Sfida e ndryshimit të imazhit-Nga Halil Rama


Në një vit të drejtimit nga kryebashkiakja Festime Mjeshtri bashkia e Bulqizës ka shënuar progres të dukshëm

Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

  • Nëse deri para një viti, shumë nga përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare e shihnin me skepticizëm bashkëpunimin më Bashkinë e Bulqizës, kjo vinte nga prapambetja e trashëguar, sidomos në infrastrukturën e vetë bashkisë. Që të fitohej besimi reciprok duhej nisur pothuajse nga e para. Sfida kryesore mbeteshin burimet njerëzore. Kryetarja e Bashkisë, Festime Mjeshtri, pikërisht këtë sfidë po e përballon me dinjitet, duke ndërtuar një administratë të aftë profesionalisht dhe të përkushtuar, për ta bërë bashkinë e Bulqizës (dhe jo vetëm qytetin minator) të standardeve të përparuara

Gjatë vizitës së para pak ditëve në Sofie, kryetarja e Bashkisë Bulqizë, Znj. Festime Mjeshtri dhe kryetari i Bashkisë së Mezdrës, z. Ivan Asparuhov, arritën një marrëveshje të rëndësishme për rritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore për të përfituar nga mbështetja financiare e BE-së. Financimi i projekteve nga BE-ja ofron një mundësi të jashtëzakonshme që duhet të shfrytëzohet në mënyrë efektive. Kësisoj, Znj, Mjeshtri, e para grua në drejtimin e kësaj bashkie të këtyre tri dekadave të fundit, synon që Bulqizën, e cila me gjithë rezurset e shumta nën e mbi tokësore ka trashëguar problematika serioze, ta shndrrojë në bashki model për gjithë qarkun verilondor të Dibrës. Këtij qëllimi i ka shërbyer edhe takimi që numri një i qeverisjes vendore të Bulqizës ka zhvilluar muaj më parë me Ambasadorin e Katarit në Shqipëri, Jabor Ali Hussein Al Haëashela Al Dosari, ku nga ky i fundit u shpreh gadishmëria për të kontribuar në zbatimin e projekteve zhvillimore në këtë bashki, duke u fokusuar në realizimin e ndërhyrjeve në fushat prioritare si: shëndetësi, mbrojtje sociale, arsim, turizëm etj.

Ky bashkëpunim me kreun e Bashkisë së Mezdrës, z. Ivan Asparuhov si dhe me Ambasadorin e Katarit në Shqipëri, Jabor Ali Hussein Al Haëashela Al Dosari bazohet në faktin se në një vit të drejtimit të Bulqizës nga kryebashkiakja Mjeshtri e vlerësojnë këtë bashki si model, madje duke e cilësuar Bulqizën si një histori suksesi. Në të vërtetë, kthesa e shënuar që nga korriku i vitit të kaluar (pas skandaleve e historive korruptive të paraardhësve të saj) dëshmon para së gjithash rritjen e performancës dhe besueshmërisë së administratës të Bashkisë. Ballafaqimi me premtimet e para një viti  nxjerr në pah jo vetëm përmbushjen e tyre, por dhe tregues të tjerë që kanë të bëjnë me parametra bashkëkohorë të një bashkie në rritje e zhvillim intensiv.

Nëse deri para një viti, shumë nga përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare e shihnin me skepticizëm bashkëpunimin më Bashkinë e Bulqizës, kjo vinte nga prapambetja e trashëguar, sidomos në infrastrukturën e vetë bashkisë. Që të fitohej besimi reciprok duhej nisur pothuajse nga e para. Sfida kryesore mbeteshin burimet njerëzore.

Kryetarja e Bashkisë, Festime Mjeshtri, pikërisht këtë sfidë po e përballon me dinjitet, duke ndërtuar një administratë të aftë profesionalisht dhe të përkushtuar, për ta bërë bashkinë e Bulqizës (dhe jo vetëm qytetin minator) të standardeve të përparuara. Kryerja e analizave me përgjegjësi, identifikimi në kohë i problematikave dhe përcaktimi i rrugëzgjidhjeve efikase sollën që në vitin e parë të mandatit të saj ndryshimin e kërkuar. Kështu gjatë vitit të fundit, Bashkia Bulqizë ka ndërmarrë një sërë projektesh të rëndësishme në fusha të ndryshme, duke synuar përmirësimin e cilësisë së jetës për banorët. Është investuar në infrastrukturë, mjedis, shërbime sociale, arsim dhe sektorë të tjerë kyç. “Sigurisht, kemi ende shumë për të bërë dhe projekte të tjera janë planifikuar për t’u implementuar në të ardhmen. Shumë nga këto projekte do të zhvillohen pas konsultimeve me komunitetin për të vlerësuar prioritetet”, shprehet kryebashkiakja Meshtri.

Parë nga një këndvështrim i përgjithshëm, arritjet janë evidente në infrastrukturë, në rrjetin e kanailzimeve dhe ndriëimin, në përmirësimin e mjedisit, shërbime sociale e arsim. Evidente janë edhe projektet me donatorët e huaj. Kjo, falë drejtimit me kompetencë e përkushtim nga Festime Mjeshtri që nga 23 Maj 2023. E diplomuar në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan, dega “Infermieri”, ajo ka bërë emër, fillimisht si Specialiste Promocioni në Njësinë Vendore të Kujdesit Shendetësor, Bulqizë për rreth 10 vjet, ndërkohë që në vitin 2022 ajo mori detyrën si Drejtor i Spitalit të Bulqizës. Gjatë kësaj periudhe Mjeshtri ka kryer shumë trajnime në fushën e shëndetësisë. Gjithashtu ajo ka punuar si Mësuese me kohë të pjesshmë në shkollën “Qendra e Formimit dhe Arsimit  Profesional”, në qytetin e Bulqizës. Përvoja si specialiste dhe drejtuese në institucione të rëndësishme i ka shërbyer dhe i shërben për të përballuar sfidën e ndryshimit të imazhit. Dhe jo vetëm të Bulqizës – qytet minator si Njësia Administrative qendër, por edhe të shtatë njësive adminitratative ish komuna, si Martaneshi, Fushë Bulqiza, Zerqani, Shupenza, Gjorica, Ostreni e Trebishti malor, me 63 fshatra të shtrirë në një sipërfaqe prej 678.52 km katrore.

POZITA GJEOGRAFIKE, POPULLSIA DHE RESURSET MBI E NËNTOKËSORE

Bulqiza kufizohet në veri me Bashkinë e Dibrës, në perëndim me Bashkinë Klos, në jug-perëndim me Bashkinë Tiranë, në jug me Bashkinë Librazhd dhe në lindje me Republikën e Maqedonisë. Qendra e kësaj bashkie është qyteti i Bulqizës.

Sipas Censusit të vitit 2011 ka një popullsi prej 32,210 banorësh. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil, kjo bashki numëron 40,223 banorë. Bashkia e re shtrihet në një sipërfaqe prej 678.51 km2 me një densitet prej 59.28 banorë/km2 sipas Regjistrit Civil dhe 47.47 banorë/km2 sipas Censusit 2011.

Popullsia e Bulziqës është në shumicë dërmuese e besimit mysliman dhe një pakicë fare e vogël i përket besimeve të tjera.

Relievi kodrinor-malor përcakton si burime kryesore gjeneruese bujqësinë dhe blegtorinë, por pa harruar edhe industrinë e nxjerrjes së kromit dhe atë të pasurimit të mineralit të kromit, ku rajoni i Bulqizës është mjaft i njohur. Ndërkohë, një tjetër burim i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të këtij rajoni konsiderohet edhe turizmi malor familjar si dhe ngritja e qendrave për grumbullimin e bimëve medicinale, me të cilat zona është mjaft e pasur.

Qyteti i Bulqizës, i ndërtuar në funksion të minierës së kromit dhe rezervave të mëdha të kromit ka një numër të konsiderueshëm biznesesh, ndërsa numri i të punësuarve në minierë si dhe përfitimet ekonomike nga punësimi kanë variuar gjatë dekadave të fundit.

PËRMIRËSIMË RRËNJËSORE NË INFRASTRKURË

Infrastruktura ka qenë një nga prioritetet kryesore. Kryetarja e bashkisë, Znj. Mjeshtri na njeh me disa projekte madhore, si rruga e Krastës, një investim I shumë pritur nga banorët. Gjithashtu, është realizuar asfaltimi i segmenteve rrugore në disa zona, si në fshatin Okshatinë, Njësinë Administrative Shupenzë, ku është bërë asfaltimi i segmenteve rrugore brenda lagjeve Kullas dhe Kazanë; është rregulluar rruga e fshatit Tërnovë e Vogël, Njësia Administrative Zerqan; është asfaltuar rruga në fshatin Krajkë dhe rehabilituar segmenti i rrugës nga Zerqani në Zall Sopot; është sistemuar rruga në Zall Strikçan, Njësia Administrative Zerqan; gjithashtu, rrugë të sistemuara dhe të shtruara me çakull ka edhe fshati Orzhanovë në Njësinë Administrative Ostren, ku janë vendosur dhe tombinat në pjesën e përroit; është rehabilituar rruga në lagjen Guri, në Ostren të Madh; është sistemuar dhe asfaltuar rruga e Sopotit, Loti II, një premtim i mbajtur ndaj banorëve të Sopotit, të cilët prej vitesh kanë shprehur dhe adresuar shqetësimin e mungesës së investimeve në infrastrukturë. Ka përfunduar ndërhyrja në rrugën e varrezave në fshatin Dushaj, në Njësinë Administrative Fushë-Bulqizë. Është  instaluar tombina në dy përronj që gjenden në këtë rrugë dhe është mbushur gjithë segmenti i saj me material çakull. Në segmentin e rrugës Zall Sopot – Zerqan, është bërë sistemimi i gjithë segmentit me çakull. Gjithashtu, janë instaluar tuba tek përroi për të garantuar kalueshmërinë dhe sigurinë e rrugës në çdo kohë. Ka përfunduar asfaltimi i rrugës kryesore të fshatit Vajkal 1.8 km, një projekt që jo vetëm lehtëson lëvizjen dhe lidhjen me zonat e tjera, por gjithashtu krijon mundësi për zhvillimin ekonomik dhe turistik të Vajkalit.

MJEDISI – SYNOHET MBJELLJA E 3000 FIDANË PISHË E ZEZË

Mjedisi konsiderohet nga kryebashkiakja Mjeshtri një tjetër sektor me rëndësi të veçantë. Për këtë janë organizuar aksione të vazhdueshme për pastrimin e zonave të ndryshme, duke përfshirë qytetarët, kryesisht të rinjtë, për të rritur ndërgjegjësimin dhe përfshirjen në ruajtjen e hapësirave publike. Po ashtu, me mbeshtetjen e organizatave lokale ka nisur mbjellja e mbi 3000 fidanë pishë të zezë në kuadër të vitit shqiptar të pyjeve.  Janë shtuar dhe 100 kosha të rinj për mbledhjen e mbetjeve në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit.

SHËRBIM I SPECIALIZUAR PËR FËMIJË E TË RINJ ME AFTËSI TË KUFIZUAR

Në fushën e shërbimeve sociale, është firmosur një marrëveshje bashkëpunimi mes Shërbimi Social Shtetëror dhe Bashkisë Bulqizë për zbatimin e projektit “Shërbimi i specializuar për fëmijë e të rinj me aftësi të kufizuar në familje dhe në Qendrën Ditore në Bashkinë Bulqizë” mbështetur financiarisht nga programi i Fondit Social. Përmes këtij projekti, bëhet e mundur zgjerimi i shërbimeve sociale në 8 Njësitë Administrative të Bashkisë Bulqizë.  Bashkia Bulqizë do të ofrojë shërbime të specializuara në familje dhe në Qendrën Ditore për fëmijët dhe të rinjtë me aftësi ndryshe. Ata do të përfitojnë rregullisht shërbime mbështetëse psiko-sociale, terapeutike, etj., duke u dhënë mundësinë të zhvillojnë potencialin e tyre të plotë.

BIBLIOTEKA DHE KLASA INTELIGJENETE NË SHKOLLAT E BULQIZËS

Në sektorin e arsimit Bashkia Bulqizë ka ndërmarrë punime për riparimin dhe përmirësimin e objekteve arsimore, përfshirë restaurim, lyerje, dhe përmirësim të rrjeteve hidraulike dhe sanitare. Gjithashtu, po investohet për pasurimin e shkollave me biblioteka dhe klasa inteligjente. Për shembull, gjimnazi ‘Rifat Manjani’ në Shupenzë ka tashmë një bibliotekë të re dhe një klasë burimore të pajisur me bazën materiale didaktike dhe mobilimin e nevojshëm për zhvillimin e planeve specifike në ndihmë të fëmijëve me aftësi ndryshe.

PËRMIRËSIME NË RRJETIN E KANALIZIMEVE DHE NDRICIMIT PUBLIK

Në qytetin e Bulqizës janë bërë përmirësime të ndjeshme në sistemet e kanalizimeve dhe ndriçimit publik. Është rehabilituar rrjeti i kanalizimeve të ujërave të zeza dhe ujërave të bardha. Gjithashtu, kanë nisur punimet për rregullimin e rrugëve dhe trotuareve, duke përfshirë sinjalistikën horizontale për të rregulluar qarkullimin rrugor dhe për të siguruar një ambient të sigurt për të gjithë përdoruesit e rrugës.

Një tjetër projekt i rëndësishëm është rikonstruksioni i një blloku pallatesh në qytetin e Bulqizës. Ky projekt përfshin ndërhyrje në fasadat e pallateve dhe veshjen e tyre me sistemin kapot. Rikonstruksioni do të ndihmojë në izolimin termik të objekteve, duke krijuar një mjedis të përshtatshëm dhe duke reduktuar konsumin e energjisë për ngrohjen e ambienteve.

Gjatë muajve të verës punohet intensivisht edhe për rehabilitimin dhe sistemimin e kanaleve kulluese në ndihmë të banorëve/fermerëve me prodhimin bujqësor.

PROJEKTE NGA DONATORËT E HUAJ

Me financimin nga Ndihma Bullgare për Zhvillim ka nisur implementimi i projektit ‘Rritja e kapaciteteve të punonjësve dhe njësive administrative të Bashkisë Bulqizë për agroturizmin dhe turizmin malor’. Kryetarja e bashkisë Festime Mjeshtri shprehet se ky projekt synon promovimin e turizmit, i cili është kyç për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë lokale dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Po ashtu, nga janari i vitit 2023, Terre des Hommes dhe UNICEF Albania, me mbështetjen financiare të qeverisë Britanike, po implementojnë projektin “Ngritja e rezistencës parandaluese dhe shërbimet e reagimit të menjëhershëm për fëmijët viktima të trafikimit dhe formave të rënda të dhunës” në Bashkinë Bulqizë. Gjithashtu, me mbështetjen e qeverisë Britanike, do të shtrijnë shërbimet komunitare edhe në Njësinë Administrative Shupenzë, me qëllim ofrimin e shërbimeve cilësore për të gjithë komunitetin, familjet dhe individët në nevojë.

Me mbështetjen e donatorëve ndërkombëtarë Bashkia Bulqizë mka sot një Qendër Komunitare Multifunksionale. Përmes mbështetjes së projekteve të financuara nga Bashkimi Europian, kemi realizuar një sërë aktivitetesh edhe me të rinjtë në fushën e sportit.

Të gjitha këto arritje që e rendisin bashkinë e Bulqizës ndër më të mirat në rang vendi, padyshim që i dedikohen kryebashkiakes Mjeshtri. Në një vit të drejtimit të kësaj bashkie ajo ka shfaqur aftësi të shkëlqyera organizative, marrëdhënje korrekte me qytetarët dhe bashkëpunim ndërinstitucional mjaft efektiv në funksion  të përmbushjes së angazhimit për ta bërë bashkjinë e Bulqizës ndër më konkurreuese me simotrat e saj.