Universi i kërkimit!Boris Miska


Nga Boris Miska

Ai nuk besonte asnjëherë tek rastësia!

Atë pasdite ishte mbështetur në divan dhe po ndiqte pa ndonjë interes filmin që po e transmetonte një ndër kanalet publike. Ndjeu sinjalin e mesazhit në celularin që e kishte lënë pranë mbi tavolinën e vogël. Nuk përtoi menjëherë zgjati krahun dhe e mori telefonin në dorë edhe pse mund të ishte ndonjë nga ato mesazhet bezdisëse që shpesh dërgoheshin me simbole të gatshme.

Klikoi tek Messanger për ta parë se kush ishte në atë orë.

-Përshëndetje….!

Për një çast mbeti pa lëvizur, mbështetur mbi dy jastiqe me sytë e ngulura në profilin që sapo e kishte shkundur prej kumitjes së pasdrekës.

U ngrit befas në këmbë pa ia ndarë shikimin ekranit të celularit.

Ishte Elma, poetja që ai e kishte uruar parapak për ditëlindjen e saj.

Prej gati dy vitesh e kishin tërhequr poezitë e saj, kishin diçka që atij i dukej si e vetja, nganjëherë nuk arrinte ta kuptonte se kujt i adresoheshin ato vargje që jo rrallë të linin përshtypjen e  një personalizimi. Ia ndiqte përdite postimet dhe me sytë në fotot mundohej të lexonte pas rrjeshtave. Ndoshta gabohej kur në disa raste pati menduar se ato janë për dikë që nuk e ka më, i ka humbur, apo ndoshta është larguar dhe pas i ka lënë shpirtin e vrarë.

Në krijime të tjera poezia paraqitej si eksploruese, endej në hapsirë pa u ndalur askund, dërgonte mesazhe afër e në distancë të pacaktuar. Poezia edhe pse e shkurtër kishte mendim dhe në jo pak raste hidhej përtej detit a oqeanit, dukej sikur kërkonte, endej si brengë e mall.

Këtë ja thonin edhe fotot e saj, pothuaj të gjitha me buzët e bashkuara, asnjë me qeshje, shpesh ato ishin të shtrënguara në dhimbje.

Një herë i pati hedhur rromuze duke i shkruar në comment se:

-Dita është e bukur poete, ndaj qeshi asaj!

Elma kishte bërë vetëm një simbol pa koment, por që linte përshtypjen e një dakortësie për atë që i sugjeronte miqësisht.

Prej disa muajsh ai po i qasej më pranë jo veç me ‘like’ por edhe me ndonjë ‘comment’ të shkurtër, nuk ishin komplimente boshe nga ato që shkruhen pa lexuar fare për çfarë bëhet fjalë, ishte shmangur prej këtyre standarteve boshe.

Pa e kuptuar arsyen e vërtetë të afrimit, një lloj guximi i matur pa tentuar më shumë po e mendonte vërtetë t’i shkruante një ditë. E kërkonte momentin, do hynte ashtu shpenguar rastësisht me një ngacmim me bindjen se do ti përgjigjej.

Thjeshte t’ja thërriste emrin, t’ja zgjonte buzëqeshjen, ta shoqëronte një copë rrugë, t’ja trembte vetëminë.

Disa herë kishte qasur hapin, klikuar mbi emrin e saj por s’e di pse ishte ndalur!

Nuk deshte ta fillonte me; ‘përshëndetje’, se si i vinte!

Nga krahu tjetër për çudi ndjente sytë e saj dhe gishtin mbi ekran në hezitim për të prekur gërmat e para, i dukej si i njëkohshëm, të njejtën frymëmarrje dëgjonte edhe nga përtej, ashtu si dhe ajo e tija.

Ja kishte marrë një poezi, ishte e shkurtër, e ndjeu shumë pranë, pa i kërkuar leje, me bindjen se nuk po bënte asgjë gabim e postoi në faqen e vet. Po i fliste me gjuhen e saj, i dukej si poezi e vetja i bindur se do t’i pëlqente.

Eja tek unë ashtu siç je

Pa krehur flokët, jo e veshur bukur

Si mike, si armiku i njohur

Ose si njeriu që dua

Mos më bej të besoj tek humbja

Në çdo gjë mungon diçka, Ti!

Elma.

Ndër ‘commentet’ e para që erdhën ishte dhe falenderimi i saj, thjeshtë:

-Faleminderit!

U mendua pak dhe mbi atë fjalë mundi të lexojë më shumë, ndaj shtypi ‘Raply’ dhe shkruajti.

-‘Elma.. më pëlqen sepse shumë herë më duket sikur shkruaj unë. Këtë rrallëkush e arrin  në poezi. Përgëzime’.

Pas pak poshtë komentit erdhi një ‘like’ prej saj, ishte e shpejtë ju avit fare pranë, po e lexonte.

E ndjeu atë prekje të gishtit mbi simbol si ledhë mbi flokët e tij, ngrohtësinë e frymëmarrjes, aromën e flokëve të zinj. Ishte një komunikim i çuditshëm por i ngrohtë edhe pse virtual vinte shumë njerëzor dhe i vërtetë, ngjanin si emocionet nga ngacmimet e para të kohës së rinisë kur prekej lehtë nga ndonjë vajzë që e mendonte përnatë.

Po fillonte të besonte tek komunikimi, valët në hapsirë, tek materia shpirtërore që përhapet në kërkim të dikujt që e ka të skicuar në mendje, në formë në brendi, në shpresë për ta gjetur e mbarsur brenda vetes një ditë.

Javë më pas ajo postoi një dedikim për nënën, e kishte publikuar së bashku me fotografinë që kishin dalë së bashku. Nuk ngjanin, ndoshta ngaqë vajzat marrin më shumë tiparet atërore. Elma ka bukuri tjetër, ndërsa gruaja në moshë që nuk jetonte më ishte me një fisnikëri të thinjur, me tipare që tregonin se kishte qënë grua e hijshme dhe botën e brendshme ja plotësonte qeshja e ngrohtë pranë së bijës.

Ai dinte ta lexonte fotografinë, ajo nuk gënjente asnjëherë, e urrente falsitetin, ndaj çdo gjë boshe e flakte tej si një cipe lehtësisht të shpërvjelur.

Elma në foto ishte e lumtur pranë nënës.

Lexoi edhe njëherë tekstin e postuar dhe prej saj kuptoi se ato kishin diçka të veçante në lidhje, e ndjente shumë largimin e nënës, i mungonte.

Shkruajti disa fjalë të shkurtëra, ashtu siç i erdhën nga ai përjetim plot emocione njerëzore.

Këtë radhë poshtë nuk erdhi thjeshtë falenderimi, ishte një mirenjohje disi ndryshe e pritur dhe e afërt, e veçuar nga shumë të tjera.

Ndaj atë pasdite mesazhi nuk e kapi në befasi, thjeshtë ajo kishte guxuar e para, ndoshta e pati kuptuar dhe ndjerë hezitimin e tij, ishte çështje kohe edhe ai po e kërkonte momentin.

-Përshëndetje Elma, shkruajti poshtë mesazhit të sapoardhur.

-Të zgjova se ndoshta është kohë e papërshtatëshme, erdhi mesazhi tjetër!!

-Jo, thjeshtë ma dogje hapin, i shkruajti ai më poshtë.

-Po matesha në kërkim të gjetjes së fjalisë së parë, larg klisheve të rëndomta, mund të më vinte sot, ndoshta nesër a pas një jave por do e gjeja, ti ma zgjidhe.

–Haaaa, qeshën të dy.

Ai arriti i pari tek libri universitar dhe po priste të takonte Elmën. Ndjente qetësi brenda vetes, përzier me emocione që i ndodhin gjithkujtë.

Nuk i kujtohej ta kishte parë ndonjëherë, ose më mirë s’e pati fiksuar edhe pse shumë kohë më parë patën komunikuar por në rrethana të brishta.

Këtë ja pati thënë pak ditë më pas Elma dhe ishte befasuar!

-Jo një herë por dy, e ngacmoi ajo dhe në të dy rastet ke qenë i tensionuar.

-Të dhashë të drejtë, nuk ishte faji jot, njeriu në jetë përplaset me situata nga më të çuditeshme.

I tregoi si ishin takuar në rrethana që kishin të bënin me biznesin e saj, mbante në mendje kur e kishte parë për herë të parë, atë burrë shtatlartë, veshur me mënyrë zyrtare, kishte personalitet të spikatur.

Prezenca e tij ishte dominuese, plotësuar me një zë shumë të veçantë.

-Unë e dija kë do takoja, i kishte shkruar ajo!

-Prandaj imazhi im ishte i qartë sepse të njoha në shumë rrethana dhe po vija tek njeriu im.

E kishte futur në kujtesë dhe po kërkonte në ato momente tensioni të shquante portretin e saj, por nuk mundi ta identifikonte, në ato rrethana që Elma ja tregoi e kishte të pamundur të shquante më tej.

Këto po mendonte duke hedhur shikimin në hapsirën e pakndriçuar në trotuar nga priste të vinte gruaja që ai po e imagjinonte.

E njohu nga e ecura, afrohej pa u ngutur, ndjehej siguria tek hapi i saj i vogël, kishte veshur  pallto të gjatë bezhë, flokët e zinj të krehura drejtë me baluke dhe buzët e bukura që binin në sy tek portreti i saj i rregullt.

Qeshja ja tjetërsonte atë imazh që ai e pati hasur shpesh në fotografitë që postonte herë pas here.

Sytë e mëdhenj tregonin tjetër botë brenda saj, ishte pikërisht ajo që shkruante në vargje dhe në tregime, e thellë dhe e vëmendshme, nuk u zhgënjye erdhi ashtu siç ai e pati krijuar në imazhin e vet.

Bënë disa hapa duke shikuar njëri-tjetrin me mallin e një pastakimi nga ndarja e gjatë.

-Elma!

-Nuk shkruan veç ti poezi, edhe unë, por nuk di ti materializojë, ishte fillimi i një bisede pasi u ulën në një nga lokalet e ngohta aty pranë.

Ai ia kishte mbajtur pallton dhe nga afër erdhi e njejta aromë qe ai e pati nuhatur më parë edhe pse në distancë, prej flokëve që sapo rregulloi u shfaq lëkuar e bardhë dhe e kadiftë në qafën elegante, zëri ishte i butë që vinte nga qetësia e shpirtit, sytë kishin sinqeritet.

Ajo nuk fliste, rrinte e qetë pranë tij duke e vështruar me kureshti, buzët nuk i mbante të mbyllura si në fotot e publikuara, ato erdhën ndryshe, të çelura lart në dy cepat e qeshur.

Elma! 

-Më duket se ne jemi kërkuar gjatë, shumë vite me parë!

-Dy shpirtrat tanë janë endur në hapsirë, shpesh kanë humbur në pyllin e errët të jetës, por nuk kanë rreshtur së lypuri njeri-tjetrin.

-Dy njerëz edhe pse nuk njihen fillojnë dhe e ndërtojnë në mendje partnerin, njeriun që duan, shpesh gabojnë në jetë, kujtojnë se e kanë gjetur, zhgënjehen, rrëzohen por ngrihen sërish, nuk ndalen, vrapojnë në hapesirë.

-Ndoshta nuk takohen kurrë, ikin nga kjo botë me brengën e dështimit të madh në shpirt.

U afrua dhe e puthi lehtë.

-Ne patëm fat Elma!

-U gjetëm pas një kohe të gjatë, por ja vlejti.

-Dy njerëz edhe pse nuk njihen fillojnë dhe e ndërtojnë në mendje partnerin, njeriun që duan, shpesh gabojnë në jetë, kujtojnë se e kanë gjetur, zhgënjehen, rrëzohen por ngrihen sërish, nuk ndalen, vrapojnë në hapesirë.

-Ndoshta nuk takohen kurrë, ikin nga kjo botë me brengën e dështimit të madh në shpirt.

U afrua dhe e puthi lehtë.

-Ne patëm fat Elma!

-U gjetëm pas një kohe të gjatë, por ja vlejti… Boris Miska