Bashkim Saliasi:Tregim nga emigrimi


Kufitari

Përballë na doli ushtari ynë i kufirit. Menjëherë e njoha, pasi ishte po ajo uniformë, me të cilën unë kisha bërë ditët e zborit ushtarak;  po ajo armë, të cilën e mbaja si “dritën e syve”, pasi kështu na kishte mësuar partia.

Unë u stepa, por Xakja ma bëri  me shenjë që të vazhdoja.

-Eh! – më doli një ofshamë, tek vështrova armën plot ndryshk të ushtarit, i cili po na priste me buzëqeshje. Nuk e kuptova  shprehjen  e tij. Ai më dukej si “ Robinson Kruzoja”, që kishte kohë pa parë njerëz, aq i hareshëm paraqitej.

Kaluam afër tij dhe e përshëndetëm.

Hamzai i zgjati dorën.

Ia zgjata edhe unë.

Hamzai ma  tërhoqi me të  shpejtë.

– Ç`bën? – më pyeti.

– Asgjë, – i thashë i trembur, pasi nuk e prisja një reagim të tillë nga Xakja. Desha që t’i jepja dorën edhe unë…

Ai qeshi.

Mendova se  doje t’i jepje edhe ti lekë. Ai i kishte dhënë kufitarit 200 lekë të reja, në  mënyrë që të na lejonte të kalonin. Me vonë  mësova se edhe për ushtarët e kufirit, ky ishte një biznes i mirë.

Kaluam klonin, që të kujtonte frikën dhe ankthin, të cilën e  përjetonim në ato vite të shkuara të  regjimit komunist. Atij kloni, që nuk kishe kurrë  mundësi për t’iu afruar kaq pranë, pa lejen e autoriteteve të  Degës së Punëve të Brendshme. Atë  klon, ne sot po e shkelnim me këmbët tona, me një 200 lekësh!

Sakaq, hymë  në pyllin e tokës greke.

Më dukej se hyra në një botë  tjetër!

Pemët më dukeshin më  të gjelbra se tonat, lulet me dukeshin më të bukura dhe qielli më i pastër e më i kthjellët. Dhe vetja m`u duk sikur nuk isha unë…

Në pyllin e dendur, shqiptarët kishin çelur rrugë, si arterit e trupit të njeriut, që shpien gjak  në organet  jetësore  edhe ato të çonin thellë e më  thellë, në  tokën greke, në “parajsën” e kërkuar, atje ku hallet tona do të merrnin fund. Të gjitha këto rrugë, ishin hapur nga karvanët e shqiptarëve, të cilët i kishte zënë mallkimi i ikjes  nga vendi i tyre, që duket se nuk i mbante dot.

Në  pyll kishte disa karvanë me “ikanakë”. 

Në rrugët e hapura, në drejtime të ndryshme, kishte shumë njerëz, djem të rinj, vajza të reja, fëmijë të vetmuar,   deri dhe gra me fëmijë  në gji e burra të vjetër, që afroheshin fshehurazi të  kalonin në Greqinë  fqinje.

Këto karvanë i ngjanin një gjarpri të stërmadh, i cili ecte me kujdes, në mënyrë që  të mos e diktonte preja, që  me një sulm të rrufeshëm ta gllabëronte atë. Por, me një ndryshim, se preja në  këtë rast ishin vetë ecejakët, të cilët ishin një pre për ushtarët dhe policët grekë, të cilët vigjëlonin me këmbëngulje, për t’i kapur këta të mjerë. Më pas, pasi të talleshin me ta, me pozitën e më të  fortit dhe më të pasurit, të cilëve fati ua  kishte shpënë në dorë, i imbarkonin në kamionë (të cilët të kujtonin kamionët e aksioneve tona), duke i rrasur si bagëtia dhe  i kthenin mbrapsht, duke ua prerë ëndrrën e tyre pasurore.

Vazhdonim të ecnim me kujdes  në  pyllin e dendur, ku ferrat na bezdisnin në çdo çast.  Me shumë mundime  iu shmangëm një çifti. Burri mbante në krah një vajzë të vogël, që herë pas here qante me zë të lartë. Rruga na nxori te një urë, mbi një përrua të vogël, ku kalonte autostrada për në zemër të Greqisë. Ndaluam sipër urës dhe fshimë djersët, që na rridhnin çurk. Sytë, diku më tutje, na zunë një shesh të vogël. Ai rrethohej me lisa të lartë disavjeçarë dhe midis tyre dalluam një grumbull rrobash, të hedhura sa andej-këndej. Pamë njëri-tjetrin  në sy dhe menduam se çfarë ka ndodhur këtu. Midis tyre kishte  këmisha të reja dhe pantallona të shqyera, a thua se ishte bërë ndeshje me shkelës të kufirit.

Ora, dalëngadalë,  po shënonte 5 pasdite.            

Humbëm çdo shpresë  për të udhëtuar me emigrantin nga Kuçova, i cili na premtoi se do të  na merrte me vete për në Athinë dhe do qëndronim një  javë te ai, sa të siguronim punë dhe strehë  për të  fjetur.

– Si të  bëjmë, – e pyes i trishtuar Xaken, –  do qëndrojmë sa të erret apo do vazhdojmë udhën?

–  Ecim, më  mirë, –  m`a ktheu ai. –  Mbase, takojmë  ndonjë taksi në  kthim dhe ikim me të.

– Eja, – i fola me vendosmëri, – le ta provojmë  fatin tonë!

 Gracka

 Sa dolëm në rrugë, nuk kishim bërë as 10 – 15 hapa dhe kaluam urën, përballë nesh qëndroi një kamion tip “ife”, i mbushur me refugjatë. Dy ushtarë , që qëndronin lart, kërcyen nga kamioni dhe u drejtuan për tek ne. Dy të tjerët zbritën nga kabina dhe na drejtuan armët.

– Eja! – na folën greqisht.

U shtanga.

“Sa shpejt na zunë?”- mendova vetëtimthi me vete. Të gjitha ëndrrat e mia, u rrëzuan si të ishin një kështjellë prej rëre. U preva fare. Ballin ma përshkuan  pika djerse të ftohta. Ngrita dorën e majtë lart, në shenjë ndjese dhe të dy, si me komandë, shkuam drejt ushtarëve, të cilëve, me automatik  të drejtuar  nga ne, u regëtiu një buzëqeshje përbuzëse.

Na vunë përpara dhe na hipën në makinë. Unë eca i pari dhe shkova e u ula në krye, ku refugjatët më sajuan një vend të lirë. Xakja mbeti në fund të kamionit. Njëri nga ushtarët e shtyu me kondakun e pushkës. Xakja lëvizi dhe u ul diku, nga mesi i kamionit.

“E-eee, – pëshpërita me vete, – sa shpejt ramë në grackë!”.

Hundën na e shpoi një erë  thartire dhe djersë  e  rëndë.

Ne, të larë e të ndërruar, me çanta shkolle në dorë, kurse bashkudhëtarët tanë “të qelbnin”, nga një  erë e keqe, që  vinte nga qëndrimi i tyre, për ditë  të tëra, pa larë  e pa ndërruar, në pyjet e Greqisë.

Nuk kaluan as 15 minuta dhe ne u gjendëm në doganën greke, ku ushtarët, me llërë të përveshura dhe me qentë, që ngjanin si ujqër, me gjuhën përjashta, dukeshin sikur po shkarkonin një ngarkesë bagëtie prej kamionit. Turma, që zbriti nga ai, dukej sikur kishte udhëtuar  me qindra kilometra larg.

Na zbritën nga kamioni me të bërtitura, e na vunë në rresht, duke na drejtuar nga porta e doganës sonë. Si ato delet, që shkojnë në shtrungë, na nxorën jashtë trarit, me të shara e duke na porositur, që mos të kthehemi më, se prapë do të na kapnin dhe do të na nxirrnin në Shqipëri.

Në orën katër  e gjysmë, hymë në  tokën greke,  nga pylli dhe në orën gjashtë, dolëm në  tokën shqiptare.

Vetëm një orë e gjysmë zgjati ëndrra jonë.

Në doganën greke, me sytë  tanë pamë refugjatë  të masakruar e torturuar nga ushtarët grekë dhe nga policia. Në sheshin e doganës greke, një grup ikanakësh, të kapur në rrethinat pranë saj, i kishin ulur në gjunjë dhe ushtarët ishin me llërë përveshur, me thika ndër duar. Ndërsa qentë, që vinin vërdallë, të kujtonin grupet e zezakëve, të cilat i kapnin ekspeditat e Kristofor Kolombit.

Punonjësit e doganës, si të asaj greke dhe shqiptare, na shikonin dhe na trajtonin si robër lufte. Doganierët tanë qeshnin dhe talleshin me fatin e bashkëkombësve të tyre!

U endëm në Kakavijë gjithë pasditen,  me shpresën se  mos gjenim ndonjë mjet për t’u kthyer në Gjirokastër.

Ora kaloi dhe po shënonte 8 e mbrëmjes. Humbëm çdo shpresë për të udhëtuar me mjet dhe nuk na ngelej gjë tjetër, veçse të ecnim në këmbë, për gjithë natën, deri në Gjirokastër.

Ju bashkuam vargut të lodhur dhe të rraskapitur, të disa dhjetëra njerëzve si ne. Edha ata, të dëshpëruar për fatin e keq që patën, po ktheheshin andej nga ishin nisur.

Vargu i ngjante një batalioni të shpartalluar nga lufta. Pleqtë mezi ecnin, fëmijët qanin; një pjesë ishin të uritur, disa të tjerë  të etur dhe pjesa më e madhe e lodhur, e zhgënjyer.

Disa herë bëmë përçapje të hipnim në makinat që qëndronin pak. Por një gjë e tillë ishte e pamundur, se ato mbusheshin sa hap e mbyll sytë nga djemtë e moshave të reja. Si një kafshë gjigande, makinat gllabëronin një pjesë nga turma dhe me shpejtësi ktheheshin nga kishin ardhur, për t’i shpurë këta fatkeq në qytet dhe për të ardhur të merrnin të tjerë. Ky ishte rituali i zakonshëm i tyre, kjo ishte jeta e tyre, kjo ishte detyra e tyre.

Për shoferët, këta njerëz përktheheshin në para. Ata ishin të pamëshirshëm në detyrën e tyre. Si ata gardianët gjakftohtë, të mësuar nga puna e tyre, të zhveshur nga çdo ndjenjë njerëzore, me një gjakftohtësi makabër, merrnin të kthyerit, u numëronin paratë dhe i hipnin në makinë. Në qoftë se nuk kishin para, nuk mund të hipnin në makinë, por shëndosh këmbët, qofsh i ri, fëmijë ose plak. Ky ishte ritmi i jetës së refugjatëve të mjerë, në ato vite.

Ndërsa edhe vapa ishte e padurueshme. Megjithëse mbrëmje, ai pak fllad që frynte lehtë, shkrumbohej në fytyrën tonë të nxehur. Na u tha goja për një pikë ujë. Në Jorgucat, në një kanal, arritëm të mbushnim ujë në bidon, që më vonë ua dhamë të pinin disa refugjatëve nga Tepelena. Ata, jo vetëm që na pinë ujin, por na morën edhe bidonin e nuk na e kthyen më!

 Çobani

 Në të dalë të Jorgucatit, pamë  një çoban, i cili i kulloste delet, në ata mbrëmje të bukur qershori. U përshëndetëm me të dhe u ulëm për t’u çlodhur pak dhe ndërruam cigare.

– Si ju shkoi rruga?! – na pyeti, duke e ditur që më parë përgjigjen.

– Ja… – iu përgjigj Xakja, – siç na shikon.

– Eh, mor djema, – psherëtiu plaku, – kohë të këqija po vijnë. Ishim mirë e bukur; të varfër, por i kishim të gjithë xhanet pranë. E keqja më e madhe ishte  atëherë, kur dërgonim djemtë ushtarë. Dhe kjo zgjaste vetëm dy ose tre vjet. I kishim para syve, – përfundoi fillimin e bisedës çobani. 

Pasi u mendua pak, e futi dorën në xhep dhe nxori kutinë e duhanit.

– E pini duhanin? – pyeti ai.

– Me hundë, – u përgjigj Xakja.

– Tani filloi të na hajë kurbeti, – vazhdoi ai, me një psherëtimë dhe filloi të dridhte cigaren. Qëndroi një copë herë pa folur.

– Tre djem kam, dy të martuar e me fëmijë dhe tjetrin të fejuar. Të tre kanë ikur në Greqi. U bë një vit dhe nuk i kam parë. M’u dogj xhani, por më tepër atyre nuseve dhe fëmijëve. Kanë shkuar në ishuj dhe nuk vijnë dot, se janë edhe pa dokumente. Më kanë lënë mua plakun, të merrem me bagëtitë dhe me shtëpinë. Dërgojnë para, por ç’i do paratë, kur nuk i kam pranë. Plaka është bërë një grusht njeri. – Nxori një masat, pak eshkë dhe një copë gur stralli. Era e eshkës më shpoi hundët. Kisha shumë kohë, që nuk e kisha ndier këtë aromë.

– Jetë i thua ti kësaj? – foli  dhe, pasi kishte ndezur cigaren e vet, na zgjati kutinë, që dhe ne të dridhnim ndonjë cigare.

-Xhaxha, djemtë e tu, ne e të tjerë, nuk shkojnë në Greqi për mall, por për nevojë. Kështu erdhi jeta. Me sa po shohim e po dëgjojmë, ata që kanë shkuar jashtë për të punuar, kanë filluar ta rregullojnë ndopak  ekonominë e familjeve të tyre. Këtu; punë s’ka, para s’ka; ç’të bëjnë, të vrasin morra, të merren me pisllëqe apo të rrinë në kafene tërë ditën? – i thashë unë plakut, për t’u shfajësuar. Thellë-thellë e hollë-hollë, plaku kishte të drejtë. Por, kur do të vinte ajo kohë, që ne të punonim për vete. Mua, kjo ditë, më dukej mjaft e largët.

Plaku tundi kokën me mosbesim. U ndamë nga çobani dhe vazhduam rrugën për në Gjirokastër, me mendimin që, në një kohë sa më  të afërt,  do e merrnim prapë këtë rrugë.

 Gjumi në buzë të humnerës

 Në ora një  e natës, u gjendëm në Gjirokastër, afër hotelit “Argjiro”.

Qyteti nuk flinte. Rrugët e tij ishin plot me njerëz, si puna jonë, të cilët endeshin  për të gjetur një strehë, megjithëse koha ishte e ngrohtë. Ndërsa dhe hotelet ishin të mbushur plot e përplot me refugjatë.

Kërkuam hotel, por një gjë e tillë ishte e pamundur, në këtë orë të natës. U ulëm përball hotel- turizmit për të shpirë këmbët, të cilat na ishin gjakosur. Hoqa çorapet dhe ndjeva se këmbët u liruan nga një ngërç që më shtrëngonte. U shtrim në murin mbajtës të turizmit për t’u çlodhur pak. Menjëherë, na kishte zënë gjumi.

Ishim të dërmuar.

Kur u zgjuam, këmbët na zienin. Të ftohtit e mëngjesit na kishte hyrë në palcë. Dalëngadalë, ora shënoi pesë e mëngjesit. Zoti na ruajti, që nuk u rrokullisëm poshtë në humnerë, nga muri mbajtës afër rrapit shekullor, që ndodhet para hotel-turizmit.

U afruam, duke tërhequr këmbët zvarrë, për te vendi i autobusëve, me shpresën që të gjenim ndonjë makinë për t’u kthyer. Zbritja e fortë, që përshkruam deri te agjencia, na lëndoi këmbët e gjakosura. Agjencia e kamionëve ishte mbushur plot me refugjatë, që lëviznin nga të dy kahet. Dallimi midis tyre ishte i dukshëm. Ata, që  “udhëtonin” për në Kakavijë, ishin të larë dhe të ndërruar; kurse ata, që udhëtonin për në brendësi të vendit, të qelbnin nga era e keqe e djersës. Gjetëm, më në fund, një kamion të ngarkuar me zhavor, deri  afër urës, në Memaliaj. Nuk e zgjatëm, por hipëm sipër. Kamioni ishte i hapur. Era e mëngjesit, na mpiu fytyrën.

Kishin filluar të dilnin në skenë “gjahtarët” e udhëtarëve. Grupe të rinjsh, të cilët ngaqë nuk kishin me se të merreshin, kishin filluar të bënin “të fortët” e zonave të tyre. Ata kishin përcaktuar  sinoret dhe bastisnin karvanarët e shkretë. U përpoqëm sa mundëm, që t’u shmangeshim këtyre “Robin Hudeve” modernë. Në hyrje të Memaliajt, një ndërmarrje e prodhimit të parafabrikateve, vazhdonte të funksiononte. Brenda saj ishte një mëngjesore e hapur për punëtorët.

Ora po shkonte 8 e mëngjesit dhe punëtorët ende  nuk kishin filluar nga puna, por kishin mbushur klubin e vogël dhe përpara kishin vendosur filxhanin e kafes, të shoqëruar me nga një gotë raki.

Hymë brenda të druajtur dhe njëri nga punëtorë, që ishte ulur në tavolinë i vetëm, na ftoi që të uleshim aty. Pas përshëndetjes, porositëm nga një pilaf dhe kos. Hëngrëm, pothuajse pa folur dhe punëtori rrinte e na shikonte, kur ne mbllaçisnim pilafin e shoqëruar me kos.

-Ç’u ka sjell në këto anë?- theu akullin ai, pasi e pa që ne mbaruam së ngrëni.

-Halli,- foli i pari Xakja, që gjendej i ulur në krah të tij.

-E, mor shok, si erdhën punët dhe ne nuk dimë se ku do qëndrojmë. Ja, të gjithë shokët tanë, që punonin këtu, ikën në Greqi dhe atje kanë bërë hajër. – Thirri kamerierin dhe porositi kafe e raki për ne dhe një teke për vete. Biseda u vërtit rreth ikjes në Greqi dhe grupeve të të rinjve, që plaçkitnin çdo të ardhur, që i gjenin rastin. 

Pas pak, fati e solli, që të gjenim një makinë për në Berat. Aty zbritëm të lehtësuar. Më në fund edhe aventura jonë kishte marrë fund. Përpiqeshim që t’u shmangeshim të njohurve, pasi na vinte turp, që nuk kishim qenë të zotët të mos na kapnin grekët.

Ndërsa  në familje, më pritën me një gëzim të madh. Fëmijët dhe gruaja, të pamësuar me largime nga shtëpia, u gëzuan sikur t’u kisha prurë gjithë pasuritë e botës. M’u kujtua çobani i Jergucatit. Pasi bëra një dush, u ndjeva i çlodhur. I tregova gruas gjerë e gjatë, për peripecitë e aventurës time dhe më pas më zuri gjumi.

Ëndërr e frikshme

Papritur u zgjova me një ankth të fortë.

Në ëndërr me kishte dalë një hije dhe “pasi me torturoi me një kamxhik të zjarrtë”, më thoshte:

– Ti nuk do të ikësh kurrë në Greqi!

-Nuk je i fortë!

– Nuk ke zemër, pasi atë ta kam marrë unë…….

U llahtarisa! Mezi e mora veten!

Nuk e kuptoja se ku isha. Goja me ishte tharë. Trupi më dhimbte.

Më vonë e kuptova, se e kisha nga stërlodhja e asaj dite. Pasi i hodha një dorë ujë syve, u qetësova. Gruaja më solli kafen dhe një gotë raki. U ul karshi meje dhe, duke më parë drejtë e në sy, m’u lut që t’i tregoja ëndrrën, që kisha parë. Ia tregova fill e për pe atë.  Ajo më ishte ngulitur kaq thellë në tru, sa nuk dija  si ta shpjegoja. Se, zakonisht, ëndrrat e mia më flisnin në të kundërt. Nuk kisha ndonjë përvojë të madhe në këtë drejtim, por kështu ma kishte ënda, që ta çmoja. Kështu e kuptova këtë mesazh.

Jeta është një ëndërr e bukur, por e shkurtër, që meriton të jetohet me çdo çmim. Nuk e di a do t’a kemi fatin e mirë t’a jetojmë këtë ëndërr të bukur ashtu si duam deri në fund.  Ëndrrat dhe zhgënjimet e shoqërojnë njeriun në çdo hap të jetës, deri në sekondën e fundit të jetës së tij. Ëndrrat dhe zhgënjimet përbëjnë dramën e jetës së çdo njeriu kudo në botë. Njerëz të ndryshëm kanë dhe drama të ndryshme. Ëndrrat, ndonëse të shkurtra, përjetohen  më gjatë, bëhen ëndërrime. Ëndrrat janë brenda nesh, ne jemi pjesë e saj, në një farë mënyre aktoret e saj. Në popuj të ndryshëm, ato shihen e rrëfehen në forma të ndryshme, po mesazhi është i njëjtë: – Një jetë më e mirë, më e begatë! Në bazë të ëndrrave ose ëndërrimeve, popujt kanë krijuar përrallat, legjendat, historitë që janë treguar brez pas brezi e gojë me gojë, pra gojarisht. Në kohët moderrne ato u shkruan libra, duke përciellë mesazhe jete për gjeneratat e reja….etj……

Tërë ditën u enda nëpër shtëpi, duke menduar rrugën e ardhshme. M’u bë fiksim paaftësia ime, për t’i shpëtuar policisë greke. Më dukej vetja i paaftë për të bërë diçka të mirë për vete dhe fëmijët e mi. Në çdo cep të shtëpisë, më dukej se shihja “hijen e zezë”, që pashë në ëndërr, duke ma bërë me gisht:

– Ti nuk do të shkosh, nuk do të shkosh, nuk je i zoti!?.

Më dukej se të gjithë po talleshin me mua.

-Pse të tjerët kanë ikur, kanë qenë më të zotë se unë?

Kjo brengë po më mundonte shpirtin.

Vendosa që ta provoj edhe një herë. Pasdite dola në qytetin tim të vogël. Të gjithë më përshëndesnin. Më dukej se në sjelljen e tyre kishte diçka tallëse. Më dukej se, kur më kthenin kurrizin, ata gajaseshin me mua. U takova me Xaken dhe u ulem në klubin e vogël, në mes të qytetit, duke zënë një tavolinë në cep të tij. Biseda u vërtit në ikjen tonë. Filluam përsëri që të planifikonim ikjen drejtë Greqisë. Na ishte bërë qëllim kjo ikje. Sikur e gjithë qenia jonë jetonte me të.

-Të ikim, të ikim, të ikim!…

Vetëm kjo fjalë qarkullonte në mendjen  time, sikur ky të ishte motivi i jetës sime. Vendosëm që të shkonim në Tiranë dhe të aplikonim përsëri për vizë, pranë ambasadës greke. Përsëri plotësim i formularëve të pafund, sorollatje nëpër kryeqytet.

Por, ishte e pamundur!

Sekserët gëlonin pranë ambasadës, në kërkim të gjahut. Të lidhur me personelin e brendshëm të ambasadës,  ata i kishin bllokuar të gjitha daljet e rregullta të vizave. Ishte një biznes i pastër, i pamundimshëm dhe me shumë bereqet. Një vizë shkonte deri në gjashtëqind mijë dhrahmi. Këto para ndaheshin me nëpunësit e ambasadës. Kështu erdhi puna. Kaq para, për të blerë vizën, unë nuk kisha. Prova e parë nuk dha rezultat, por në mendjen time u hodhën bazat e një sigurie, që në një të ardhme të afërt mund ta realizoja ëndrrën e nisur.

Vendosa ta provoja edhe një herë ikjen nga mali, në këmbë. Të dalë ku të dalë, mendova. Ikja është e mundimshme, por ardhja është e sigurt, të paktën me kamion. “Të ngjeshur si presh, në një kosh fshatari, do të na sjellin, – thoshte shpesh Xakja.- Nuk kemi se çfarë të humbasim!” Kështu, ramë në marrëveshje…