Seti Pezaku Vladi:Ushtare besnike e Hipokratit



(Dedikuar dr.Lusinda Shkëmbi Dushi)

Me nje kupolë qiell dashurie
hyre në gjirin e bluzave të bardha
me shumatoren e vlerave gjenetike,
syth i çelur i rrënjës.
Erdhe ushtare besnike e Hipokratit
në betejën e luftës për jetën.
Mirësia e buzëqeshja akuarel,
terapi e shtuar e brumit tënd
për ngjalljen e shpresës.

Je Noe për të sëmurin.
Në varkën e shpëtimit
i jep dhembjes mushkëritë e qiellit,
oksigjenin e yjeve.

Në relievin e ditëve
ulen e ngrihen turbulenca ankthi,
herë hyjnë në shtegun e gjelbër të gëzimit,
herë-herë hyjnë dhe në një qiell iliade.
Në shpirtin tënd blanë bore alpine
ku çel trëndafili i diellit,
trokon ëndrra jote e ndezur
me flamurim e dashurisë për jetën.

Thyhen orët.
Hijet e ditës fshihen ngadalë
në poret e muzgut.
Nata të gjen mbi kartela
ku rënkojnë diagnozat
e vizatohet odisea e dhembjes
me fërgëllima amplitudash.
Gishtërinjtë të lëshojnë dritë,
diçka prej Perëndie…,
kur shkruan mbi ato fletë
për të vrarë terrin e pabesisë.

Kur gjumi i bën lajka syrit të përgjumur,
si shkulm ere ngrihesh
e përtej dritares që dremit
ndez hënën me yje.

Agu i mëngjesit
çel syrin e ditës së re
me kornizën e panoramës së përditëshme:
Copa shiu… e copa ylberi…

Nëpër këto panorama
rritesh e gdhendet portreti yt.