Bashkëmoshatarëve-Kristaq Turtulli


BASHKËMOSHATARËVE

Bashkëmoshatarë, dikur djelmosha ëndrra shumë,

luanim në kitarë, këndonim serenadë,

O moj korçare, dil në dritare të shoh sa e bukur je,

Kanati I dritares kërciste, zemra jonë rëgëtinte,

Me ndrojtje zgjatej koka e një biondine a brune.

Kënga jonë rinore merrte krahë, në qiell fluturonte.

Një këngë jete nuk u shkrua për ju, bashkëmoshatarë!

Në qulljen e fletës së shpresës, brezi ynë humbi hidhninve,

Në ronitjen e jetës prej dashakeqësive dhe mendje shkurtërive?!

Bashkëmoshatarë, shpinë kërrusur, kosore ngrënë,

Si meshtenga të bardha, zhvoshkura, prej halleve dhe derteve,

Si strofa të heshtura në pentagramin e hidhët të viteve.

Nga vuajtja, zhgënjimi në oxhaqe dhe hatullave lënë.

Në të mugët mëngjesi, shfryni orët duke gromësirë,

Me rënkime të mbytura uleni në stolat e lageshta.

Në gishta i vërtitni ditet e jetës ngatërrestare,

Në bërbëlimën e dhimbjes së thellë kapërdihet heshtja,

Në një qoshe të errët skemitet si nuselale pushtetarja.

Ju telendis, kërrus në banjë prostata, nata dhe varfëria.

Hëna tallet, pa gjumë ju lë, të vuajturit, të mirët, të pafjalë.

Bashkëmoshatarë, nuk ish e thënë të shihnit një ditë të bardhë!

Në zyra gjeni të neveritëshmit burokratë, të pangopur, sy dalë.

Kolliteni, grindeni, shfryni për pensionin paktë,

Nga inati flakni pengjet e djeshme, ku u vyshk një puthje.

Në rrugën me blire, krijoheni mirazhe, begatie e pasurie,

Por atje, nxitimthi drejt kurbetit, ikin vajzat dhe djemtë.