Timo Mërkuri:Vajtimi dhe mëkati i zogjve


VAJTIMI DHE MËKATI I ZOGJVE

Nga Timo Mërkuri

“A qajnë zogjtë, më thoni, a qajnë zogjtë?

A është lot te syri i tyre a sumbull vese?

A qajnë zogjtë, më thoni, a qajnë zogjtë,

apo rënkojnë në syrin e harrimit?(strofa 10. f.227)

I-Vërtet, a qajnë zogjtë apo vetëm këndojnë, a ndjejnë dhimbje shpirtërore, qoftë dhe nga dashuria? A qajnë zogjtë qoftë dhe në heshtje? A derdhin lotë dhimbjeje zogjtë vallë? Këtë unë nuk e di se jam lindur e rritur në qytet ku zogjtë janë të rrallë pse të rralla janë dhe pemët, por ne le të dëgjojmë ç’thotë Niko Kacalidha te “Pagëzimi i zogjve” kur kthehet në vendlindje:

Zogjtë presin në dritare, të kthehem nga udha

e harrimit.

Zbresin nga qielli

i shtëpisë nëpër shkallët e yjeve, për regjistrimin

e polifonisë në kasetën e hënës e kadifenë e zogjve.(strofa 38 f.245)

I kemi dëgjuar zogjtë të këndojnë në grup këngë “vençe” zogjsh, por nuk e kemi parë këngën e tyre si një këngë (iso) polifonike dhe ca më tepër nuk e dinim që zogjtë i inçizonin këto këngë në “diskun e hënës”. Sigurisht që është një këngë e fuqishëm, sepse ka qënë grup i madh zogjsh,vetë Niko Kacalidha në inventarin e tij (te strofa e 9 e poemës) na numëron 19 lloje zogjsh që këndojnë në Leshnicën e tij, shto dhe poetin bëhen njëzetë. Sepse poeti është në grupin (iso) polifonik të zogjve sigurishr, veçse nuk na thotë në se është kthyesi apo hedhësi i këngës kur na prezantohet:

“Unë isha borsi, zogu i borës, kryerojë e drurëve

përbetuar për ekuinoksin e verës, mbështjellë

me bashka dëbore berrash të qethur bjeshkave ,

…………………..unë ec midis tyre. Unë jam

në gjeratoren e borës dhe në spiralet e asparagusit.

Në kuarcin e gurit dhe në gjeografinë e breshkës.

Unë jam në harkun e vjeshtës, mbi kalin e tredhur

të erës..”. (strofa 39 f.45)

Sigurisht që poeti është në grupin (iso)polifonik të këngës së zogjve, sepse poeti është vetë zog në jetën mbi tokë dhe ka ardhur (nga Zoti) bashkë me zogjtë:

“Në fillim ishin zogjtë dhe amarandusi i shpirtit

ecte mbi lumin e Lithisë, në rropullitë e malit

të Murganës, pranë shtëpisë sime” (strofa 41. f.246).

madje paksa i habitur shtron pyetjen:

“Ende s’e kam ditur: Unë e ngrita shtëpinë time

në rropullitë e qiejve, mbi lumin e Lithisë dhe

shtëpinë e zogjve apo zogjtë ngritën brigjeve

shtëpinë time dhe shtëpinë e zogjve?

Unë tani, sidoqoftë, banoj në shtëpinë e zogjve.

Kokë më kokë në vatër flenë me bijtë e mi,

në gjumin engjëllor të buzëqeshjes” (strofa 42 f. 246)

Nuk ka rëndësi në se zogjtë flenë në shtëpinë e poetit apo poeti fle në shtëpinë e zogjve, ne e dëgjuam Niko Kacalidhën të këndonte bashkë me zogjtë, ne e dëgjuam atë të uronte me gjithë shpirt:

U shtofshin në shtëpinë time kokat e bijve!

U shtofshin në vatrën tonë kokat e zogjve”!

Kaq shumë i do Niko Kacalidha zogjtë sa që nuk t’i shqetësojë as me vdekjen e tij, qoftë larg, ndaj e ka merak:

Në vdeksha në vjeshtë e di që do të më mbulojë

borina e gjethit,

prerë nga pikëllimi i zogjve për letaninë time.

Mos vdeksha në vjeshtë se në mos gjethe,

do të bëhem zog i profecisë së drurëve për të

alarmuar pyjet”. (strofa 43. F 246).

Ne jemi dakort me poetin se vjeshta nuk është stinë e mirë për të ..fjetur.., sepse në vjeshtë zogjtë dhe drurët duan qetësi. Por gjithsesi poeti vijon profecinë e tij në “Profecinë e drurëve”

Në vdeksha në prill e di që do të më mbulojë

bari dhe do të humbas në vertikalen e barit.

Mos vdeksha në prill të më marrin me flatrat

e tyre zogjtë somnabul drejt qiejve.

……………………………………………

Është mëkat të vdesësh në prill, të lësh jetimë

zogjtë dhe foletë e zogjve.

Është mëkat të shndërrosh korin e zogjve në

psalme mortore.

Pikthi e mullizeza të mbajnë zinë e ligjërimit,

në krye të kortezhit të përmortshëm të zogjve”.(strofa 43. f.247)

Vërtet është mëkat të vdesësh në prill, atëherë kur populli këndon : ”Iku marsi i trimërisë/ erdhi prilli i dashurisë”, është mëkat që një stinë dashurie të kthesh në një stinë zie, vdekja le të presë dhe pak.“Është mëkat të shndërrosh korin e zogjve në / psalme mortore”.Prandaj bën si të bësh o Niko Kacalidha, por mos e mbulo prillin me shaminë e zezë.Ti e di që në prill janë ringjalljet e jetës në tokë dhe të shpirtërave në qiell. Eja pra, do dalim bashkë krojeve e pyjeve, do më prezantosh me zogjtë e drurët e tu, do ja marrim këngës vënçe për “syzezën vetulla pë”dhe zogjtë e tu do na e kthejnë e do mbajnë iso. Do organizojmë festivalin vjetor të këngës së zogjve dhe sfilatën e pemëve, apo harrove?

“Në vdeksha në dimër do të shtrihem njësh

i mbështjellë me savanin e borën dhe

do të ulërijnë erërat humnerave e rrëpirave.

Mos vdeksha në dimër se do të më lërë borsi

pa kallur nga punët me dëborën e stinës.

Po, për të shoqëruar borsin kryerojë, të dimrit,

natyrisht do të ringjallem”. (strofa 44.f.247).

Të gjithë e dinë se dimri është stina më e trishtë, borsi është në punë për hapjen e rrugëve nga bora e dimrit, ndërsa unë s’eci dot nëpër shtigjet e akullta, erërat ulërijnë humnerave dhe pendët e zogjve janë mbuluar me një cipë akulli. Rri më mirë Niko te vatra e shtëpisë dhe ëndërro verën e bukur që po vjen.

“Në vdeksha në verë… Mos vdeksha në verë.

Se kori i zogjve do të çmendë botën me njëmijë

lutje Zotit në agullim për ringjalljen time.

Se qenkërkam unë, e dinë, pagëzori i tyre..(strofa 45. f.248).

Po unë nuk të thashë të zgjidhje verën, a ikën njeri në verë? Dëgjomë më mirë mua: Mos vdeksh kurrë o Niko Kacalidha, se nuk duroj dot “të mbajë zi mullizeza/ në krye të kortezhit të përmortshëm të zogjve”. Vërtet Niko, s’duroj dot të çmënden zogjtë e lulet duke vajtuar me logori. Unë e di që këto vajtime zogjsh nesër do shndrohen në këngë (iso) polifonike të cilat ata do ti këndojnë në dasmat e bijve në konkursin vjetor të këngës, sepse edhe zogjtë ligjërimet i shndrojnë në këngë, si nënat e motrat tona. Kemi shumë punë në verë Niko, prandaj bën më të mirën që di të bësh,ulu e shkruaj akoma dhe lere vdekjen të presë te gardhi i poezisë, aty ku nis kënga e zogjve të tu. Të presë sa të thinjet ajo korbë. Me siguri do mërzitet dhe do ikij për fare. Udhëembarë i qoftë. Se ne kemi shumë Fjalë për të thënë në pranverë e për të shkruar.Për Njëqint trëndafilat dhe Njëmijë guacka deti. Apo mos do të nisim e të flasim për Lotin e ciklaminit në Bashin e yjeve? Me siguri, aty në Leshnicë… “Me gjuhën tjetër që u dhanë në bëlbëlzimet e Babelit bardëve dhe zogjve”.

II-Unë nuk e dija, por Niko Kacalidha më tregoi se: “Zogu i seksit femëror”ka mëkatuar duke dhunuar Malin e Shenjtë. Po, po, zogjtë e seksit femëror kanë dhunuar Malin e Shenjtë, atë mal ku ato e kanë të ndaluar me ligj e me kanun të shkelin. Në fakt në Malin e Shenjtë çdo qënie e gjallë e seksit femëror e ka të ndaluar të shkelë, arsyeja besoj së është që të mos “tundohen” murgjit nga bukuria e femrës. Çbëjnë kështu murgjit, pse e ndalojnë afrinë e të bukurës në mjediset e tyre kur Jezu Krishti në asnjë rast nuk e ka mënjanuar, e jo më përjashtuar praninë e femrës, as në tubimet e tij publike, as në “Darkën e fundit” ku kishte pranë Maria Magdalenën.

Ja që murgjit e Malit të Shenjtë kanë ngritur një sistem modern kontrolli që asnjë femërore të mos shkelë aty e jo më të hyjë në Manastire. “Po, ç’mund të bëjnë me /zogjtë e Zotit oshënarët”? Sepse dhe zogjtë janë si murgjit, në besim të Zotit:

Ja mullizeza murgu

me të zeza duke cicëruar sipër nëpër trumza.

Ja mullibardha bredhave duke pickuar yjet.

Ja gushëkuqi qiparisave që psalte symbyllur

mbrëmësoren ndanë detit.

Sepse “ Mbi shenjtërinë e

kishave praron gjaku i Krishtit”. (f.269) dhe biri i Zotit s’ka vënë ndalesa për zogjtë e tij të seksit femëror, pse atëherë vënë ndalesa murgjit. Zoti e do ndaj e ka dërguar në tokë të bukurën, qoftë ajo fjalë, lule, zog, apo femër. A nuk e shohin murgjit që:

“Trishtili falet mbi kryqin e varrit të Jerasimit.

Në kubenë e kishëzës ndanë dritares së detit,

në gjinë e Shën Mërisë, folenë kishte zogu.Tre

zogj mitarë nxorën kryet duke pulitur dytë dhe

psallën gjatë agullimit perikopenë e amshimit.

Tre zogj mitarë duke psallur si oshënarë korin

e amshimit. O Zot, kanë pyetur Patriarkun apo

mëkatuan duke shkelur ligjet dhe hynë, zogjtë

e seksit femëror që alarmuan Malin agullimit”?(f.269).

ndërkohë poeti:“..një vezë zogu gjeta në një guvë murgu”.

dhe pyeti veten: Ku është mëkatimi këtu? Përgjigje nuk mori por para se të ikte:

“Ndeza qiri mbi varrin me jaseminë të Jerasimit.

Dhe një qiri për zogjtë e seksit femëror, shkelës

naivë të ligjeve, banorë të amshimit

Dhe çuditë vijnë me qirinjtë profetikë të poetëve. Se atje ku ndezin qirinj potetët, çudira të shenjta siç duket ndodhin, duke kujtuar dhe besimet e lashta greke se poetët janë të dërguarit e perëndive. Niko Kacalidha ndezi një qiri në Malin e Shenjtë më 1999 mbi varrin e Jerasimit, murgut me origjinë nga Dhrovjani, fshati fqinj me vendlindjen e poetit, himnografit të madh të muzikës bizantine dhe pas 23 vjetesh, më 2022, Jerasimi u shpall shenjtor i ortodoksisë.

Si ndodh kështu mrekullia me profecitë e poetëve?

Sarandë, shkurt 2023

Mund të jetë një imazh i 1 person dhe syze