Talenti-pasioni dhe vullneti që nuk  shuhen kurrë-Nexhat Nallbati


POETJA DHE SHKRIMTARJA ME ORIGJINË NGA HOÇISHTI I DEVOLLIT

NATASHA SHULE(BINO)

Natasha Nesti Shule(Bino) ka lindur më 14 Dhjetor 1948 në qytetin e Vlorës në një familje me tradita të shquara patriotike dhe Atdhetare.Babai i saj Nesti Bino ka qënë me origjinë nga fshati Hoçisht i zonës së Devollit.Ai u lind,u rrit dhe jetoi aty deri sa shkoi në shkollën ushtarake dhe doli oficer karriere ku punoi për më shumë se njëzet vjet në detyra dhe funksione të ndryshme në disa rrethe dhe qytete të Shqipërisë si në Burrel,Skrapar,Berat,Sarandë dhe e mbylli karrierën në qytetin e Korçës deri sa doli në pension.Mamaja e Natashës quhej Jorgjie Bino dhe ishte nga qyteti i Fierit.Jorgjia lindi dhe rriti me shumë kujdes dhe përkushtim tetë fëmijë,nga të cilët pesë vajza dhe tre djem.

Si nënë me shumë fëmijë ajo meritoi plotësisht dy tituj nderi:”Lavdi nënës” dhe”Nënë heroinë”.

Natasha Shule është fëmija e parë.Mësimet e para i ka kryer në qytetin e Çorovodës deri në klasën e gjashtë,pastaj në qytetin e Sarandës deri në vitin e tretë të gjimnazit ndërsa maturën e shkollës së mesme e mori në qytetin e Korçës.Ajo qysh në fëmijëri dallohej për dëshirën e madhe që kishte për librat dhe mësimet.Ishte nxënëse dhe studente e përparuar në mësime në të gjitha lëndët,por ajo që pëlqente më shumë ishte letërsia.Shkrimi i saj i parë ka qënë një tregim i shkurtër dy faqeshi pasqyruar në një hartim klasë me temë të lirë siç bëheshin në atë kohë.Më vonë hartimet e Natashës lexoheshin të gjitha para klasës si ndër më të mirat për nga përmbajtja dhe stili i të shkruarit. Kur ishte në vitin e dytë Gjimnaz në një takim që bëri me mësuesit e letërsisë shkrimtari i shquar njëkohësisht dhe drejtori i institutit të folklorit Zihni Sako,kërkoi prej tyre hartimet më të mira të studentëve.Midis gjithë hartimeve që lexoi vlerësoi si më të mirin një hartim të Natashës me temë:”Pritja e Marës” nga Milosao e DE RADËS.Pas mbarimit të shkollës së mesme Natasha për arsye të ngutshme ekonomike familjare nuk mundit dot të vazhdojë studimet e larta.Në atë kohë babai i saj ishte i sëmurë si invalid dhe ajo detyrohet të futet në punë.Filloi punë në kombinatin e trikotazhit të qytetit Korçë si puntore me turne.Në këtë mënyrë dëshira dhe pasioni i Natashës për shkollën e lartë përkohësisht u ndërpre por ëndrra që ishte brenda shpirtit të saj. Në vitin 1968 Natasha martohet.Ajo vazhdoi të punonte por brenda saj ziente brenga për të vazhduar studimet e larta.Në vitin 1970 hapet për herë të parë në qytetin e Korçës filiali i lartë pedagogjik,degë e institutit të lartë pedagogjik të Elbasanit.Ky ishte lajmi më i mirë për Natashën.Ajo kërkoi menjëherë të rregjistrohet dhe kërkesa u realizua.Për Natashën filloi kështu një rrugë tjetër drejt plotësimit të ëndrës së saj.

Filloi studimet menjëherë.Me dëshirë,pasion dhe vullnet të lartë përfundoi studimet me rezultate të mira duke u dalluar veçanërisht në lëndën e letërsisë.Gjatë kësaj kohe ajo shton kontaktet me shumë shkrimtarë dhe poetë të tjerë sidomos për letërsinë për fëmijë,Kjo e bëri atë një bashkëpuntore të ngushtë të lidhjes së shkrimtarëve.Në vitin 1975 i vjen një njoftim nga seksioni i arsimit të rrethit Korçë ku ishte përzgjedhur si antare e jashtme e Akademisë së shkencave për letërsinë si përfaqësuese e rrethit të Korçës.Kjo ishte një mundësi më shumë që Natasha të shfaqte më mirë talentin dhe aftësitë e saja në fushën e krijimtarisë letrare.Shumë shpejt ajo u rekomandua tl përgatiste një temë analize rreth romanit të shkrimtarit Ismail Kadare “Kështjella”,të cilën e realizoi me sukses dhe ajo u dërgua në Akademinë e shkencave të Republikës.

Natasha krahas punës si puntore shëmbullore, aktivizohej shumë dhe me veprimtaritë shoqërore kulturore dhe artistike që organizonte kombinati pas proçesit të punës.Në vitin 1986-87 u botua Almanaku i parë i librave të kombinatit ku Natashës ju botuan dy poezi të saj me titull “Nënat shqiptare” dhe”Bllokada”.Më 1998 u botua Almanaku i dytë ku Natasha u prezantua me tregimin e gjatë “Nëna e dytë”

Me ndryshimin e sistemit në vëndin tonë Natasha në vitin 1999 shkon emigrante në SH.B.A.për një vit.Kthehet prej andej dhe mbetet pa punë.Kërkon punë në drejtorinë e arsimit Korçë për të punuar si mësuese e cila u miratua.Filloi të punojë si mësuese në fshatrat Pirg dhe Libonik ku punoi për pesë vjet rresht.Në vitin 2005 emigron përsëri në Amerikë.Aty punoi dhjetë vjet si puntore rrobaqepëse derri sa doli në pension pleqërie.

Dëshira për të shkruar nuk pushoi kurrë.Në vitin 2017 botoi librin e saj të parë në poezi”Ëndrra dhe jeta”.Në vitin 2019 me rastin e 70 vjetorit të lindjes botoi vëllimin poetik”E dua dritën’ dhe romanin”Gjurmë aratisjesh,”Morri pjesë në konkursin shqiptar “Na bashkoi poezia” në vitin 2021 me tre poezi dhe fitoi çmimin e tretë.

Në konkursin me temë”Atdheu dhe heronj të shqiptarëve” ku morrën pjesë poetë nga diaspora dhe Shqipëria.Më 21 Nëntor 2021 bën promovimin e librave të saj për herë të parë në SH.B.A. me pjesmarjen e komunitetit shqiptar në qytetin vvorcester.

Natasha ka rritur tre fëmijë,dy vajza dhe një djalë,të cilët i ka rritur me vështirësi dhe dashurinë e një nëne shembullore duke qënë model në edukimin e tyre për të qënë zotër të vetes,të duan veten,familjen dhe mos harrojmë kurrë Atdheun e tyre Shqipërinë.

Natasha në të gjithë jetën dhe veprimtarinë e saj është dalluar për virtute,cilësi dhe vlera të mëdha njerzore.Ajo që bie në shumë në sy tek karakteri i saj është qetësia dhe urtësia shpirtërore me të cilat prezantohet kudo.Ajo karakterizohet nga dashuria e madhe,pasioni,vullneti dhe përkushtimi në punë.Flet pak dhe punon shumë.Është një grua e urtë,e thjeshtë dhe tepër komunikuese në mardhënie me të tjerët.

Për personalitetin dhe individualitetin e saj flasin më tepër e më mirë veprimtaria e saj krijuese letrare.Aty bie në sy talenti i një shkrimtareje dhe poeteje të pjekur dhe me këmbë në tokë,që di të japë e të trajtojë me mençuri e mjeshtëri artistike problemet e jetës me të cilat ndeshet çdo ditë.Pavarsisht nga vitet e moshës tek Natasha duken qartë vullneti dhe dëshira e saj për të vazhduar krijimtarinë letrare dhe për të dhënë vepra të tjera cilësore.

TEK KJO POETE DHE SHKRIMTARE TALENTI,PASIONI DHE VULLNETI PËR TË SHKRUAR NUK SHUHEN KURRË.