*
Kasam Shaqirvela
BARKË PREJ MALLI
Ti merre mallin tim dhe bëre barkë
Me atë lundro shpërgajave të gjakut
Sikurse një shigjetë së bashku me hark
Pamëshirshëm ti qëllo gjarpinjtë e gjakut.
Merre mallin tim dhe bëre ilaç për vete
Me atë shëro plagën tënde të vjetër…
Dhe plagës sime t’moçme vëri një kapak jete
Që t’mos më hapet sërish edhe diku tjetër.
Me mallin e shpirtit tim ti përsëri lundro
Sa herë që zemra e yte do të përmallohet
Detit zulmëmadh të paqës ty e lumtur noto
Barka e mallit tim kurrë s’do të vjetrohet.
Dhe sa herë që, në “Motin e Madh” murrlani
Detin e qetë ta tundojë në dallgë zgjimesh
Nga e yllit dritë do të zbohet dhe tufani
Malldhimbjes, palca do t’i ngrohet agimesh.
Nga re të bardha lotësh rrëke mbi qerpikë
Ujvara mallëngjimi që bien buzëve të çara
Kataklizmin aspak nuk e kemi frikë…
Barka jonë s’përmbyset as deteve të ndara.