Adem Nuhaj:Moj vetull kurorë…


Moj vetull kurorë ……..

Dola , mora udhën

Rrugës së verbuar

Mos të gjeja gjurmën

Nga , Ti kishe shkuar.

Shkova nëpër shtigje

S’lashë shteg pa u hedhur

Nëpër gêrxhe , brigje

Nga , lule ke mbledhur.

U ngjita në shkrepa

Dhe zbrita në krua

Prap gjurmën s’ta gjeta

Se , shkoje mbi thua.

Dola në një qafë

Po , dridhja cigar

Kur , si zanë të pashë

Poshtë në një ujvarë.

Floku të verdhonte

Si , i ngjyer në Hënë

Faqa të kuqonte

Si , mollë për t’u ngrënë.

Sikur , trëndafili

Në buzë të ish çelur

Ç’të shihja te gjiri !?

Mal me borë i hedhur.

Thashë , se mos më ike

Moj drita e hënës

Se , për ty moj mike

Më ra shualli këmbës.

Por , Ti bëje naze

Poshtë edhe përpjet

Bridhje , si sorkadhe

Lozje gjithë lezet.

Sikur më shëroje

Me nazet e tua

Syn , kur rrutulloje

Dhe më shihje mua.

Moj vetull kurorë

Ç’nur të kishtë rënë

Sikur , vet me dorë

Zoti të kish bërë.