Vaçe Zelës-Rubjana Nika


Rubjana Nika

Linde në ditë të stuhishme

kur qielli e deti i atdheut nxinte,

si një mrekulli që zbriste nga qielli,

si një mrekulli që populli e priste.

Në ditë të stuhishme jetove,

mes vuajtjesh kalove fëmijërinë,

me zërin tënd gjithë botën mrekullove,

me tingullin tënd ngrohe njerëzinë.

Në ditët e acarta shpirtin ua ngrohje,

akulli shkrinte,jeta buzëqeshte,

zëri yt brilant nga thellësia e shpirtit,

nga thellësia e malit,nga fryma e një bjeshke

Zëri yt i rrallë nuk kishte të dytë,

mbetej i mahnitur shumëkush e dëgjonte,

zë që mbartte thellë britmën për liri,

zë që popullin mbarë në këmbë e çonte.