Absurditet-Suzana Rama


Edhe pse fryn erë dhe është ftohtë,

gjysëm – hëna, nuk do t’ia dijë fare,

yjet në qiell, bukur e shoqërojnë,

këtë natë të qetë dhe mëkatare.

Me këtë pranverë që ndryshe po vjen,

se i ftohti po e vonon dhe bulëzimin,

ndër pemët ç’veshur nga dimri i egër,

akoma s’po duan dhe gjethet të çelin.

E ndërsa po presim të ngrohet koha,

të hedhim tej, apatinë nga supet,

mëkati na rri pranë si uji ndër gota,

në ëndra dhe në zhgjëndra tërbohet.

Në këtë botë të varfër dhe martire,

ku nuk ka turp e as skrupuj mëkati,

në netët e errëta, mbushur mistere,

ku zhgënjehet dhe zhgërryhet shtrati.

Teksa varfëria, thonjtë zhyt drej mishit,

në lakuriqsinë e natës, humbasin pa fre,

ngushëllojne vehten, në udhët e shpirtit,

në imagjinatë, jargavisin dashurinë e re.

Mëngjesi i gjen, rrethuar prej kotësisë,

s’kanë bukë, s’kanë punë të angazhohen,

varur shpresën, nën tjegullat e çatisë,

lusin zotin, prej dalldisë të mos zgjohen.

Si u katandisëm kështu, s’po kuptojmë,

në këtë botë ku jeta, gjithçka po evoluon,

duart po shtrijnë lëmoshin të kërkojnë,

se s’vjedhin dot, as ikin nga bota që i rrethon.