Qaj gërnetë…Fatmir R Gjata


Fatmir R Gjata

Qaj o moj gërnetë, qaj me britmë të shuar

Qaj për kë po vdes, qaj për të dashuruar

Qaj për të vobektë, qaj për nënë me lot

Qaj ata që ikën, e më s’kthehen dot.

Qaj o moj gërnetë, qaj oh qaj pa frikë

Jetën të marrë lumi, të bëhet muzikë

Drithmë le të më mbetet, drithmë të më çojë

Çfarë me fjalë nuk tretet, le të më këndojë.

Qaj o shpirt zhgërryer, dhe lutu në Zot

Gishtat zënë e lozin, mbi gërnetë më kot

Dhe frymë shkon e tretet, në paqë e qetësi

Nuk është jetë për vuajtje, është për mrekulli.

Qaj për dritën time, ku shkoi nuk mbaj mënd

Luaj e shfryj njëkohë, luaj për hatrin tënd.

Jepi ohhh të paça, tu bëfsha qefin

Qaj për shpirtin tim, qaj për dashurinë.