Vendosa të ndahem nga dashuria në këtë Pranverë-Anila Rezhda


Anila Rezhda

Vendosa të ndahem nga dashuria në këtë Pranverë.

Koha është.

U stërhollua shumë shpresa dhe ëndrra mbeti e varur si Jargavan në portën time.

Ndoshta duhet të iki nga të gjitha -Duhet që të shkoj aty ku Dua.

Ndoshta duhet të qesh njëherë me ndarjen që të mos më duket kaq e hidhur.

Ai që pret një orë është shok, ai që pret një ditë është mik, ai që pret një jetë është i dashuri…

Dhe ashtu duke u bërë gati t’i jap një letër një Pëllumbi të ma çojë finalen në dritaren e duhur, erdhi nostalgjia dhe si gjithmonë ajo, e përgjysmuara ajo, e paplotësuara ajo…

ajo që ngopet me lugë bosh, më turllosi sërish me një fjalë “Prit”…

Unë e di që nuk do ndyshojë më asgjë por e shtyva ndarjen edhe këtë Praverë sepse…

…m’u shfaqën bukuritë, më mbytën aromat e luleve…m’u ringjallën ditët e lumtura, vrapi i marrë, puthjet e malluara, shpresat e gabura, ëndrrat e flijuara, flokët e ngatërruar, sytë e ndërruar me njëri-tjetrin, qerpikët e mbyllur, frymëmarrjet që thanin shiun, verbimi nga dielli, dhe papritur kjo Pranverë më tërhoqi nga krahu që ta rijetoj të shkuarën.

E shtyva ndarjen për në…

…Vera është stina më e bukur për ndarje dhe stina që ka shumë ndarje.

Distancat për pushime, ndrrime shkollash, universitetesh, qytetesh, emërime të reja pune, xhelozira pafund, dashuri të shpejta si rrufe.

Vera është stina që nuk i bindet llogjikës tona.

Vera është stina që nuk na i mposht dot pasionet tona.

Duhet të ndahem në këtë Verë nga dashuria.

E lirë do kem mundësi të jetoj nga e para një dashuri të re.

Nuk di nga fillohet por ndoshta tjetri ka dëshirë të më udhëheqë.

Koha është të hap dollapet të shoh për rroba të bukura, të blej të reja.

Modeli i flokëve duhet ndërruar.

Dhe sapo morra pasqyrën t’i pres vetë shkurt dhe të shkallëzuara, të ndyshoj për të Renë që pres, më erdhi keq për modelin tim të hershëm të flokëve!

E ula gërshërën dhe preva bizhamet në vënd të tyre që nga mykja e pa-dashurisë, ka kohë që i vesh tepër të gjëra dhe të gjata.

Ndonëse u varën ca si mustaqe nga copa e prerë keq, u gëzova, pashë pak gju dhe pulpë.

Ndoshta dëshira për të riparë veten shpesh në pasqyrë me veshje të pa-veshura kohë, me tendenca të harruara për ta ri-zbukuruar, diçka tregon apo paralajmëron?!

Sikur nuk shkon të ndahem në Verë!

Unë kam qënë një jetë besnike.

Le të pres dhe këtë Verë.

Ja ashtu do merrem me veten.

Do meditoj me dallgët.

Vala diçka do sjellë.

Le ta lë dhe këtë Verë bulzën e djersës të ndrijë në lëkurën e nxirë.

E sigurt veç që do ndahem…

…në Vjeshtë.

Dita zvogëlohet, melankolia rritet, axhenta e punës mbetet me barrë në Shtator.

Paratë e mbledhura kanë fluturuar si tullumbacët pushimeve.

Telefoni do bjerë shpesh nga të panjohur dhe të njohurit do thonë në çdo tre telefonata: “kam akoma punë, nuk jam sonte për kinema”.

Libra nuk kam nevojë të blej se kam filluar të rilexoj librat me dashuri që lexoja para se të bija në dashuri, nga e para, tani që e jetova dashurinë.

Dua të kuptoj ndryshimin, sa më thellë ndjej ndarjen, sa i saktë ka qënë përshkrimi i takimit të parë, i puthjes së parë, sa e frikshme ka qënë tradhëtia e parë me sy…

Njerëzit po na rrallohen si shanset e jetës.

Shtëpitë janë bërë të këndshme për qëndrime të gjata sepse i zbukuruam kur morrëm vesh se do të na duhet vetëm të vegjetojmë dhe jo të reagojmë!!

Sidomos Ideatorin-e hëngërt mortja- urojnë nga brënda të gjithë!!

Rrenat do zihen në tenxhere me presion si fasulet e shumta në Vjeshtë!! do i hash dhe do thuash edhe një këngë.

Ndaj duhet të ndahem me-patjetër nga dashuria në Vjeshtë!

Situatat janë të qullosura si dështimet që na imponuan.

Do rrimë gjatë krevateve me 5 kuverta që të bëjmë ekonomi në korent se e shesin si flori, kështu që…edhe një ndarje nuk është gjë e madhe.

Dhe sapo e shkruajta në ditar që të mos ta harroj ndarjen para ditëlindjes time në Tetor, u përplasëm dy dritare dhe m’u thyen xhamat!

U trëmba!

Mos ndoshta Nuk duhet luajtur me dashurinë siç po luhet me jetët tona?!

Atë kemi mundësi ta fshehim si beb në zëmër, në bark, në shpirt, në poezi, në pikturë, në notat e një kompozimi…

Ta marrim kudo me vete pa na rënduar, të flëmë me Të pa na parë njeri, ta marrim me vete kudo që të na japë shpresën…

Nuk është muaj i mirë për ndarje Vjeshta.

Ka aq melankoli sepse kalon nga drita në errësirë, nga thatësira në lagështi, nga lulëzimi në lakuriqësim të natyrës, po e lë por mbeti vetëm…

…Dimri.

Nuk ka më stinë tjerër për shtyrje.

Në Dimër duhet të ndahem nga dashuria!

Në të kundërt nga mendimet e tepërta do rrëshqas nga bora ose do e pësoj si…

dikur dikush kritikoi Zotin përse gështenjat i kishte bërë pemë aq të larta dhe ai nuk i arrinte dot.

U nervozua dhe i propozoi Zotit gështenjat t’i mbillte në tokë dhe të tjerat le t’i mbillte si pemë.

E dëgjon Zoti dhe të nesërmen i’a plotëson dëshirën, një Gungull 10kg varej nga pema dhe gështenjat në tokë si dhe patatet.

Vrap i ziu t’i mblidhte e t’i hante me lubi kur…kungulli ra nga pema e i’a bëri kokën gungë.

Ngriti sytë lart nga Zoti që t’i thosh sa të drejtë ke që ke bërë ca gjëra që, sado që të dojë njeriu Nuk do i ndryshojnë dot kurrë!!

Kështu dhe me dashurinë, duhet respektuar si e ardhur për të mos ikur kurrë nga zëmrat tona, kush pati fatin ta ndjejë dhe jetojë!

Ndaj gjithë premtimet e dhëna vetes për t’u ndarë nga dashuria në këtë apo atë stinë, sikur nuk gjej forcë te vetja t’i realizoj!

Le të mbetem kështu, e pandarë nga ajo.

Shtetet hë për hë nuk e kanë syrin t’i vënë gjoba dhe tatime!

Spiunët zvarranikë gjithmonë thonë-le mos merremi me dashuritë e saj- jo se nuk duan ta zbulojnë të zinjtë edhe atë por, nuk dinë udhën drejt dashurisë, monopatet e saj të dritës!

Ndaj të dashuruarit kanë shpëtuar gjithmonë nga djajtë e shoqërive!

Sa bukur!

Nuk do ndahem ende nga dashuria…

Duhet të mbi në emër të saj dhe për hir të saj aty ku askush nuk më pret!