Amijete Çollaku:Ti buzëqeshësh vdekjes!


Amijete Çollaku

Ti buzëqeshësh vdekjes!

E kam ndjerë frikën në palcë brënda meje të hedh valle
edhe ankthin të më gëlltisë, të më pushton shpirt
kam ndjerë bluzat e bardha, si hije të më shoqërojnë
i kam parë konsultat e heshtura të doktorëve,
kam lexuar këqardhjen në sytë e tyre
dhe të belbëzojnë në vesh për çdo rrugëzgjidhje

dhe mua ankthi dalë ngadalë më vret…

Kam parë skemat e therapisë nga afër,

madje u bëmë shok të ngushtë…

kam parë telat elastike, kathetirën dhe tubat

përcjellëse në damarë, si të ngrihen mbi trup
centrale elektrike
kam parë aparatet tomografike t’mi veshin si kostum në trupin e zhveshur,

duar të mpira, gjëndjen katastrofike të lëkurës..
Kam parë, si njerëzit më hidhnin shikimin vjedhurazi dhe shmangeshin,

se fytyra ime ishte transformuar, flokët më kishin rënë
ecja, me ndihmën e një shoqëruesi dhe me bastun në duar
thjesht ngjaja si e droguar..
Po po si e droguar e mpirë e humbur
ecja, me të shtirë se trupin e kisha abuzuar me sa e sa doza kimike
sa i thosha vetes, kjo s’jam unë ….
Por sot meqë është Dita Ndërkombëtare Kundër Kancerit
dua të shohësh ti, ai dhe ju, që s’më bën përshtypje asgjë.
Të shohësh ti, që s’më vjen turp të shpreh pamjen e frikshme,

të shëmtuar, të keqe të sëmundjes.
Dhe të dish e të kuptosh, se nuk ndalova asnjë sekond të ëndërroj,

të punoj, të krijoj e të shpresoj…
Dua të dish ti, që ktheje kokën mënjanë kur shihje mua shëmtirën,

të të them që ja dola e mposhta dhe fitova.
Dua të dish, se mes skutave më të errëta që ai më futi,

unë depërtoja me dritën që ndezur mbante shpirti..

Dua të dish, që nuk harrova dashuroj
nuk u ndjeva në prag të vdekjes
dhe dua të dish, që kontrolli paraprak të shpëton jetën
Dua të të them bëj kontroll tani, jo për të tashmen,

por për vitet në vijim, për jetën, familjen, ma kryesisht për veten
për përqafimet e lëna përgjys,

për dashurinë që në rrugë rastësisht do ndeshësh
t’ja marësh esencën jetës dhe ti buzëqeshësh vdekjes..