Të qëndrosh brenda një heshtjeje për pak kohë…Valbona Pasha Kordha


Valbona Pasha Kordha

Të qëndrosh brenda një heshtjeje për pak kohë me veten tënde është bukur, duke kthyer arkivat e jetës gjithmonë bënë diçka të këndshme, sepse rikujton dhe sistemon ato, për të mbetur përherë e freskët gjithçka.

&

Të shkruash nuk është gjithmonë e lehtë, por të provojmë është të kërkojmë sfida për ti fituar ato.

Edhe ai që shkruan ngacmohet nga e njëjta fushëpamje që ka përpara sysh, universin, gjithçka që memorizon, abstrakten me realen, të prekurën me të paprekurën e gjithçka tjetër që të jep aftësinë e të konceptuarit si hapja e një parashute, pra funksionon kështu çlirimi i një mendimi dhe nisjes së vetes për diku..

Ndoshta gjithçkaje që tymon, grindet nga një hutim i animuar brenda shpirtit, kërkon të dalë artistikisht në paqe me botën jashtë si lundërtari shëtitës, ishullit të tij,përtej detit tallazuar.

Kur nis të shkruaj zhytem në meditim të thellë duke imagjinuar para meje tempullin e madh të artit të të shkruarit, gjendem si një fosile brenda këtij orakulli, nis të sjellë botën që bënë “luftë” brenda memories time, e cila i ngjan një burimi që gjithmonë fryhet e rrjedh duke zgjeruar degët e saj si një sistem kapilaresh.

Jo çdo kush që shkruan lufton për ego, gjithkush mundohet të bjerë gjithësinë në një mënyrë të përshtatshme me botën e tij.

Arratiset, ikën për të krijuar një trup arti ku përherë pamja që jep ka këmbët e veta, aty qëndron në personifikim të dorëshkrimit.

E gjithë e bukura kjo është, një tablo ku të gjitha ngjyrat e jetës të prehen jashtë një abstraksioni.

Çlirimi i botës së brendashme gjatë aktit të shkruarit i përngjan daljes së ylberit dhe ngritjes së reve për një botë të qetë brenda vetes. Në fund qënia provon se është dialektike dhe ndryshimin e vet e jep me progresin e koncepteve në vazhdueshmërine e transparencës së saj publikisht. Duket sikur vërtetojmë Zhan Pol Sartrin i cili e sheh njeriun si një qenie që projekton vetë ekzistencën e tij në një liri të plotë.