Vaso Papaj-Parfumi


Parfumi

Ndonjëherë parfumin ndiej,

I sigurt… Je ti.

Me erën më vjen këtej,

Më bën shoqëri.

Por qëllon edhe pendohem.

Ç’të bëj…, Xhelozi.

Era vjen dhe pse s’dorëzohem,

Të merr përsëri.

Mbrëmjeve të majit, gëzimet

S’i harroj aspak.

Me guxim rrëmoj kujtimet,

Kur kam qenë çunak.

Po shpesh herë, ja, edhe tutem,

Mos shoh ëndrra kot.

Në dëshpërim, prapë mund të futem,

Pas fitores së plotë.

Do ta ndjeja atëher’ të keqen,

Dhimbja triumfon.

Dhe arsye gjej…, të ndreqem,

Zemra ma kërkon.

Ndaj përsëri, përsëri të ndiej,

I sigurtë… Je ti.

Bashkë me erën vjen këtej,

Rrotull meje rri.