Squirrel prison (Burgu i ketrit) – nga Arjan Rama



Asnjë prej nesh, që nga adoleshenti i etnisë egjiptiane që lan xhamat e automjeteve kryeqytetase në trafik e deri tek oligarku i kriminalizuar që shkrin Antarktikun në gotën me gin tonic, nuk dëshëron të besojë se shqiptarët janë njerëz të vetmuar. I pari, sepse nuk e di se cila është mosha më e mirë për të, dhe i dyti, sepse nuk e di cili është çmimi i vërtetë i pushtetit të tij. Çfarë hareje kombëtare dhe orgazme politike është kur konstaton se rrugët tona janë plot, baret dhe restorantet plot, shëtitoret dhe parqet plot, qëndrat tregtare dhe dyqanet plot, tregjet e shumicës dhe qëndrat estetike plot, farmacitë dhe spitalet plot, zyrat e partive dhe ojf-ve plot, komisariatet e policisë dhe institucionet e vuajtjes së dënimit plot, fjalët janë plot me nënkuptime dhe bisedat plot me thashetheme, opinionet janë plot me cinizëm dhe rrëfimet plot me trillime, llastimet janë plot me kotësi dhe ambicjet plot me neveri, urrejtjet janë plot me brutalitet dhe dashuritë plot me hipokrizi, gjumi është plot me “të vdekur” dhe vdekja plot me “të fjetur.” Madje, edhe liria është plot me marrëzi, dhe marrëzia krejtësisht e lirë. Ne nuk jemi kurrë “vetëm”, ne jemi gjithmonë bashkë, aq të plotë në paplotësinë tonë, aq të zhurmshëm në heshtjen tonë, aq të gëzuar në dëshpërimin tonë, aq poetikë në prozën tonë aq sa të vjen të besosh se e gjithë kjo tollovi është një cilësi genotipike e racës. Kemi qenë shpesh herë “vetëm” në horizontin e territoreve ku gjeopolitika, kjo luaneshë në afsh ndërzehet me luanët alfa të ekspansionit ekonomik, por kurrë s’kemi qenë të vetmuar, harroje, zoti autor…pra, populli im nuk do ta pranojë kurrsesi vetminë e tij, ai ka frikë nga vetmia, por shqiptarët janë njerëz të vetmuar, ndoshta më të vetmuarit në mëhallat e varfëra të botës. Njeri i vetmuar është vetëm njeriu i gënjyer dhe shqiptarët janë njerëz të gënjyer përgjatë gjithë historisë së tyre. Për ta ilustruar këtë opinion, po iu kujtoj diçka shumë të thjeshtë, një lojë gazmore që quhet “squirrel prison”-“burgu i ketrit”. Ketri energjik, kureshtar dhe i guximshëm, por fatkeq, vrapon në një rrotë të mbyllur plastike duke besuar se do të shpëtojë nga ajo, por kur mbrrin pranë pikës më të lartë, pesha e tij e kthen rrotën prapa dhe ai fillon vrapimin nga e para, nga pika zero. Qesharake deri në grotesk dhe dramatike deri në vajtim! Ketri është shqiptari im, rrota plastike është pista që “vëllezërit e mëdhenj” të historisë i kanë caktuar për të vrapuar drejt ëndrrës së tij për dinjitet dhe begati, gjithmonë në sfondin e luksit perandorak që gajaset me këtë shfaqje të rrallë të triumfit të gënjeshtrës së organizuar në institucion. Gjithë jetën shqiptari i gënjyer vrapon, vrapon…Vrapoi dhe arriti në Epir, por ra përsëri poshtë; vrapoi dhe arriti në Arbëri, por ra përsëri poshtë; vrapoi dhe arriti në mëvetësinë e kushtëzuar të pashallëqeve të mëdha, por ra përsëri poshtë; vrapoi dhe arriti në zemrën mistike të osmanëve të rinj, por ra përsëri poshtë; vrapoi dhe arriti në shtetin ideal të Pavarësisë, por ra përsëri poshtë; vrapoi dhe arriti në mbretërinë qesharake të Zogut I, por ra përsëri poshtë; vrapoi dhe arriti në shtetin e përgjakur të utopisë komuniste, por ra përsëri poshtë; vrapoi dhe arriti në eksodin e madh të njerëzve të shfytyruar nga tirania, por ra përsëri poshtë, vrapoi dhe arriti në brigjet e magjepsura të pluralizmit demokratik, por ra përsëri poshtë. Tani vazhdon të vrapojë për të arritur në “tokën e premtuar” të BE-së, por është ende larg dhe tepër i lodhur, më shumë nga gajasjet e “pedagogëve të mëdhenj të demokracisë moderne” që sodisin nga lozhat mondane të luksit të tyre, se sa nga ckërmitja vezulluese e dhëmbëve të lodhjes apo dihatja gjuhëjashtë e lëngatës së mushkërive. I shkreti ketër, i shkreti shqiptari im i gënjyer dhe i vetmuar sepse njeriu i gënjyer është gjithmonë i vetmuar. Amen!