Timo Mërkuri-Gjyshja e Niko Kacalidhës…dhe e jona


Nga Timo Mërkuri

Në krijimtarinë poetike të Niko Kacalidhës duhet të kërkosh gjithmon një lidhje organike të poezisë me jetënn e autorit, për ta kuptuar atë. Niko Kacalidha banon në tokë por jeton në planetin e poezisë, kjo duket se poezitë e tij kanë një frymëzim sa hyjnor aq edhe jashtë kësaj bote edhe kur temat i kanë tepër tokësore.

I- Leximi i poezisë “Fle perëndesha e urtisë” (f. 107) të krijon një pështjellim të vrullshëm ndjenjash e mendimesh qysh në vargun e parë, ku të huton me mënyrën e gjetur dhe përmasat hyjnore që i jep njeriut dhe çastit të një dremitjeje prag gjumi pranë vatrës. Në këtë poezi ka skicuar poetikisht një moment “dremitjeje” të gjyshes pranë vatrës. Në fëmininë tonë shumë rrallë mund t’i kemi parë gjyshet (apo dhe nënat) tona të dremitin pranë vatrës, të lodhura nga punët e ditës, ndaj na ishte krijuar përshtypja se ato jetonin gjithnjë zgjuar. Niko Kacalidha ka fiksuar dhe na e jep poetikisht këtë moment, por ajo që ka rëndësi është se personit (gjyshes) i jep përmasa hyjnore dhe përmasa universale poezisë, pavarësisht nga tema familjare e saj.

Qysh në nisje themi se përshkrimi i çastit dremitës të gjyshes “në buduarin e mbrëmjes”, me nipërit flokëtulipantë që flenë në prehërin e saj ungjillor, mbështjellë me një përparëse, me një buzëqeshje fëmije, na jep përfytyrimin e perëndeshës Gea[1], perëndesha e Tokës dhe e Gjithësisë, që njihet si nëna e jetës mbi tokë, madje dhe në statujë paraqitet e ulur dhe me dy fëmijë në prehër. Është normale që gjyshen të dremitë në vatrën e shtëpisë, të cilësuar poetikisht si “buduari i mbrëmjes”, por fakti që ajo dremit me dy-tri nipër në prehër i jep një pamje hyjnore, që e përafron me Gea-n e lashtësisë, madje edhe me Shën Mërisë me Krishtin fëmijë në duar. Këtë ka shfrytëzuar poeti ku qysh në vargun e parë e cilëson “perëndesha e urtisë”.

Është i saktë cilësimi “perëndesha e urtisë”, jo vetëm poetikisht, pasi gjyshet për fëmijët kanë qënë shëmbëlltyrë e “urtësisë”. Ato asnjëherë nuk i kanë goditur fëmijët, qoftë dhe lehtazi për rrëmujën e tyre, asnjëherë nuk u kanë bërtitur me zemërim për mosvëmëndjen fëminore ndaj këshillave të tyre. Gjyshet gjithmon i kanë trajtuar fëmijët si engjëj dhe ajo për ta ka qënë perëndesha që i dinte dhe i parathoshte të gjitha si “të urtët” e Dodonës dhe të “thinjurit” e Delfit dhe i donte të gjithë fëmijët. Le ta lexojmë këtë poezi:

Fle perëndesha e urtisë

Fle perëndesha e urtisë në buduarin e mbrëmjes.

Flokëtulipantë flenë nipërit në prehër ungjillorë.

Mbështjellë në përparëse, me buzëqeshje habie.

Fle perëndesha e urtisë, fle fatthëna e Dodonës.

Fle orakulli i thinjur i Delfit dhe druri profetik

shkund gjethet e fatthënave, butë, paqësisht, në

qerpikun e harkuar të bijve, bie zilja mesnatës.

Bota ka halle, ndruhet të lëvizë, mos i zgjohen

shenjtorët e pafajshëm nga prehri i Shën Mërisë.

Kërcet frigoriferi e tkurret se periferia e aureoles

së saj është në gjumin e parë, zgjohem për udhë,

në zemër të erërave, buzë honesh dhe rrëpirash,

majë gishtërinjve mos më zgjohet perëndesha e

urtisë e para ikjes, duke puthur fëmijët në ballë,

dua t’i lëmoj dhe asaj flokët se është gjyshja ime.f.107

fle fatthëna e Dodonës. /Fle orakulli i thinjur i Delfit” shkruan poeti dhe ne i pranojmë si plotësisht të sakta e të merituara këto cilësime, jo pse janë figura të goditura poetikisht, por sepse me leximin e tyre ne na u kujtuan fjalët “profetike” të gjysheve shprehur në formën e këshillave.

Hyjnizimi i portretit të gjyshes nga çdo fëmijë është tepër i natyrshëm, por poeti e hyjnizon poetikisht, sa që ne nuk habitemi që e barazon me Gea-n apo Shën Mërinë, kaq e natyrëshme na duket. Kemi thënë se poeti Niko Kacalidha ka në natyrën e tij poetike të ngrejë njerëzit në tempullin hyjnor dhe jo të zbresë zotat në tokë. Është pikërisht ky hyjnizim i njerëzve që e bën poezinë e tij të jetë tipike, e veçantë.

II-Në strofën e parë, të dytë dhe të tretë poeti na paraqet aureolën hyjnore të gjyshes, ndërsa në strofën e katërt poezia bëhet “tokësore”, pasi flet njeriu për gjyshen me vargjet:

zgjohem për udhë,

në zemër të erërave, buzë honesh dhe rrëpirash,

majë gishtërinjve mos më zgjohet perëndesha e

urtisë e para ikjes, duke puthur fëmijët në ballë,

dua t’i lëmoj dhe asaj flokët se është gjyshja ime.

Kuptojmë se këto vargje pasqyrojnë realitetin e përditshëm jetësor të poetit, zgjimi i tij herët, lëvizja në majë të gishtave nëpër dhomë që të mos zgjonte fëmijët dhe gjyshen, puthja e fëmijëve para se të udhëtonte dy orë për në punë “buzë honesh dhe rrëpirash”, dhe natyrshëm, ndërsa puth fëmijët e tij që flenë në prehërin e gjyshes, i lind dëshira që ti lëmojë dhe asaj flokët para nisjes për në punë.

Kjo përkëdhelje e flokëve gjyshes së tij, ndërsa është njerëzore si veprim, ka diçka nga rituali i puthjes së ikonave në kishë, si gjest mirënjo-hjeje dhe falnderimi për ndihmën që na ka dhënë shenjti i ikonës apo besimin që na ka forcuar. Në rastin tonë, gjyshja e riti Niko Kacalidhën dhe tani i rit edhe fëmijët me po ato përralla dhe këngë dhe natyrshëm ai ndjen mirënjohje për të dhe dhimshuri, aq më tepër që tani e sheh që është e plakur. Po ashtu gjesti i përkëdheljes së flokëve të gjyshes së përgjumur i ngjason ritit kishtar të prekjes me dorë të ikonave të vendosura diku lart në kishë, duke marrë me këtë prekje bekimin, uratën e shenjtit.

Ka dhe një arsye tjetër personale, poezia është botuar në vëllimin poetik “Profecitë e drurëve”(Dritëro 1998) dhe është krijim i viteve ’90 ndërkohë që gjyshja e poetit “iku” në maj 1993, në moshën 90 vjeçare dhe pikërisht në kohën e ikjes së saj Niko Kacalidha shkruan poezinë “Ma morri gjyshen maji”, që është botuar në vëllimin “Profecitë e drurëve”, përfshirë te “Heraldikët e borës” në fq 191, pra këto dy poezi kanë të përbashkët diçka më shumë se personin e gjyshes, ka poetin në rraport me gjyshen, tashmë në pleqërinë e vonë dhe me subkoshiencën e tij.

III-Rasti i përkëdheljes së flokëve të gjyshes nga ana e poetit, na krijon emocione të fuqishme sepse kuptojmë që këto vargje nuk tregojnë thjeshtë një dhimshuri nipi për gjyshen e tij, por tregojnë më shumë “frikën” e tij, për ikjen e saj, për humbjen e një bote magjike, ku ai jetoi dhe u rit, botë që së shpejti do tu mungojë fëmijëve të tij. Për ta kuptuar këtë duhet lexuar medoemos poezia “Ma mori gjyshen maji”.

Ma mori gjyshen maji

(Do të më kishte ngritur një korb

prej hunde, po të mos më shpëtonte

gjyshja me perin e përrallës.)

Ma mori gjyshen maji dhe s’arrita t’i çoja

pakon e kafesë për llogari të majit.

Xhezveja boshe e heshtur varur në gozhdën

e dhimbjes. Filxhani i përmbysur i fatit me

mijëra udhë të pathëna.

Ma mori gjyshen maji dhe i preu kostumin

e kumbullës se s’ donte ta çonte me shaminë

e tretur të zezonës.

Ma mori gjyshen maji në shtegun e drurëve.

As me kafe s’e ngopa fisnikërinë e rrudhjes.

Ma mori gjyshen maji në krahë edhe nuk e la

të ecte vetë se mos pikëllonte jaseminin.

Ma mori gjyshen maji si një pendë të lehtë

për të firmosur qiellin e: “Ku e kam nipin?

Prisni t’i marr leje Nikos”, i thoshte majit.

Qiriri i qiparisit në asterisin e mbrëmjes,

përnatë i ndezur për të brenda meje.

Është fryma e saj, puhiza që endet mbrëmjes,

në gjethnajën e drurëve përbri shtëpisë sime.

Leshnicë, maj 1993, Varrezat e Shën Thanasit fq. 191

Në një lexim të parë kjo poezi ngjan me poezinë “Vdekja e gjyshes[2]” e Fatos Arapit, por ndryshe nga bota fëminore e poezisë së Fatos Arapit, te poezia e Niko Kacalidhës, me përjashtim të nëntitullit fëminor: “(Do të më kishte ngritur një korb/prej hunde, po të mos më shpëtonte/gjyshja me perin e përrallës)” heroi i poezisë nuk është më një fëmijë që mahnitet pas përrallave të gjyshes, por ai është i ritur, i bërë burrë, që ndjen përgjegjësinë ndaj prindërve dhe gjyshërve.“Ma mori gjyshen maji dhe s’arrita t’i çoja/ pakon e kafesë për llogari të majit” psherëtin poeti i trishtuar që nuk mundi të realizonte këtë nevojë të domosdoshme për moshën e saj, , por duke treguar indirect dhe varfërinë e madhe të vendit, ku nuk gjeje dot një pako kafe për pleqtë. “Ma mori gjyshen maji në krahë edhe nuk e la /të ecte vetë se mos pikëllonte jaseminin” shkruan poeti dhe ne na mblidhet një gulç dënese në grykë, për të na krijuar një shfryrje dënese te vargu: : “Ku e kam nipin? /Prisni t’i marr leje Nikos”, i thoshte majit”.

Përtej vlerave poetike të kësaj poezie, në ‘të mbizotëron dhimbja e heroit për ikjen e gjyshes, pavarësisht se e shprehur me art poetik. Të njëjtën gjë do të thoshnim edhe për poezinë “E drejta njerëzore për të dashur babanë” (f.105) ndërkohë që poezia “Fle perëndesha e urtisë” qëndron e palëvizëshme në vlerat dhe vlerësimin e saj, si ylli polar që nuk lëviz, duke na treguar se Niko Kacalidha është mjeshtër i paraqitjes të përmasave hyjnore që i jep njeriut të thjeshtë në poezinë e tij. Këto nuk janë poezi kujtimi, poezia nuk të lë të ruash kujtime. Poezia ka vetinë që ti formësojë çastin në vargje, të cilat e ruajnë atë (kujtimin) si një lule përherë të freskët e plot aromë. Është kjo arsyeja që leximi i poezive të tilla pas disa kohësh autorin e drithërojnë shpirtërisht ndërsa ne na emocionojnë me vlerat artistike dhe stilin e tyre gjithmon të ri e të freskët.

Sarandë, më 03.01.2023

[1] Gea (greqisht: [Γαῖα] perëndesha e tokës dhe Gjithësisë, që u krijua prej Kaosit fillestar. Ishte nëna e jetës në tokë. Fillimisht krijoi prej vetvetes qiellin e yllëzuar të Uranit, pastaj malet e larta e më pas detin e thellë dhe të gjerë në tokë. Është nëna e gjigandëve dhe titanëve, e Kronit etj. Parafytyrimet mbi perëndeshën Gea i kemi nga Iliada dhe Odisea e Homerit dhe Lindja e zotërave e Hesiodit. Statuja e Gea u zbulua në Durrës më 2 gusht 2003. Është në përmasa pak më të mëdha se natyralja dhe paraqet një grua të ulur në një fron, duke mbajtur dy fëmijë në prehër.

[2] Ja, edhe gjyshja né arkéz,/kukull e vogél né kartéz,/Eshté… dhe prapé s’éshté e téra/sikur nuk éshté si pérhera./Gjithé karfica, gjilpera/kapur satenet né koké/lidhur képuckat pérposh/shami e lule né gjoks/Mbyllur kapakét e syve/(ç’diej u shuan brenda tyre?)/E sheh …dhe té duket heshtja/pe gjasme e pe gjasme vdekja/../Gjyshja e vogél, e bukur/e pastér …/Né arkéz kukull./../Gjithé karfica, gjilpéra,/qepur vite té téra/lidhur kujtime e malle/dhembje, qé duken si pérrallé/../E sheh… dhe té duket heshtja/pe gjasme e pe gjasme vdekja. Fatos Arapi

Shiko statistikat

Mbulimi i postimit: 232

5Ti, Pozaet Qose, Kristo Çipa dhe 2 të tjerë