Tri veçori në prozën e Vasil Premçit-Nga Halil Rama–Mjeshtër i Madh


Për librin me novela dhe tregime “Dashuria fle në vesën e barit”

Tri veçori në prozën e Vasil Premçit

Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

Nga tërësia e lëndës mjaftë të pasur e të larmishme (me 30 novela e tregime) të librit me titullin intrigues “Dashuria fle në vesën e barit” të Vasil Premçit, dallojmë tri veçori të prozës të këtij autori të mirënjohur. Më konkretisht, këto veçori janë: Qasja artistike për ngjarjet e personazhet në koherencë me realitetin objektiv; konceptet filozofike për të bukurën dhe dashurinë si dhe përdorimi mjeshtëror i retrospektivës dhe sarkazmës. Kësisoj, V.Premëi, pasi ka befasuar lexuesin me monografinë studimore “Ah, ky Esenini!” dhe me vështrime letrare rreth krijimtarisë së disa prej krijuesve të letërsisë ruse “Flladi i berjozave”, befason sërish lexuesin me prozën e tij të llojit e stilit të veçantë në përmbledhjen e fundit “Dashuria fle në vesën e barit” që do të promovohet të shtunën, ora 11.00 në Bar-kafe “Stoa” pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës.
Është një prozë që të tërheq për subjektet interesante, për gjuhën e pasur e mjetet shprehëse krejt të veçanta dhe sidomos për përshkrimin brilnat të ngjarjeve e personazhe që veprojnë në to.
Dhe në të vërtetë, vetëm pasi lexova këtë vëllim u binda në vlerësimin e mikut tim Agron Sejamini – redaktor i librit, që Vasili është prozator i talentuar, por duhet ta lexosh se ndryshe nuk e çmon autorin!
Ndonëse libri të tërheq për ta lexuar me një frymë nga fillimi deri në fund, po e nis këtë kumtim pikërisht nga tregimi “Dashuria fle në vesën e barit”, që është edhe titull i librit. Këtu trilli artistik është një gërshetim i tri ngjarjeve brenda një harku kohor, ku në vetëdijen e poetit befasia konsiston në vështrimin nga afër të tipareve të bukura të fytyrës së Merit dhe, si të kishte vënë këmbët në tokë, i vetëtiu mendimi se, para tij nuk kishte një vajzë të zakonshme, por një krijesë të rrallë bukurie. Është kjo bukuri përrallore që e bën poetin ta krahasojë atë me Merin e vargjeve të Bërnsit te poezia “Meri Morison!”: “O Meri, do ti ta mundosh/ Atë që zbret për ty në varr?/ Dhe shpirt e zemër t’i coptosh/ Për fajin se të do me zjarr…”
Tek ky tregim ku autori përshkruan ndjenjat e një dashurie të zjarrtë për poeten me emrin Meri dhe flirtin me komshijen (gruan e oficerit) që lë gjurmët në vesën e barit, tek shkon të mbushë kovat me ujë në çezëmn e qytetit, ndeshim edhe konceptet filozofike të Vasil Premçit për dashurinë, i cili pasi çmendurisht shkon nëpër mend se të lindurit nga dashuria e parë nuk mund të ishin tjetër veçse poetë dhe artistë, filozofon mjeshtërisht se: “Vetëm vlaga e dashurisë së parë, ngjiz krijesa kaq të përsosura; njësoj si në një vend të rrallë, që brenda pak kilometrave mund të gjesh edhe dëborën e maleve alpine edhe florën ekzotike! Po çfarë është dashura e parë? Ajo ndjenjë e thellë që lind brënda nesh, që herë vegon si mëngjeset pranverore dhe na ngre në qiell, herë fshihet plot mister sëbashku me perëndimin e diellit?”.
Koncepte të tilla filozofike për të bukurën dhe dashurinë, si: “Bukuria është e vetmja fole e dashurisë”; “E bukura ndriçon çdo skutë te shpirtit” apo “Poetët duhet të ushqehen vetëm me bukuri për të krijuar poezi të bukura” i ndeshim në këtë libër në unison me retrospektivën që autori e përdor aq këndshëm, si në rastin kur i duhet të shkojë me një togë ushtarësh për të kryer çminimin në kufi dhe kur për gjithë togën e ushtarëve bëhet lajtmotiv poezia e Bërnsit “Meri Morison!”.
Konceptet filozofike të rralla për dashurinë si dhe përdorimin mjeshtërisht të retrospektivës i hasim edhe tek novela “Mos vdis Anita”, ku prozatori V.Premçi, mendjelehtësinë e vajzave të gjimnazit që mendojnë se me dy fjalë dashurie mund të lidhin me zinxhirë për jetë e mot zemrat e dy njerëzve, e sjell në vëmendjen e lexuesit me braktisjen e Anitës nga poeti Zigur Lënga, cili pas hartimit të tij plagjiaturë që bëri bujë në rrethet letrare të qytetit, por që s’kishte qenë tjetër veçse përmbajtja e romanit të shkrimtarit të shquar amerikan Ernest Heminguej, “The Old Man and the Sea”, (“Plaku dhe deti”) i përkthyer po atë vit në Shqipëri, jo vetëm që fitoi bursën për studimet e larta, por më pas ngjiti majat e pushtetit deri këshilltar i Presidentit.
Po ashtu, pas retrospektivës nga ngjarja e peshkatarit plak që pas disfatës bindet se “sikur të ishte bashkuar me shokët e kooperativës, peshku do të ishte tani në pjatat e njerëzve dhe ai do të ishte shpërblyer për mundin e tij”, ashtu si edhe për Anitën që dikur e kishte dashuruar marrëzisht, nëpërmjet fjalës artistike perifrazon tregimin e Zigur Lëngës, “Humbësi i vetmuar” se “Të vetmuarin e hanë edhe pulat!”.
Dhe në koherencë me realitetin objektiv, referuar Zigur Lëngës që ngjiti me radhë dhe qetësi shkallët e karrierës, autori dëshpërimisht pohon se “Me sa dukej, kishte përfunduar njëherë e përgjithmonë koha e njerëzve me zemër dhe talent. Koha e sotme u përkiste njerëzve praktikë, symprehtë e vigjilientë, të cilët nuk e lënë zogun t’u shpëtojë nga dora dhe që dinë një, dy apo më shumë gjuhë të huaja. Urra! Urra, pra, për kompiuterin, për anglishten, frëngjishten, rusishten, gjermanishten, hebraishten… ishten,…ishten,…ishten…”.
Ky realitet i trishtë përcillet nga autori edhe në tregimin “Këshilltari i ministrit”, kur ndërsa këtë të fundit e prezanton qoftë edhe në pyetjen pa përgjigje: “Ju lutem, a mund të më tregoni se për çfarë e këshilloni ju ministrin?”, sjell nëpërmend intervistën e një ministreje në mes të një rrebeshi shiu dhe erës, që ia ngrinte përpjetë cullufet e flokëve dhe pardesynë, të cilat zonja ministre përpiqej t’i mbante të puthitura pas trupit me duar ndërsa kërkonte të qetësonte popullin për masat që kishte marrë qeveria. “Në fillim e mëshirova dilentantizmin e saj, por pastaj ndjeva neveri për lojën teatrale që kishte organizuar. Në vend që të vinte vetullat, ministria po nxirrte sytë.
‘Ju bëj thirrje të gjithë shoferëve të mjeteve që lëvizin në autostrada, -tha ajo,- të lënë të lirë një korsi për mjetet e emergjencave dhe autombulancat mjekësore që do të transportojnë të plagosurit në spitalet e kryeqytetit””, shkruan autori (fq.135).
Dhe duke qenë vetvetja, si ish-oficer dhe ish – specialist i emergjencave civile në Ministrinë e Brendshme, autori argumenton se “Masat më të mira mbrojtëse janë ato që merren para ndodhisë fatkeqe”, pasi sipas tij, “Studimet tregojnë se një dollar i shpenzuar për masat mbrojtëse, kursen shtatë deri në dhjetë dollarë, që shpenzohen gjatë dhe pas ndodhisë fatkeqe”.
Subjekt interesant mbresëlënës kanë edhe tregimet “Zemra e nënës time”, “Frynin erera lufte”, “Hamdiu ha byrekë”, “Nga ditari i një mësuesi”,”Mbi dëborën e ngrirë”; “Kujtimet e një përkthyesi”, “Varri pranë qershisë”, “Mëzi i vogël i Eseninit”dhe “Roman tragjik në një faqe”.
Në këto tregime V.Premçi shpreh në nivelin më të lartë artistik dhe estetik tharmin e substancës metafizike ku ankthi ekzistencial është gjithçka. Kjo më e dukshme tek “Hamdiu ha byrekë”, ku autori, ndërsa shpreh shqetësimin e të zotit të shtëpisë për organizimin sa më mirë të dasmës së djalit, me një sarkazëm të thellë përshkruan profilin e dhëndër Hamdiut, i cili pasi rrëfen historinë e ushtarit që në mesnatë u ndërroi këmbën e këpucëve ushtarëve që flinin në të njejtën fjetore, “arratiset”, nga dasma dhe policia e gjen në një lokal duke ngrënë byrekë.
Të njejtën qasje letrare e ndeshim edhe të tregimi “Nga ditari i një mësuesi”, ku mësuesi i ri u rrëfen kolegëve ngjarjen me kryekëshilltarin e ri të fshatit, qorr e sakat, që pasi nuk i dha dot zgjidhje ngjarjes me të riun që për të shpëtuar nga shërbimi i detyruar ushtarak, hyp majë pemës dhe bën të çmendurin, detyrohet t’i kërkojë ndihmë pararadhësit të tij. Ndërsa tek “Roman tragjik në një faqe”, mjafton ta perifrazojmë atë për të kuptuar se tragjikja dhe komikja janë pranë njëra tjetrës: “Pas shumë vitesh në emigracion vëllai i madh kthehet në vendlindje. Në hyrje të fshatit takohet me vëllain e vogël që po e priste me padurim. -Sa shumë më ka marrë malli për të gjithë ju,- nisi të flasë vëllai i madh me lot në sy ndërsa përqafonte vëllain e vogël.-Si keni qenë me shëndet, vëllaçko? Vëllai i vogël, si u mendua një çast, zgjodhi t’ia thoshte vëllait të madh fatekqësitë që e kishin goditur familjen e tyre, me takt, dalngadalë dhe larg e larg. -Mirë kemi qenë, desh Zoti,-ia ktheu ai i menduar, – përveç qenit, Zabzunit. -Pse, çfarë pësoi Zabzuni i gjorë? -Ngordhi i shkreti gjatë dimrit që shkoi. -Si ngordhi kështu papritur, kur ai nuk ishte më shumë se pesë vjeç?! -Ke të drejtë, vëlla. Zabzuni nuk ishte më shumë se pesë P 182 vjeç, por ngordhi sepse hëngri mishin e kalit të ngordhur. -Pse, paska ngordhur edhe kali?! -Kali ngordhi sepse një natë dimri i ngarkuam mbi shpinë dërrasat për varrin e nënës. Duke ecur natën, rrëshqiti në një humnerë dhe kaq e pati. -Pu, pu, pu, çfarë po më dëgjojnë veshët vëlla! Paska vdekur edhe nëna? Pse nuk thua më mirë; ne qenkemi djegur fare! -Në të vërtetë zjarri që ra në shtëpinë tonë para disa ditësh e dogji brënda natës shtëpinë, por për fat të mirë zjarrfikësit mundën të shpëtojnë pa u djegur vetëm kaun dhe mëshqerrën.
Dhe jo vetën me këto tregime, por në gjithë lëndën e këtij vëllimi, Vasil Premçi arrin maksimumin e përcjelljes së mesazhit te lexuesit. Ia arrin qëllimit. Gjithçka në prozën e tij është funksionale dhe në shërbim të konstruktit të krijimit.