Qengji dhe keci-Bilbil Murataj


fabul

Në një degë shkoze

Një kec kishte hipur,

Poshtë tij një qengj

Shihte i habitur

Si është kjo jetë,

Thosh qengji manar,

Unë ha bar të thatë,

Kurse ky lastarë

Dythundrakë jemi,

Si unë dhe ai,

Ai hipën lart

E më bën kakërdhi

Të lutem, i thotë kecit,

Ku qëndron sekreti,

Të hipi dhe unë

Përmbi degë, i shkreti

S’ka ndonjë sekret,

More miku im,

Ti s’je për këtë punë,

S’je i sojit tim

Kullot në livadhe

Dhe më dëgjo mua,

Dythundrakë jemi,

Po s’jemi një sua

Qengji uli kokën

Dhe më nuk u ndie,

S’qenka soi ynë, tha,

Është soj lartësie

Ndaj nuk janë njëlloj

Delja edhe dhija,

Vlerën ta jep jeta,

S’ta jep lartësia …