Skender Jashari:Strategjia islamike e Rusisë-Doktrina islamike ruse


Strategjia islamike e Rusisë-Doktrina islamike ruse

Moska zhvilloi një strategji në vitet e 90-ta të shekullit të shkuar, që ishte vis-a-vis me zhvillimin e Xhihadit Global, që ishte një strategji që besohet e projektuar nga Rusia, për ta përdorë terrorizmin islamik si „mashë“ për t’i arritur qëllimet e saja, që të kundërshtoj botën Monopolare dhe të krijohet Multipolarizmi( si rend i ri botëror), e ku edhe Rusia, Kina dhe bota arabe do ringritnin veten në piedestal të barabartë me SHBA-në. Ringritja e Rusisë, nënkuptone rifitimin e territoreve të republikave ish-sovjetike dhe hapësirave të tjera të influencës që i kishte dikur. Ekspansioni dhe shtrirja e ndikimit rus, që lehtësisht mund të kuptohet dhe shihet që ka ndodhur këto 3 dekadat e fundit, ka të bëjë në dy drejtimet:
⦁ Doktrina ortodokse ruse dhe
⦁ Doktrina islamike ruse.

⦁ Në drejtim të vendeve ish-sovjetike, Rusia tenton rishtrirjen e ndikimit, e që janë vende kryesisht me besim fetar ortodoks, e që për këtë qëllim përpiqet përmes instrumentalizimit të ortodoksizmit. Për këtë qëllim madje krijoi edhe doktrinën e Botës ruse, siç ngjajshëm edhe Serbia përpiqet ta kopjoj me Botën serbe.
Në drejtim të muslimanëve dhe vendeve muslimane apo doktrina islamike ruse, që Rusia ka ndjekur pas viteve 1990, është i ngjajshëm dhe adoptim i strategjive të mëhershme. Ofenziva islamike e Rusisë, bazohet në përzierjen e përpjekjeve diplomatike zyrtare dhe diplomacisë quazi-zyrtare. “Dialogu i Civilizimeve” gjithashtu ishte përpjekje e Rusisë për të promovu lidhje me botën muslimane, si një kundërpërgjigje ndaj Davos, si një “model alternativ i globalizimit” i themeluar në vitin 2002. Rusia me përmisimin e raporteve politike me shtetet e Gjirit, arriti t’i bind Arababinë Saudite dhe Kuvajtin, që të ndërprenin financimin për seperatistët çeçen dhe për monitorimin më të mirë të fondeve të ndihmave për ndërtimin e xhamive dhe qendrave edukative për muslimanët e Rusisë, gjithashtu që vendet e Lindjes së Mesme e shihnin Kadirovin me simpati e të cilin e mbështetën për të ndërtuar vendin e shkatërruar nga lufta. Prandaj kjo ofenzivë islamike e Rusisë ka dhënë rezultate pozitive, për ta bë qeverinë Ruse si aktore globale, shkaku i kontakteve dhe raporteve me vendet muslimane, atë e bëri të luaj një rrolë në rritje, e ndonjëherë edhe vendimtar në konfliktet regjionale dhe në nivel botëror. Përfitimi i muslimanëve të federatës Ruse a edhe të botës islamike-arabe, nga ana e Rusisë, orientohet fillimisht drejt përfitimit përmes politikave, lidhjeve, intereseve të përbashkëta dhe miqësore, por në fund të fundit, parasheh edhe forcën ushtarake në mbajtjen e tyre nën kontroll. E që kjo strategji strukturohet në:
⦁ Strategjia ruse në drejtim të muslimanëve të federatës ruse
⦁ Strategjia ruse në drejtim të vendeve muslimane.

⦁ Strategjia ruse në drejtim të muslimanëve të federatës ruse, është gjithashtu e konceptuar në përfitimin e tyre përmes politikave miqësore, pastaj në përçarjen dhe kundërvënijen e grupeve rivale mes vete dhe në fund përmes politikës represive. Prandaj Putini shtoi bashkëpunimin me komunitetin islamik në Rusi, për t’i menaxhuar më mirë grupet e ndryshme të muslimanëve duke krijuar edhe aleanca me ta, derisa duke i vëzhguar në detaje zhvillimet brenda komuniteteve muslimane dhe duke intervenuar kur e shihte të arsyeshme, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit dhe parandalimit të islamofobisë. Moska kërkon lojalitetin e muslimanëve, por nuk ua përmbush kërkesat e nevojat e tyre për përmisim të kushteve ekonomike dhe sociale, gjë që shumë e më shumë musliman i drejtohen islamit dhe janë të zhgënjyer me politikat e Kremlinit. Prandaj Kremlini bënë përpjekje që të zhvilloj mënyra për inkorporimin në politikat e reja të popullatave multi-etnike dhe multi-fetare, e në veçanti asaj islame.
Mirëpo përçarjen e islamikëve të federatës Ruse, si dhe rivalizimin dhe shkaktimin e konflikteve ndërmjet tyre, sidomos në rajonin e muslimanëve etnik të Kaukazit, ka qenë dukuri e theksuar pas viteve 2010, ku ndodhën edhe një numër atentatesh mes grupeve islamike rivale. Në këto raste autoritetet ruse, sa në njërën anë qëndronin e herë në anën tjetër, e pas eskalimit të situatave ndërhynin për të neutralizu edhe grupin rival etj. Në Distriktin federal të Uralit, ku shumica janë musliman etnik Tatar dhe Bashkir, Rusia lejoi tjetërsimin etnik të vendit, kryesisht me emigrant nga vendet e Azisë qendrore dhe nga Kaukazi të cilët musliman sollën edhe islamin radikal, edhe pse kjo shkaktoi rritjen e tensioneve në mes popullatës locale dhe emigrantëve. Edhe pse Rusia i kishte trajnuar klerikët islamik që të integronin më shumë emigrantët e tillë dhe të zbutnin tensionet etnike dhe religjioze mes tyre.
Edhe sot, në ushtrinë ruse, ku ka musliman, e kanë hoxhën e tyre, sidomos në pjesën e Kaukazit verior, apo që imamët lokal janë të autorizuar që të vizitojnë forcat e armatosura dhe të përfaqësojnë në ceremonitë fetare islame të ushtarëve. Për të vazhduar pastaj me perfiditetin e Kremlinit, në spastrimin etnik, eliminimin fizik të grupeve e njësive ushtarake e paraushtarake të muslimanëve të federatës Ruse, gjatë agresionit në Ukrainë, si rasti i njësisë çeçene në Buça, pastaj në Irpoin, Melitopol etj. Derisa Putini ka synim shfarosjen e Çeçenëve, shumica e çeçenëve nuk e kuptojnë qëllimkeqësinë e tij, por edhe më radikal sesa vetë Putini janë kundër Ukrainës-ngjajshëm ishte situate edhe me Muhaxherët shqipfolës të cilët luftuan në Galipol(Çanakala) për Perandorinë Osmane e nuk luftuan për vendin e vetë.
Mirëpo muslimanët e Rusisë, shumë pak kanë bërë për muslimanët e botës Arabe, këtë e theksonte edhe ambasadori Libanez Fadi Ziadeh, ku thotë nuk ka pasur demostrata nga muslimanët e Rusisë kundër luftës në Irak, ose kundër veprimeve ushtarake të Izraelit ndaj Hezbollahut ose Hamasit, siç ndodhnin zakonisht në vendet muslimane. Derisa vërehet mirëfilli dhe lehtësisht “keqkuptimi” që muslimanët e devotshëm të Rusisë e shohin atë si një armik të islamit derisa të jashtmit( perëndimorët) e cilësojnë atë( Rusinë) si një aleat historik të botës arabe që nga koha e BRSS-së.

⦁ Strategjia ruse në drejtim të vendeve muslimane
Përvoja disa shekullore e Rusisë, në përdorimin e islamizmit, për qëllime të saj, është vënë sërish në përdorim. Vëzhguesit e jashtëm e konsiderojnë Rusinë si vendin jomusliman me popullësi më të madhe muslimane, si sfidë për të a edhe si kërcënim për vendin dhe liderët rus, mirëpo kjo nuk është edhe përceptim i lidershipit rus, të cilët e shohin si mundësi për t’u përfshirë dhe shtrirë influencën ruse edhe në Lindjen e Mesme dhe në botën islamike, duke theksuar që kanë dhe ndajnë vlerat morale dhe lidhjet e njejta me vlerat “tradicionale” ruse si ato të Lindjes së Mesme, Azisë dhe vendeve të shoqërive jo-perëndimore.
Analistët e Moskës nuk pajtohen për nivelin që kanë ndikuar raportet e Rusisë me botën islame, që ajo të mbrohej nga ekstremizmi dhe terrorizmi ndërkombtar islamik, por janë të sigurtë që kjo ka ndikuar.
Nuk mund të gjenden studiues, vëzhgues në botën islame a arabe, apo edhe ruse, që të dekonspirojnë qëllimet e fshehta që fsheh lidershipi rus, karshi qëllimeve sipërfaqësore gjoja dashamirëse, ndaj vendeve arabe. Bota njëpolare, është e papranueshme për Rusinë, ajo përpiqet që poli i dytë të jenë civilizimi ortodoks, që është qëllimi kryesor i politikës së jashtme të saj, duke pajtuar krishterizmin perëndimor me Islamin, mund t’i jap botës dimensionin e ri në rolin ndërkombtar të Rusisë dhe supremacinë e Patriarkut të Moskës brenda Kishës universal ortodokseë që është në interes edhe të Kishës ortodokse ruse dhe shtetit rus.
Derisa Putin, qartazi e identifikon Rusinë si një vend me shumicë të krishtere, por të dallueshëm nga Perëndimi “dekadent” sekular, e që duke zhvilluar doktrinën e re që vendet muslimane janë aleat natyral të Rusisë në konfrontimin me Perëndimin, e që Rusia bënë përpjekje të ndryshoj rendin botëror, duke u bë poli i dytë ajo, këtë sërish tenton ta arrijë përmes përdorimit mish për top të muslimanëve e veçmas arabëve( siç më parë kishte përvojë në përdorimin e komuniteteve të tjera për qëllimet e saj). Rusia shfrytëzon faktin që shoqëritë dhe qeveritë islamike janë konservatizu, radikalizu dhe ekstremizu, por edhe janë në përpjekje të forcimit të ndikimit fetar islamik, duke u bë gjithnjë e më anti-liberale, anti-demokratike dhe anti-perëndimore( që liberalizmi, feminizmi, demokracia shihen si vlera ekskluzivisht perëndimore). Prandaj si vendet arabe-islamike ashtu edhe Rusia, kanë në vetëvete armikun e njejtë, që e cilësojnë Perëndimin, që sipas tyre besojnë që vetëm kultura perëndimore, është rreziku më serioz i kulturës islamike-arabe dhe asaj ruse-ortodokse. Prandaj lehtësisht kuptohet, që sa më konservator, radikal, ekstrem që të jenë muslimanët, aq më në interes të Rusisë janë, sepse ashtu janë më kundërshtar të Perëndimit dhe vlerave e ndikimeve perëndimore, e për rrjedhoj vetëbëhen vegla dhe vetëfuten nën ndikimin rus. Prandaj në opinionin publik arab në përgjithësi dhe mbi gjitha në botën arabe, kanë pikëpamje neutrale apo edhe pozitive ndaj Rusisë, që kur Rusia ka diskursin kritik ndaj promovimit të demokracisë, ndikimit dhe ndërhyrjeve Amerikane dhe Perëndimore.
Vlerat konservative, janë kartë e rëndësishme në dorën e Putinit, i cili e njeh si të nevojshme bashkëpunimin me muslimanët për qëllimet e politikës së tij të jashtme, përfshirë mbështetjen në raporte të fuqishme me Iranin, Sirinë dhe shtetet e tjera muslimane, që mund t’i shërbejnë si kundërpeshë e ndikimit të SHBA-së. Prandaj zgjerimi i lidhjeve të Putinit me botën islamike ishte prioritet dhe faktorë i rëndësishëm në përpjekjen e tij për rivitalizimin e politikës së jashtme të Rusisë, e që këtë e bënte me qëllimin e shtrirjes së influencës në Lindjen e Mesme dhe në Azinë Qendrore, por njëkohësisht edhe për qëillim kufizimi dhe devijimi të mbështetjes ndërkombëtare për seperatistët çeçen.

Më:10.03.2023

Skender Jashari i burgosur politik nga EULEX, për rastet e sulmeve kundër policisë dhe xhandarmërisë së Serbisë në Dobrosin komuna e Bujanocit. Ky shkrim është pjesë e marrur nga punimi i bërë gjatë qëndrimit në burgimin politik!
Master drejtimi juridiko-penal dhe studime joformale ushtarake.