-rrëfim i mësuesit-
Në garderobë prehen xhaketat e vjetra
Ca të shkurtra e ca të gjata,
Kur vesh njërën qejfmbetet tjetra,
Ndonëse të gjitha janë dhurata.
Nga kanë ardhur?- rri pyes veten,-
Nga ç’garderobë, nga ç’manastir?
Ishte gjallë a kishte vdekur
Ai që i çveshi për mëshirë?
Vallë kush i mbante veshur
Një filizof a një gangster?
Ish tip i ëmbël, ish tip i qeshur
Apo i pikërt-helm e vrer?
Ishte riosh a burrë i vjetër?
Ç’mendim kishte vallë për modën?
Mos dikush nga sëmundja prekur
E la prapa jetën, kohën?
Mos është grija e një krimineli?
Dhe kjo e bardha e një viktime?…
Kërkon me sy gjer te tegeli
Mos zbulon ndonjë shenjë vrime;
Mbase e vishte një parlamentar,
Ndoshta një cub a një mafioz,
Mbase, për fat, ndonjë këngëtar
Me zë të ëmbël melodioz?…
Të gjitha varur rrinë në paqe
Si një armatë e qetë, e vdekur,
I rinon pakëz gruaja e dashur
Në çdo vjeshtë u shkon një hekur;
I thotë burrit se mund t’ua falin
Ca evgjitëve, ndonjë të vobekti,
Po sa herë nisen t’i marrin
I lënë prapë për vtin tjetër…
Do ta kenë të gjitha radhën,
Me sa duket për shumë vjet,
Të vjetër do ta veshë xhaketën
Kush është mësues e kush poet.