Të dhëna dhe dëshmi të rëndësishme të rrjedhës së jetës në vilajetin e Prizrenit në vitet 1866 – 1868


Anton Nikë Berisha

TË DHËNA DHE DËSHMI TË RËNDËSISHME TË RRJEDHËS SË JETËS NË VILAJETIN E PRIZRENIT NË VITET 1866 – 1868

Rreth veprës së Dario Bucciarelli, Relacioni sinoptik i ngjarjeve të ndodhura brenda Pashallëkut të Prizrenit nga 26 gushti 1866 deri më 6 mars l868. Përgatitur për botim nga Mark Palnikaj, Tiranë 2023

“Pra, o lexues, edhe pse do të jenë të pakëndshëm stili, e sado bezdi do të të japë materiali i pranishëm i shkruar, mund të shkurajohesh sigurisht, por do të ngushëllohesh vetëm nga fakti se gjithçka është e vërtetë, e vërteta e pastër…”.

Argjipeshkvi

Dario Bucciarelli M. O.

Misionarët – barinjtë shpirtërorë në trojet e Arbërisë, vendorë ose të huaj, dhanë nëpër shekuj një ndihmesë shumëfish të rëndësishme për ruajtjen dhe pasurimin e botës së arbrit, sidomos në rrafshin shpirtëror dhe kulturor. Dy urdhrat e shquar, benediktinët[1](të parët) dhe domenikanët (më vonë), themeluan në trojet arbërore vatra të rëndësishme fetare dhe kulturore, siç vepruan edhe në vendet e tjera, kudo që shkuan[2]. Rëndësinë e tyre për botën tonë e përligj dhe ky mendim i atë Vinçenc Malajt: “Në Shqipní, ashtu si në gjithë bregdetin dalmatin, tash ma që nga fillimi i shekullit IX deri në të XIII, lulzuen urdhnat e vjetër rregulltarë, kryesisht ai benediktin dhe u ngritën nji numër i madh abacishë e kuvendesh që me siguri ushtruen ndikim të madh në jetën fetare të vendit. Për veprimtarinë e zhvillueme nga benediktinët në fushën kulturore, ekonomike e fetare, burimet e pakta historike flasin shum pak. Megjithate, abacitë e shumta janë dëshmí e qartë e pranisë së tyne”[3].

Këtë traditë të qenësishme të benediktinëve dhe të dominikanëve e vijoi urdhri françeskan, që e pasuroi edhe më tej. Ky urdhër vepron edhe sot e gjithë ditën dhe jep një ndihmesë të rëndësishme[4].

Argjipeshkvi i Argjipeshkvisë Shkup – Prizren, Dario Bucciarelli (Buçarelli), i lindur në Castelplanio (Itali) më 4 prill 1827. Ishte françeskan. Një pjesë të jetës e kaloi në trevat shqiptare[5]. Në vitin 1864 u emërua argjipeshkëv i Shkupit me seli në Prizren.

Në veprën e lënë në dorëshkrim Relacioni sinoptik i ngjarjeve të ndodhura brenda Pashallëkut të Prizrenit nga 26 gushti 1866 deri më 6 mars l868 (Relazione sinottica su degli avvenimenti compiutisi entro del Pascialagio di Prizerendi dal 26 agosto 18sessantasei fino al giorno di 6 marzo 1868) Imzot Dario Buçarelli jep një varg të dhënash dhe dëshmish të rëndësishme të rrjedhës së jetës në Vilajetin e Prizrenit të periudhës përkatëse.

Rëndësia e shumëfishtë e këtij dorëshkrimi përligjet, përveç të tjerash, për tri fakte: I pari: janë të dhëna e dëshmi të pandërmjetme që vetë imzot Buçarelli i përjetoi në jetën dhe veprimin e tij të përditshëm si bari shpirtëror – argjipeshkëv i Argjipeshkvisë Shkup – Prizren; i dyti: në të, siç e thekson dhe vetë ai, “[…] gjithçka është e vërtetë, e vërteta e pastër…” dhe i treti: vepra është hartuar si libër për lexuesin “Pra, o lexues…”, po dhe relacion që barinjtë shpirtërorë ia dërgonin Propagandës Fide ose institucioneve përkatëse në Romë. Libri jep dhe një lloj modeli sesi rrodhën shumë ngjarje dhe si u zbatuan mënyra të ndryshme për ndërrimin e besimit të arbëroreve nga koha e rënies së Arbërisë nën sundimin otoman. Këtë e përligjin mirëfilli dhe të dhënat dhe dëshmitë e dokumenteve të Kuvendit të Arbënit të vitit 1703[6].

Buçarelli që në fillim të dorëshkrimit i përmend arsyet pse i kishte hyrë hartimit të tij: “Qëllimi për të cilin iu vu punës D. B. M. O; (Dario Bucciarelli, Minor Osservante), që të shkruante këtë tregim që po paraqesim, ishte vetëm që t’u linte pasardhësve një shënim të shkurtër që të mund të kuptojnë se çfarë është toleranca dhe cila është siguria (e që thuhet se ekzistojnë në këto lagje dhe mëhalla), se cila është besnikëria e cila është drejtësia; se çfarë lloj moderimi dhe mungesë interesi kanë ushtruar dhe ushtrojnë mbi popujt qeveritarët e ndryshëm, të cilët e drejtuan Provincën e Prizrenit, duke filluar nga data 26 gusht 1866 deri me datën 6 mars të vitit 1868. Juve, o pasardhës, ju takon që të nxirrni përfundimet e natyrshme, që për motive të drejta, ai që shkruan, besoi se duhej t’i hidhte në letër për ju”.

Në dorëshkrim Buçarelli përdor disa lloje të dhënash e dëshmish: ato që i ka parë dhe i ka përjetuar vetë në jetën e përditshme si bari shpirtëror, të dhëna nga letrat e tij dërguar institucioneve dhe individëve, letrat që ia kanë dërguar të tjerët, sidomos diplomatët, dokumente konkrete e dëshmi të besimtarëve e të qytetarëve të rëndomtë. Ai synon të dëshmojë se “[…] jo nga forca e së drejtës, por nga e drejta e forcës” duhet ta mbështete punën e vet qeveria dhe qeveritari dhe të kujdesën për qytetarët, pa marrë parasysh shtresën, besimin dhe prejardhjen.

Veprimin në jetë, po dhe hartimin e dorëshkrimit rreth ngjarjeve në Pashallëkun e Prizrenit në vitet 1866 – 1868, Buçarelli e mbështeti në parimin e varfërisë së kryqit. Dhe kjo përligjet jo vetëm në punën konkrete si argjipeshkëv, në takimet me personalitete e me qeveritarë të lartë ose diplomatë, sidomos në takimet me krye qeveritarin, Nazif Pashain, po dhe përmes dokumenteve dhe letrave që shkroi, si dhe ndërhyrjeve të shumta që i bëri tek institucionet diplomatike në Prizren, në Shkodër e në Stamboll. Në këtë mënyrë ai e dëshmoi atë që thoshte Shën Pali në Letrën drejtuar galeatëve: “[…] vdiqa për Ligjin që të jetoj për Hyjin; u kryqëzova bashkë me Krishtin, jetoj, por jo unë, në mua jeton Krishti. E këtë jetë që tani e jetoj në trup, e jetoj në fenë e Birit të Hyjit, i cili më deshi dhe e flijoi vetveten për mua” (Gal 2, 19 – 20) ose “Ushqimi im është / të zbatoj vullnetin e atij që më dërgoi, / ta kryej veprën e tij” (Gjn 4, 34).

Buçarelli bëri përpjekje të ndryshme për t’i afruar shqiptarët e dy besimeve të Vilajetit të Prizrenit, sidomos në qytetin e Prizrenit, të Gjakovës e të Pejës, po dhe në fshatra, ku ata jetonin së bashku. Në mënyrë të veçantë u zotua për të penguar thellimin e përçarjes mes tyre, që e nxitnin në forma të ndryshme përfaqësuesit e qeverisë dhe forca të tjera, si Kisha ortodokse dhe dora e zezë brenda saj. Argjipeshkvi nuk kurseu asgjë për ta hequr dhe zhbirë nga mendja e shqiptarëve myslimanë sidomos idenë se “Duhet të zhduket çdo i krishterë katolikë”, siç e përhapnin dhe e zbatonin disa kaçakë e grupe të caktuara. Në këtë rrjedhë ai synoi ta depërtojë dhe ta zbërthejë këtë qëndrim shumëfishë të dëmshëm, këtë ngarkesë shpirtërore, që jo rrallë te disa ishte shndërruar në urrejtje dhe tërbim kundër vëllezërve të gjakut e të gjuhës së tyre.

Punën e frytshme dhe fisnike, këmbëngulësinë për të qitur në dritë të vërtetën dhe të drejtën e qytetarëve, qëndresën dinjitare si prijës i të krishterëve katolikë në Vilajetin e Prizrenit, e përqendroi ta përhapë në çdo veprim dhe tek çdo besimtarë frymën e durimit e të përballimit të vuajtjes (Vuajtjet e bëjnë virtytin), të mirësisë e të mirëkuptimit, të paqes e të vëllazërimit midis njerëzve me fe të ndryshme, edhe midis qytetarëve të rëndomtë, t’i vetëdijesojë ata se duhet të përfillen dhe të nderohen ligjet e Perandorisë.

Këtë e ndriçojnë një varg letrash që ua nisi qeverisë dhe institucioneve të ndryshme; e provojnë dhe fjalët e ambasadorit austriak në Stamboll, në letrën e 8 shtator të vitit 1867, ku ai i bën të ditur argjipeshkvit për letrën shkruar Aqif Beut, për ndjenjat fisnike, përkushtimin njëmend apostolik të Buçarellit. Sipas ambasadorit të përmendur, argjipeshkvi ishte një dëshmi e shkëlqyer e mbështetjes së fuqishme që të krishterët e atyre anëve gjejnë te madhëria juaj […] Kthimi i madhërisë suaj në Dioqezë është pritur prej katolikëve me brohorima, me atë ndjenjë kënaqësie shpirtërore që ngjall tek njerëzit e pafuqishëm prania e kryetarit të shumëdashur dhe mbrojtësit të tyre të natyrshëm.

Me faktet që sjell, me mënyrën e vlerësimit, të ballafaqimit e të analizimit të dukurive, edhe kur ato ndodhin në rrethana të parëndomta, Buçarelli dëshmon se ishte njohës i mirëfilltë i rrethanave politike dhe fetare; e përcillte me vëmendje të shtuar gjendjen për arsye se ajo shprehej pandërmjetësisht në punën shpirtërore, të Ipeshkvisë dhe të besimtarëve të tij. Ai ishte i bindur se të gjitha të këqijat që i përjetonin banorët e Vilajetit, sidomos të krishterët katolikë, që pësonin dhe vuanin, siç thuhet “si gjarpri nën gur”, vjedhja e pasurisë, shfrytëzimet e ndryshme, burgimet, shpërnguljet etj., vinin nga qeveritarët, nga puthadorët e Nazif Pashait. Atë që ata e bën keq, të gjitha ua ngarkonin të tjerëve, siç thuhet në dorëshkrim: “[…] ai që e kishte shpikur, në atë çast që po e krijonte, gjendej para pasqyrës, ku po shikonte portretin e tij të vërtetë”.

Kur njeriu i parë i Vilajetit, Nazif Pashai, kërkon që argjipeshkvi t’i nënshtrohej kërkesës së tij që mirditorja, Maria, t’i dorëzohej atij pa kushte, i bën të ditur se përkushtimi i tij Hyjit dhe misioni i tij i shenjtë bëjnë që ai më parë ta flijonte jetën se sa të vepronte në dëm të besimtares së vet: “Ta dini, pra, shkëlqesia e juaj, se unë jam mësuar të fle me dyshek për tokë, në dysheme, direkt, e në kashtë. Me pullaz mbi kokë e në qiell të hapur, sikurse më ndodhi në udhëtimin e fundit(2). Deri tani mund të them se kam qenë pa banesë. Bamirësit e devotshëm më ndihmuan që të ndërtoj këtë shtëpi. Si në të kaluarën, edhe në ardhmen, mund të rri pa të. Ta dini se, meqë unë kam lënë nënën e babanë, vëllezërit motrat e të afërmit, shtëpinë, pasurinë e gjithçka, miqtë e atë që është më i shtrenjtë, atdheun, vullnetarisht, pa asnjë shtrëngesë në botë, kështu që mund ta kuptoni mirë se të jetoj apo të vdes është e njëjta gjë për mua. Përkundrazi, dashtë qielli që të bëjë që unë ta lë jetën e kësaj toke në shërbim të besimit të shenjtë”.

Argjipeshkëv Buçarelli jep të dhëna për pësimet e qytetarëve, sidomos të krishterëve katolikë, që jetonin në një gjendje të rëndë; kur i kundërshtonin përfaqësuesit e qeverisë, i përndiqnin, i keqtrajtonin dhe i burgosnin: “Mes pyjeve, aty këtu, të shpërndarë, gjendeshin të krishterët e shikonin prej aty të shkrumboheshin nga flakët shtëpitë e tyre, ndërsa shikonin se gruri, drithërat, elbi, sana u merreshin, ndërsa ata nuk kishin as edhe një copë bukë, nuk kishin ku të mbroheshin nga i ftohti, ata vetë dhe bagëtitë që kishin me vete e që u ngordhnin para syve, nga uria. Ndërkohë që […] rrobat, që duar grabitqare, me ndihmën e ortodoksëve, i merrnin e i çonin në shtëpitë e tyre.

Rebelët dhe keqbërësit shfrynin mllefin dhe egërsinë e tyre të paparë ndaj katolikëve“Burgjet ishin të mbushura plot me njerëz, kryesisht me të krishterë […]Pa paguar para, nuk e nxirrte nga burgjet askënd dhe prej kësaj rridhte një neveri e madhe […]

Disa qytetarë paqësorë e të ndershëm, që e donin paqen dhe qetësinë, me mënyra të sjellshme, nuk mungonin që t’ia tregonin këto fakte qeveritarit Nazif Pashait (njeri i ulët, ambicioz, lakmitar për para dhe mik i askujt, përveçse disa lajkatuesve të tij dhe bashkëpunëtorëve, deri kur kishte nevojë për ta) si dhe situatën kritike të provincës dhe gjendjen shpirtërore që kishte popullsia, ndaj të cilës ishte shkaktuar një acarim dhe zemërim. Dhe padrejtësitë që bëheshin nga mudirë të ndryshëm, nga nëpunësit e qeverisë dhe nga abuzimi me pushtetin […] popullsia njihte fakte të neveritshme dhe acaruese: por ishte si t’i laje kokën gomarit”dhe “Hajdutë, cuba, grabitës dhe vrasës në popull, arrogancë dhe prepotencë mbi të dobëtin, nga të mëdhenj e të pasur – palë politike e bashkime fisesh armike mes tyre me baza tradicionale, që ishin afirmuar kështu me kohë, lidhje private, hakmarrje, ndikime, manipulime, ngatërresa të duarve të fshehta, nga ana e ndonjë fuqie të huaj, përplasje të vazhdueshme të qeverive pan-sllave, pakujdesi dhe veprime me mungesë takti, si dhe mos kujdes në rregulloret dhe normat juridike sovrane të çdo rangu, në çdo forcë për të mposhtur çdo lloj shkaku të kësaj natyre. Duhet thënë se një ndër shkaqet e të këqijave është ryshfeti, ja e gjitha: ja kuadri që tregon se ku gjendet kjo provincë”.

Përmes rrëfimit të menduar dhe përmes përshkrimit në hollësi të dukurive dhe të ngjarjeve, argjipeshkvi i zbërthen thellësisht shkaqet pse mbretëronte një gjendje e tillë në Vilajetin e Prizrenit dhe se shkaktare kryesore për këtë gjendje ishte qeveria vendore e jo ligjet e Perandorisë, të drejtuar nga Sulltani: “[…] prisni të mirën nga këta lloj njerëzish e personazhesh? Prisni nga ata zgjidhjen e problemeve dhe largimin e të këqijave, që e pikëllojnë aq shumë provincën e Prizrenit, e cila është plot me shfrytëzim, me grabitje, me abuzime, me futjen e duarve misterioze, që minojnë lirisht qeverinë e Sulltanit të madh? Ai, kuptohet, nuk i do këto gjëra, dhe urdhrat që i jep, janë të tjerë, por tradhtohet nga të tijtë, të cilët kërkojnë të angazhojnë vetveten e të mos i drejtojnë popujt sipas dispozitave të drejta që jep qeveria perandorake. Pa hezitim duhet thënë se ky lloj i njerëzve, po të krahasohet me duart misterioze, janë më fajtorë, më të dëmshëm, më të pafytyrë”.

Buçarelli ishte i vetëdijshëm se rebelët dhe keqbërësit ishin dora e djathtë e qeverisë, siç ishte dhe vetë Kisha ortodokse serbe.

Për t’i konkretizuar të dhënat dhe dëshmitë që i ka përjetuar vetë, për të përligjur se qeveria e Nazif Pashait ishte me “qeveritarë çnjerëzorë”, argjipeshkvi sjell dhe dokumente që e përforcojnë atë që shkruan. Në këtë rrjedhë ai përmend dokumentin e 10 gushtit të vitit 1867, nënshkruar nga N. N., ku thuhet: “Filloi stuhia në fshatrat, duke djegur gjithçka që u dilte para. Aq shumë u trash e keqja, saqë me zor i detyronin të krishterët që të mohonin besimin e tyre, ose do t’u merreshin të gjitha pronat e gjëja tyre, e i kërcënuan se do t’i vrisnin e do t’ju merrnin edhe jetën, e kështu, shumë veta, të detyruar nga dhuna dhe forca, që të mos e humbisnin jetën, pasuritë dhe pronat, si dhe nderin, qenë të detyruar që të nënshtroheshin ndaj peshës së rëndë me të cilën po i ngarkonin. Kush mund t’i tregojë dëmet që iu shkaktuan të krishterëve, ndërsa nga 240 shtëpi nuk gjendej më asnjë që të mund të thoshe se nuk ishte dëmtuar?”

Duhet përmendur këtu dhe përgjigjen e ambasadorit austriak në Stamboll, ku përligjet gjendja e vështirë, sidomos për të krishterët katolikë të Vilajetit: “Lexuesi, duke pasur parasysh përmbajtjen e kësaj letre të sipër cituar dhe të dy të tjerave të argjipeshkvit, mund të kuptojë shumë mirë rëndësinë se cilët ishin faktet që po ndodhnin në këtë provincë dhe tërësinë e punës së kryengritësve për t’i fshehur këto, të shtypte ata që ishin vullnetmirët dhe të zgjasnin situatën e anarkisë e të krimeve. Gjendja e mjerueshme, po të shihet edhe vetëm në aspektin politik, është e tmerrshme. Për të krishterët e shkretë në aspektin edhe religjioz, sikurse edhe me pamje të parë dallohet se çfarë qëllimesh tepër të mira dhe parime të mençura gjenden në urdhrat dhënë nga qeveria e Sulltanit të madh […] Paanësia dhe drejtësia e qeverisë perandorake, e cila tradhtohet në shumicën e rasteve nga vetë nëpunësit e saj”.

Në kapitullin XCIV dhe (më pak) në atë XCV të dorëshkrimit Buçarelli jep dhe disa të dhëna për gjakmarrjen dhe mënyrën e rënies në gjak dhe marrjen e gjakut në Vilajetin e Prizrenit si dhe përpjekjet për pajtimin e gjaqeve. Kështu, bën të ditur se ishte formuar dhe një këshill i veçantë që duhet të merrej me këtë punë. Edhe pse dukuria ishte e ndieshme dhe e vështirë, mësohet se, fjala vjen, në bajrakun e Hasit ishin pajtuar gjashtë gjaqe. Argjipeshkvi e çmonte të vlefshme nismën për pajtimin e gjaqeve, ku një ndihmë të madhe jepnin dhe priftërinjtë dhe misionarët katolikë. Buçarelli bën të ditur edhe për fermanin për gjakmarrjen të dt. 6 mars 1863, të shpallur nga sulltani Abdul Aziz Khan dhe masat e rrepta që parashihte për ata që nuk do t’i nderonin.

Në gjithë gjendjen e ferrtë të gjallimit në Vilajetin e Prizrenit, argjipeshkvi shënon dhe veprime të drejta, njerëz të denjë për çdo nderim, shpirtmirë dhe paqedashës, qoftë nga radhët e shqiptarëve të besimit mysliman (që kishin ndërruar fenë) si, fjala vjen, Bajram Rrustemi, qoftë nga qeveritarët që vinin nga Stambolli. Kështu, argjipeshkvi veçon gjeneralin Mahmund Hamdi Pashain, njeri me mendjemprehtësi të madhe, inteligjent, plot me mirësjellje, i cili ka dhënë prova për aftësinë e tij ushtarake në misione të ndryshme. Ai bënte gjithçka që të vendosej rendi dhe qetësia, popujt me besime e kultura të ndryshme të Vilajetit të jetojnë në harmoni dhe në mirëkuptim të ndërsjellë.

²

Në mbyllje të kësaj parathënie më duhet të them se ndjej një kënaqësi të madhe që ky dorëshkrim i Imzot Buçarellit po botohet në gjuhën shqipe. Për këtë meritën kryesore e kanë i ndjeri dom GJERGJ GJERGJI GASHI, i cili ma kishte besuar dorëshkrimin italisht të hedhur në letër, dhe prof. MARK PALNIKAJ, i cili, i nxitur nga ai dorëshkrim, e gjeti origjinalin në Arkivin e Propagandës Fide në Romë, e krahasoi – e verifikoi me tekstin e daktilografuar, e përktheu në shqip dhe si i tillë po i paraqitet lexuesit tonë. Me këtë po përmbushet edhe amaneti i don Gjergj Gjergjit Gashit: të botohej ky dorëshkrim për shumëçka i rëndësishëm.

Prishtinë, janar 2023

[1]Domenikanët largohën nga skena fetare shqiptare nga gjysma e shekullit XIII. Shih P. Vinçenc Malaj, Kuvendi i Arbënit 1703. Përshtatjen në gegnisht dhe parathânjen Prof. Dr. Anton Nikë Berisha. Përktheu nga italishtja Prof. Tonin Zadeja. Misioni françeskan, Tuz, 2017, f. 106.

[2]Shih Kolë Ashta, Kuvendi i Matit dhe Formula e pagëzimit. Në “Formula e pagëzimit” (Kumtesa dhe artikuj). Muzeu kombëtar, Tiranë 2008, f. 150.

Rreth rëndësisë së veprimtarisë së benediktinëve dhe të domenikanëve në botën shqiptare, dom Nosh Gjolaj thotë se po të mos kishin veprue ndër vendet tona meshtarët e dy urdhnave, benediktinët dhe domenikanët, sot ndoshta nuk do të kishte ekzistue gjuha shqipe dhe as shqiptarët, sepse ata do të ishin sllav ose grek. Po të mos kishin veprue meshtarët e dy urdhnave të tjerë, françeskanët dhe jezuitët, sot nuk kishin me ekzistue shqiptarët katolikë, as kultura që krijuen dhe përmes së cilës ata bânë ndikim. Shih më gjerësisht në Zef Pergega, Drita e françeskanve në Malsinë e Madhe. Vështrim fetar, letrar – artistik dhe sociologjik – psikologjik. Parathânjen Prof. Dr. Anton Nikë Berisha, Misioni françeskan, Tuz 2015, f. 147.

[3]Atë Malaj i veçon disa nga vatrat – qendrat më të përmendurat si, p.sh., atë të Shën Salvatorit në Tivar dhe në Ratacmidids Tivarit dhe Sutomores (Shën Marisë), manastirin e përmendun të Shën Sergjit dhe Shën Bakut (në Shirq) pranë Bunës midis Ulqinit e Shkodrës, të Shën Kollit të Drinit në fushën e Shtojitrrâzë Maranajt, Shën Prendes afër Krujës, Shën Lleshit ‘supramentem Merditarum’ dhe Shën Palit të Miditasve etj.” Shih P. Vinçenc Malaj, Kuvendi i Arbënit 1703, vep. e përm., f. 105.

[4] Shih më gjerësisht Atë Marin Sirdani, Françeskanët në Shqypní dhe shqiptarët katolikë në lamë t’atdhetarís.“Shpresa” – Kuvendi Salezian, Prishtinë 2002; shih dhe Zef Pergega, Drita e françeskanve në Malsinë e Madhe, vep. e përm., Misioni françeskan, Tuz 2015 dhe punimin tim Qenësi dhe veçanti të shkrimtarëve tanë françeskanë. Në “Fjala hyjnore”. Revistë për kulturë religjioze, nr. 1, Prishtinë 2009, f. 85 – 101 dhe në veprën time Larmi vëzhgimesh letrare. “Faik Konica”, Prishtinë 2012, f. 46 – 73.

[5]Gjatë viteve 1860-1864 Dario Buçarelli ishte ipeshkëv i Pultit. Një vit pas ardhjes së tij në Argjipeshkvi në Shkup – Prizren e filloi aksionin e grumbullimit të mjeteve dhe ndihmave dhe të projekteve për ndërtimin e Kishës së Prizrenit, për arsye se kisha e atëhershme ishte e vogël dhe nuk i plotësonte si duhet kushtet për shërbimet kishtare. Ajo u ndërtua edhe me ndikimin dhe pagesën e Perandorisë Austro-Hungareze.

Buçarelli ndër të tjera ishte pjesëmarrës i Koncilit të parë të Vatikanit (1869-1870)si dhe i Kuvendit të dytë të Arbnit (1871).

Përveç punës baritore u mor edhe me shkrime dhe studime. Ka botuar edhe dy vepra: Grammatica dellalingua albanese (Gramatika e gjuhës shqipe, 1858) dhe Udha e Kryqit (1862) dhe Cenni su dell’esigilodei Cristiani Zernagoresi (Të dhëna për mërgimin e të krishterëve të Malit të Zi të Shkupit), ku jepen fakte të rëndësishme për përndjekjen e shqiptarëve katolikë të Kryeipeshkvisë Shkup – Prizren nga pushtuesi otoman.

Ai punoi dhe në përgatitjen e Lidhjes së Prizrenit, si dhe në shumë veprimtari të tjera kulturore, shpirtërore dhe kombëtare.

Vdiq në Prizren më 1 gusht 1878.

[6] Shih më gjerësisht Kuvendi i Arbënit 1703. Përktheu nga latinishtja don Engjëll Radoja. Përshtati në gjuhën e sotme Anton Nikë Berisha. Shpresa, Prishtinë 2003.