Seti Pezaku Vladi:Moshë e shkruar


MOSHË E SHKRUAR

Eeh, moshë e shkruar, ngjyrat marr pranverës!
Më duket se me ty unë ende po vrapoj,
si atëherë sportive me gërsheta të gjatë,
si atëherë pulëbardhë valëve fluturoj.

Kudo më zhurmon ti moshë luleshege,
më duket se vitet tek ti më kanë ngelur,
akoma më duket se jam lulebore
kur faqja më skuqej nga një dritare çelur.

Më duket se puthjet e nënës po më ndjekin,
fjalët hojëzmjalti tek porta me bilbila,
më duket se hardhia me lastarin hedhur
në garë me gërshetat thur me trendafila.

Nga ti moshë rubine marr gjelbërimin,
klorofilën tënde ende e mbaj veshur,
katarakti im që ndez turbinën zemër
n’gjoksin tim bashkuar rrugën më ka qeshur.