Anelja Lako:Jam aty


Jam aty

Ti nuk mund të më shohësh.
Sonte për ty jam tretur në puhizë,
një fllad ëmbëlzak përmbi gjethe.

Ti i do gjethet dhe flladin:
gjethet i lëmon ndër gishta,
flladi të përkëdhelë butë përmbi flokë.

Përgjoj ritmikën e hapave të tu:
rrak… trak…,
si rrahjet e zemrës,
që shkulin kraharorin.
Rrak… trak…

Po vjen?
Po eja, pra!

S’mund të jem gjithmonë flladi mbi gjethe,
se gjethet e kanë një vjeshtë,
shtrak… dhe bien përtokë…

E pastaj veç fllad
mbi degët krahëzbuluara
dhe mbi flokët e tu…

Nuk mund të jem për ty
vetëm dëshirë.

Ja, vjeshtën e përcolla,
fletë më fletë,
edhe dimrin e bardhë lakuriq…

Po ti, po vjen?
Po eja, pra!

Jam aromë, fllad përkëdhelës,
mbi kurmin tënd plot nur,
më mbaj si gjeth’ të gjelbër,
që vjeshtë s’do të ketë kurrë.

Nuk jam më gjethe,
as fllad,
as flutur,
as vjeshtë e trishtë,
as rrënjë.

Jam unë,
mos më shih si xhindin e përrallës.

Jam unë,
prej mishi e prej gjaku,
je ti,
jemi ne të dy,
ne të dy – një!

Ja ku po vjen,
po eja, pra…

… dhe dimër
s’ka më në kalendar…