Përshëndetje xha, Janko – udhëtimi vazhdon-Letra e Moikomit


…Përshëndetje xha, Janko – udhëtimi vazhdon.

Të rrallë janë njerëzit që më kanë çuditur në jetën time. Mbresalënës, i beftë ka qënë takimi im gjatë një udhëtimi me tren me një burrë të fisëm para 30 vjetëve. Quhej Janko Pali. Rastësisht u ulëm përballë njëri-tjetrit si në ato përputhjet e takimeve të profetizuara shumë më përpara nga mitet, që nuk mund t’u shmangesh dot kurrësesi.

Janko qe në një moshe pleqërie, por me xheste të kërthnesta, rinore. Biseda qe e paperceptueshme ,si e bërë në një realitet tjetër, si në një levizje ëndërre, ose që nga shekulli XV, ose në shekullin XXII. Dialogu qe me kapërcime kohërash. Janko si një mag erudit dhe polyglot, më habiti se qe edhe njohës i shkëlqyer i esperantos. Unë isha skeptik për esperanton, por e sfidova lehtësisht për mitet, i shpreha faktin që e njihja Himarën që nga fundi i detit, si zhytës, madje ruaja kujtesën e viseve nën Jon. “Kam – thashë – Himarën e një esperantoje nëndetore, të shpellave, amforave,të enigmave më të tejejetëshme.” Janko me një profil aristrokratik u shtang. Por kur më foli për Himarën e mbidetëshme, për Qiparonë, vendlindjen e tij,për histori, njerëz e legjenda, ku e besueshmja dhe e pabesueshmja ngjanin si njera tjetra, unë kuptova që kultura dhe poliglosia e tij, ishin atribut i mrekullueshëm i shqiptarësisë së patjetërsueshme.

Kur miku im i nderuar, Spiro Dede, më tha se po botonte dorëshkrimet postume të Janko Palit, u përsëdyta në një rikthim të ri të udhëtimit me tren.Më duket dhe besoj se akoma prej 30 vjetësh unë jam në këtë udhëtim përballë plakut te shumëmocëm Janko Pali, në takimin e parë me të dhe që vazhdon amëshueshëm, pa përfunduar në nje udhëtim te fundit, sepse Janko vdiq 97 vjeçar, por ai udhëton me librat e tij si në një tren kujtese prerpetum mobile, sheh e rrëfen nga xhami i vagonit ato që s’kishin parë kurrë të tjerët si ai. Himara e lindi Janko Palin si një motiv të mbijetesës së saj.

Nëse vdekja është esperantoja e tërë njerëzve, unë mund të them se tashmë kjo gjuhë universale do të përkthejë edhe shqipen e të paharruarit Janko Pali.

Përshëndetje Janko! Udhëtimi vazhdon, nuk ka për të mbaruar kurrë. Amen.

Dr. Moikom Zeqo