisin autorin( të birin) HEKURAN HALILI të shkruaj për të atin këtë memorial që unë ua këshilloj me gjithë zemër që ta lexoni

Pas leximit të tij, del i tjetërsuar

Aty secili gjen veten dhe prindërit, memoria e të cilëve nuk zbehet kurrë.

Emocionues aq edhe racional memoriali “BABAI” ka vlera të jashtëzakonshme për mesazhet e thella përçuar mjeshtërisht por edhe për nga pikëpamja e identitetit dhe e të vërtetave historike që sjell

Përshkrimi me mjeshtëri i klimës tipike mesdhetare, florës së vendit, faunës së egër, deteve, maleve të Shëndëlliut- Shën Diellit e shndërron atë fshat në një vend të magjishëm i dalë prej imagjinatës si “Macondo” e

Gabriel García Márquez në “Njëqind vjet në vetmi”

ndërsa Nuja ( nëna) dhe Safeti( babai) ngjajnë si

Orfeu dhe Euridika e Christoph Willibald Gluck

Kapitull pas kapitulli, lexuesi bëhet pjesë e kësaj familjeje të madhe, madje në sytë e tij vizaton të gjithë personazhet, karakteristikst e tyre pa harruar kurrsesi sëndukun e nënës dhe shtratin- fole të babait thurur mes degëve të gjelbra të argjilesë.

Në zemrën e tij lexuesi gdhend mirësinë, dashurinë e pastër fildish dhe respektin mes personazheve dhe atë që vepra të imponon për personazhet

Ndërsa në mendjen e tij mbeten frazat e paharrueshme të një burri të mençur loti i fshehur i ndarjes, bisedat me veten dhe pengu i një shpirti; Pyetja mbetur pa përgjigje e të gjallit(autorit) babait tashmë të vdekur sjellë me origjinalitet të pacënuar, të bukur dhe prekës.

Ky roman-baladë, mund të konsiderohet pa dyshim një roman me vlera të rralla artistike për nga gjuha e përdorur dhe prurjet e reja por edhe si dokument i rrallë për nga vlerat historike, ndaj duhet lexuar patjetër.I uroj suksese dhe shëndet zotit Hekuran Halili duke e falenderuar përzemërsisht për këtë dhuratë të çmuar dhe memorialit “BABAI” udhë të mbarë drejt lexuesit! Mirënjohëse gjithmonë!

I uroj suksese dhe shëndet zotit Hekuran Halili duke e falenderuar përzemërsisht për këtë dhuratë të çmuar dhe memorialit “BABAI” udhë të mbarë drejt lexuesit! Mirënjohëse gjithmonë!