Anila Rezhda-“Stacionet e Dashurive të mija…”


“Stacionet e Dashurive të mija…”

Treni Oriont Express ndaloi te këmbët e mija si djalë i bukur, magjik e i furishëm.

Tregova biletën tek fatorino buçko dhe u ula në vagonin e lirë.

Dua që Viti i Ri të më gjejë atje…më thanë se Oriont kalon te ai stacion…

Mbështeta kokën në dritare si dikur e për 20të vjet rresht udhëtime me tren për në Ballsh e më pas për Gjirokastër, dhe u deha nga kënaqësia që do fillonte për pak film-pamja nga dritaret.

Treni është dashuria ime.

Gjej 100 dëshira tona të përbashkëta për udhëtime me të.

Ka udhën paralele të tijën!

Nuk është si makina që stërmundohet të arrijë në destinacion me dredha, parakalime, lutje e këmbim-sharje me shoferë të tjerë.

As si aeroplani që humbet reve e ta bën stomakun grusht derisa të vendosë kulla e kontrollit që të ulet-merr leje, ka frike nga rrufeja, era…

As si vapori që të shkund, turllos dhe nuk të premton dot se nuk do përfundosh në stomakun e ndonjë peshkaqeni!

Treni vjen me zhurmë, potencial, i sigurt, metalik, çan zëmër malesh, i afrohet detit, humbet mes pyjeve…

Pamjet janë mrekullisht të bukura dhe shijohen sepse treni nuk ecën kurrë si i marrë, askush nuk ia zë dot udhën.

Bashkë me kafen e ngrohtë, na ofruan një lule Margaritë me ngjyra Vjeshte.

Ndjeva tërsëllimën e rrotave, çaf-çuf (et) e lokomotivës, fishkëllimën- sinjal nisje dhe u gëzova që tashmë nuk do më gjente dot kush, telefonat nuk kapin kudo.

Ka kohë që kam filluar t’i shërbej vetes e t’i plotësoj gjithçka dëshëron…përveç dashurisë, ajo është çështje e dy njerëzve dhe rrallë në jetë takon dikë që puqesh magjishëm!

Dëshira për të ndalur sado pak në stacionet e Dashurive të mija më dha krahë për këtë udhëtim.

Frika mos më zërë gjumi se ëndërrimi është si ndjesi binjak i nani-nani(t).

Frika mos Nuk zbres në stacionin e duhur…dhe kohët janë të vështira, mbetesh jashtë, nuk ta hap kush derën si dikur!

“Fjalën” e kishin fushat, të gjëra, të heshtura dhe me kokë poshtë tek rrënjët në gji të tyre për ato që po rrisin me ngrohtësi toke dhe lagështi qielli.

Tek-tuk njerëz të kërrusur që punonin.

Qytetet dukeshin të largëta, mikroskopike si vetë zhurma e bëmat e këqija që ato prodhojnë.

“Pasagjerët që do zbresin të bëhen gati. Për pak arrimë në stacionin e “Familjes dhe Prindërve”. Mos harroni dhuratat…”

Shtypa hundën në dritare dhe shikoja më kot sepse e dija që Nuk më priste kush, ata “Nuk dalin” në këtë stacion këtu e 20të vjet më parë kur “u nxituan” të iknin. Bashkë me Ta u larguan fare e fis, ca distanca, ca zëniet për pronat e pamarra kurrë…

Po nxirrja mallin duke parë përqafime të malluarish.

Zbritën boll njerëz, puthje, shtrëngime të forta, mama, baba, nëna, teze, halla, daja, nipër, mbesa, vëlla, motër, kushurira të para, djali i tezes, i xhajës, jepeshin e thërrisnin nga gëzimi me ata që u takuan.

Një festë zëmre që nuk lë njeri pa mallëngjyer.

Piva një gllënjkë kafe, ishte ftohur dhe hidhëruar.

Nuk ta zëvëndëson dot njeri në botë këtë, Dashurinë Familjare…

Treni ecte me ritmin e tij melodioz.

Tyme të bardha fabrikash çanin qiellin.

Tyme të zeza punishtesh që digjnin mall të ricikluar, përkuleshin si plakat e motit në Shkurt mbi zonën e banuar.

Pata pak ftohtë dhe më dhanë një kuvertë të ngrohtë.

U mbështolla si karamele! dhe pata frikë nga kjo ndjesi se mos jam rritur shumë në sytë e jetës, jo të njerëzve se…thonë se kur fillon të kesh ftohtë je rritur goxha.

Përballë meje u ul një burrë fisnik në pamje.

Instiktivisht u ula në vëndin ngjitur.

Më pa si me çudi!

“M’u shfaq” nënë Gjylfidani, nuk të linte ajo në tren ballë për ballë me mashkull.

Ulej vetë, ndrroja 10 vënde e zeza unë dhe përfundoja me një tip Teto Ollge përballë që më pyeste ç’farë lloj pune dorësh dija, qëndisje, thurje me grep, me gjilpërë, qëndisje thesi…

I qesha zotërisë dhe i morra biskotën e porsa zgjatur me dorën e tij.

“Pasagjerët që do zbresin të bëhen gati. Për pak arrimë në stacionin e “Universitet”. Mos harroni fotografitë…”

Zbrita me vrap. Evgjenia, Iroko, Kristo, Llazëll, Xhulio, Sonja, Ivani, Maria, Xhoi… ishin aty, studentë nga mbarë bota.

Qeshëm dhe kujtuam mbrëmjet magjie në Romë, Venezia, Firence, Athinë, Thessaloniki, Lefkada…kërcime deri në mëngjes, provime, kopjime, ankthe duke ngrënë thonj, nerva duke pirë 1 litër portokall, ndrrime bluzash, stilolapse, kapse flokësh si tip oguri për fat, plazhet tona private si klasë, ditlindjet, netët me birrë dhe picë…

Folëm dhe u ndamë aq shpejt…si vetë ato vite të arta dhe si vetë destinacioni i studentit, ku të dalë karriera, ecuria, mundësia.

Erë më fryu flokët e sa t’i mblidhja bishtalec u gjënda sërish në sediljen e trenit.

Dielli thyente rrezet e tij në dritare.

Një mini-stacion pa emër u shfaq.

Dikush dorëzoi dokumenta.

Hapa dritaren.

U afruan njerëz me gështenja të pjekura, mollë, dardhë, shegë…me mani mbusha dorën me gështenja. Shitësi, një djalë i ri po më shikonte në sy. I dhurova atë shikim që donte. Udha ime për pak çante drejt largësisë.

Treni çaf-çuf, filloi të shfynte inat nga lodhja jonë e parakohshme.

“Pasagjerët që do zbresin të bëhen gati. Për pak arrimë në stacionin e “Paratë dhe Bankat”. Mos harroni kartën e identitetit që të firmosni kreditë, këstet…”

Zëri i folëses tingëlloi i metaltë. Ndërtesa që urrej më shumë në botë u shfaq. Dyer që na detyrojmë të hymë, duke marrë atë që do na dalë nga hunda dikur. Ndërtesa ku jeta gjynjëzohet, lyp, qan, sëmuret nga pamundësia që të zbatojë siç firmosi dikur në kushte të mira jete. Nuk zbrita. Nuk kam as për të dhënë as për të marrë. Pashë që njerëzit që zbritën kishin strukur kokat nën kapele, nën jaka të mëdja palltosh, gratë mes shalleve, syzeve. Mëshirova veten dhe të gjithë ata që këtë jetë mrekulli na i kthyen në zeher, na numërojnë ditët si para, frymën si para, gjithçka si monedha e ndyrë e Lojës së Fatit!

As Zot krijuesi nuk sillet kaq keq me njerëzit!

U ndezën dritat, do hynim në tunel i cili më kujtoi se ka edhe më keq se mërzia, errësira!

Ndanë lumit po kalonim.

Si lumë jeta që rrjedh pa e ndaluar dot askush.

Lumin e kam shpirt, më shumë se detin që më çon ca dallgë sa për të më gënjyer dhe më le po aty në breg.

Lumi më rrëmben, me sjell mistere nga thellësitë e gjelbërta që del e hyn me një fëshfërimë magjike gjethesh!

Më sjell fat, ma ndryshon fatin, më freskon mendimin, më jep kurajo si dhe ai vetë që udhëton i vetmuar drejt shuarjes së identitetit në det, më mbulon lakuriqësinë e shpirtit dhe dëshirat e marra sepse dashuria në lumë mbulohet nga gjethet, më çon pranë burimeve, frutave të rralla, më marros me shelgjet, më shuan etjen dhe kërshërinë, më merr me vete misteret që të mos i gjeje kurrë askush në atë stacion që ndalova unë.

“Pasagjerët që do zbresin të bëhen gati. Për pak arrimë në stacionin e “Shoqëria”. Mos harroni letrat e Padërguara…”

Unë zbrita me valizhen jeshile të rëndë nga letrat.

Që fëmijë shoqëria ime me Letrat më ka identifikuar.

Sa më të vegjël aq të qeshura me mua.

Sa më të rritur më me dashuri dhe vëmëndje me letrat e mija.

E sigurt që pyesin veten pse shkruaj? Pse gjatë, me mall, pse prodhoj fjalë, pse e dua këtë marrëzi të voçkël që quhet Gërmë e cila krijon fjalor, gjuhë kombi, identitet populli, lashtësi, histori? Pse e dua? Sepse gërmat i kam si ushtarë të mij dhe i urdhëroj si të dua unë?

Apo sepse në jetë kam thënë Më të paktat e dëshëruara fjalë kujdo Juve nga frika se iu humbas?

Ktheva kokën dhe isha e vetmja me valixhe.

Hapa dhe çarërleva sytë nga malli dhe dashuri që të gjej fiziognomitë e dashura, shoqëritë e mija të vyera dhe të shtrenjta.

Thonë se jam shumë e dedikuar tek shoqëria.

E quaj Familjen që ndërtova vetë.

Janë njerez që më shoqërojnë kudo si në një dasëm plot gëzim e valle që nuk mbaron kurrë edhe sikur të vijë ndarja.

Gjithçka mbetet në kujtesë, nuk shuhet kurrë!

Le të plas nga dashuria, nuk them “të dua” nëse më ke lënduar!

Duroj, di të duroj, se durimi është shpresë mos ndoshta mëria thyen këmbën dhe ai/ajo vjen, kthehet, duhet, pak kemi për të ndarë në këtë jetë, një racion kemi për pjesë të gjithë…

Fatorinua buçko më hodhi duart mbi supe, më përqafoi dhe më tha se edhe ajo e ka humbur shoqërinë si unë dikur, në atë Dhjetor të acartë të 92’ kur ika e detyrua nga Gabimet e Atdheut ndaj njerëzve të gabuar në emigracion!!

M’u shfaqën shoqet e fëmijërisë që luaja shtetesh, fillorja, lagjia, mejdanet e Gjirokatrës, oborret e Tironës, sheshet e atij shteti, paralitë e këtij shteti…

Sa shumë kam shëtitur duke kërkuar fatin!!

Shoqëria ikën, humbet, largohet…

I lashë valixhen burrit me uniformë që drejtonte atë stacion dhe i thashë që…kush të zbresë këtu e të kërkojë letër nga unë, ka, patjetër ka, secili ka një letër të padërguar nga unë. Thuaj mos ketë frikë ta hapë. Unë e përtyp mirë “fjalën”. Kafshatën më të hidhur të saj e ha vetë!!

Mblodha këmbët nën vete dhe shtrëngova duart rreth vetes.

Me një fjalë u bëra një grusht.

Dielli kish filluar të provojë ngjyrat e të kuqërremtës nga lodhja.

Do ketë dalë në stacion?!

Më pret?!

Po unë nuk e kam njoftuar!

Përherë e parandjente ardhjen time…

Unë një Vajzë me Valixhe në dorë kam qënë një jetë…

Nuk kam njoftuar kurrë ikjet dhe ardhjet e mija. Nuk dua të lodh njeri.

Ata që kanë dashur kanë ditur me kë shpejtësi zëmre lëviz dhe më kanë gjetur e takuar gjithmonë!

“Pasagjerët që do zbresin të bëhen gati. Për pak arrimë në stacionin e “Dashurisë”. Mos harroni valixhet…”

Pra Treni nuk priste Më si tek stacionet e tjera!

Të pret ose jo ai/ajo, ai ikën.

Hapa dritaren që të shquaj që larg ndonjë DritëHije-njeri.

Era e ftohtë më mbërtheu gjoksin e ngrohtë dhe më shtrëngoi me një kollë të thatë.

Është, nuk është…si me petalet e Lule-Margaritës po luaja.

Mezi prisja të zbrisja.

Instiktivisht rregullova flokët në dritare, buzëkuq, pak aromë trëndafili, një karamele, treni ecte, kaloja mes vagonave me vrap, kapërceja ndarjet metalike mes tyre me frikë se mos më kapnin këmbët nga dëshira që të sa arrija më parë në stacion.

Ora tregonte fix 10 minuta përpara 12tës, ora e ndrrimit të viteve…

Ndaloi, zbrita, kërkoja me sy, me zëmër, me mall…

Tik-tak ora qëllonte pulsin tim të dorës.

Fatorino më përqafoi fort dhe më uroi Vitin e Ri.

“Shumë si ty zbresin në këtë stacion. Pa lajmëruar kënd zbresin. Iu pëlqen të mësojnë a i dashuruan kurrë në të vërtetë? Ja ashtu në erë, borë, në të ftohtë, pa pikë frike nga vetmia. Të gjitha trenat ndalojnë këtu. Prit. Durim. Ku i dihet? Ndoshta vjen me trenin tjetër. Ndoshta të shikon dhe ikën pa zbritur. Ti që zbrite diçka të pashuar brënda vetes ndjen… Heshtja do guxim të madh. Dëshmoje dashurinë pa pritur reflektim fare si dikur ti që nuk ngrije telefonat e dëndëzuar të atij. Herë njëri, herë tjetri dhe Hëna i di vetë ato punët e egoizmit të dashurive…Gëzuar Nila…!”

Më la valixhen te këmbët dhe si degë e harkuar peme më përshëndeti nga shkallët e trenit që sërish nxorri tym nga koka dhe iku…