Halil Rama:Bulqizë–fabrika e pasurimit, gjeneratore kryesore e prodhimit


Në kuadrin e 75-vjetorit të Minierës së kromit “Todo Manço”

Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

Nëse sasia e përgjithshme e mineralit të prodhuar në 75 vite i ka kapërcyer 15 milionë ton, (duke konsideruar vlerën e mineralit të kromit, me një çmim mesatar në vite prej 200 dollarë toni, rezulton një vlerë prej rreth 3 000 000 000 (3 miliard) dollarë), këtu një rol dominant ka patur dhe ka Fabrika e pasurimit si gjeneruese kryesore e prodhimit…

Shqipëria megjithëse ka një sipërfaqe të vogël, është një nga vendet më të pasura me vendburime dhe shfaqje të kromit. Rezervat e kromit në Shqipëri për 285 vendburimet e vlerësuara, përllogariten në 37 milion ton. Masivi i Bulqizës me një shtrirje prej 374 km2, në raport me gjithë masivet e tjerë ka rezultuar masivi me përqëndrime më të mëdha të trupave minerare në shfrytëzim.

Miniera e Bulqizës me rezervat e saj unikale e ka bërë të njohur Shqipërinë në vite si vendi i tretë në prodhimin nominal të kromit dhe vendi i parë në botë për prodhimin e kromit për frymë popullsie.
Industria e mineralit të kromit me fillesat e saj prej viteve 40-të, mori rolin si një nga degët bazë të ekonomisë shqiptare me zhvillimin e veprimtarisë minerare në Bulqizë që nga 18 shkurti 1948 që njihet si datë e krijimit të minierës.
Në vitet 1983 deri 1990 prodhimi i kromit shqiptar zinte vendin e tretë në botë mbas Afrikës së Jugut dhe ish – Bashkimit Sovjetik, me një prodhim vjetor prej 650 mijë ton deri në 1.1 miljon ton.
Dhe nëse sasia e përgjithshme e mineralit të prodhuar në 75 vite i ka kapërcyer 15 milionë ton, (duke konsideruar vlerën e mineralit, me një çmim mesatar në vite prej 200 dollarë toni, rezulton një vlerë prej rreth 3 000 000 000 (3 miliard) dollarë), këtu një rol dominant ka patur dhe ka Fabrika e pasurimit si gjeneruese kryesore e prodhimit.

NË FABRIKËN E PASURIMIT TË KROMIT U INVESTUAN 5.2 MILIONË USD

Ajo u krijua në vitet 1968-1971, për t’u konsoliduar pas vitit 1975 kur prodhimi i koncentratit u rrit në mbi 8000 ton/muaj. Minerali i varfër i galerive perëndimore të minierës së Bulqizës, Almarinës, minierës Batrës, Krastës, Klosit dhe të Qaf-Lamës dërgohej në fabrikë. Kështu fabrika merrte lëndë të parë mineral të varfër rreth 850 ton/ditë dhe prodhonte rreth 350 ton koncentrat në ditë. Minerali i varfër merrej zakonisht me përmbajtje mbi 27% dhe koncentrati dilte me mbi 48%. Fabrika është provuar me sukses në pasurimin e mbetjeve teknologjike të fabrikës së ferrokromit të Burrelit dhe në riciklimin e mbetjeve teknologjike të dambës që kanë mbi 12% Cr 0 . Fabrika vijoi me këtë ritëm prodhimi deri në vitin 1992, kur pothuajse aktiviteti i saj u për shkak të ndërrimit të sistemit, rënies së konjukturës së kromit në tregun botëror, si dhe mbylljes së akivitetit të Pasurimit në Bulqizë. Administratori i saj Ing.Bukurosh Koçi shpreh bindjen se edhe kjo fabrikë do të kishte pësuar fatin e Fabrikave të Pasurimit të Kromit në Krastë – Martanesh, Kalimash – Kukës, apo Fabrikave të pasurimit të hekurit në Pogradec, Fabrikave të Pasurimit të Bakrit në Kurbnesh, Reps, Rrëshen, Fabrikës së pasurimit të Qymyrit në Valias, Uzinave të Bakrit në Rubik, Superfosfatit në Laç etj, sikur ajo të mos kishte rifilluar aktivitetin në vitin 1996.
“Në vitin 1996 ka rifilluar në Fabrikën e Pasurimit të Kromit si Inxhinier, ku tashmë kishin mbetur vetëm muret e dëmtuara dhe emri i vjeter i fabrikës, pasi gjendja teknike e teknologjike ishte shumë e rëndë, e shkatërruar totalisht, ku fabrika kishte marrë pamjen e një gërmadhe. Rifillimi i punës u pa si një shpresë e madhe për një grup punonjësish për të fituar bukën e gojës dhe për të mbajtur afërsisht 150 familje, e për të shkolluar fëmijët e tyre”, bën të ditur Ing.Bukurosh Koçi.
Fabrika e pasurimit në Bulqizë, pas kolapsit të industrisë minerare të viteve 1991 arriti të mbijetonte dhe disa vite më pas. Si shumica e objekteve minerare të shfytëzimit dhe përpunimit kaloi në konservim. Përgjatë këtyre viteve që prej vitit 1985, Bukurosh Koçi ka qenë pjesë e saj si inxhinier dhe drejtues. Kjo fabrikë rifilloi punë kur ai si sipërmarrës pas vitit 2001, si shoqëri nënkontraktore e konçesionit të Bulqizës mori përsipër rikonstruksionin dhe rivënien në punë të saj, fillimisht me kapacitete të reduktuara dhe më vonë në kapacitet të plotë. Puna dhe shfrytëzimi i fitimeve të krijuara prej saj ndër vite garantuan investimin pranë kësaj fabrike në vlerë prej pothuaj 5.2 milion USD. Ky investim bëri që aktualisht fabrika të ketë një kapacitet përpunues prej 260 mijë ton në vit, dhe një prodhim vjetor rreth 18 mijë ton në vit koncentrat kromi me një përmbajtje 39-40 % Cr2O3. Me këtë fabrikë e kanë lidhur jetën e tyre rreth 100 familje nga qyteti i Bulqizës duke qenë punëdhënësi për 100 persona aktualisht.

KONKURUESE DINJITOZE NË TREGUN E KONCENTRATIT TË KROMIT NË EUROPË

«Puna në këtë fabrikë që filloi në vitin 2011 na dha eksperiencën për një sipërmarrje tjetër në Kosovë me fabrikën e pasurimit të kromit në Devë, Gjakovë-Kosovë, me një kapacitet përpunimi 120 mijë ton dhe një vlerë investimi mbi 1.8 milion USD. Më pas, në vitin 2017 u realizua një investim i ri në Kalimash për ndërtimin e një fabrike të re pasurimi kromi, me një skemë teknologjike të avancuar si në aspektin e teknologjisë së aplikuar por dhe të pajisjeve të përdorura për një kapacitet përpunues 100 mijë ton në vit me një vlerë investimi që i kalon 2.5 milion USD. Me të tre këto objekte përpunues, shoqëria jonë aktualisht është prodhuesi kryesor i produkteve të përpunuara të kromit (koncentrat kromi të cilësive të ndryshme), me një treg në Europë dhe global (Francë, Bullgari, Itali, Hollandë, Kinë),-bën të ditur administratori Koçi. Në shtator 2001 ai mori kontratën nga kompania “Darfo Italia Spa” si nënkontraktor, ku sipas kontratës duhej të bëhej studimi dhe projekti i vënies në punë të fabrikës . Ndërkohë duheshin kryer investime në përputhje me marrëveshjen koncesionare tip R O T, gjetjen e tregut si dhe porositjen e makinerive e paisjeve, pjesëve teknologjike etj.
U bënë studime dhe projekte si dhe u porositën makineri e pajisje teknologjike që kapin vlerën e afro 5 milionë dollarëve. Gjatë 15 viteve të para u futën në pasurim stogjet e varfëra mineralesh, si dhe u hapën me dhjetra miniera të reja e të vjetra për prodhimin e mineralit të kromit, për t’u pasuruar më tej në fabrikë. U përpunuan e vazhdojnë të ripërpunohen mbi 2.5 milion ton sterile dambe duke prodhuar koncentrat kromi për eksport.
Sot në këtë shoqëri që po mbush afro 23 vjet, punojnë rreth 100 punonjës të profesioneve teknologe, mekanikë, elektrike, manovratorë e shoferë.
Kjo shoqeri aktualisht ka në shfrytëzim 6 leje minerare, si dhe një personel të kënaqshëm inxhiniero – teknik e ekonomistë. Nga puna këto 23 vite kanë dalë në pension dhe disa punonjës, të cilët, po të mos ishte vënë në punë kjo Fabrikë nuk do dilnin në pension të plotë.

FABRIKA KA NJË KAPACITET MAKSIMAL PËRPUNIMI DERI 240.000 TON NË VIT

Ing.Bukurosh Koçi, të cilit në vitin 1980 i refuzohej e drejta e studimeve të larta për “njolla në biografi” sot është ndër sipërmarrësit më të suksesshëm. Autori i disa studimeve të kryera për pasurimin dhe parapasurimin e mineraleve të kromit në zonën e Bulqizës, Batrës, Krastës, Tërrnovës, Kukësit, Tropojës, Hasit etj, si dhe bashkpunëtor në kryerjen e disa studimeve nga Instituti i Studimeve të Teknologjisë së Mineraleve, Tiranë; po ashtu autor dhe bashkautor i ndërtimit të disa Fabrikave e impianteve për pasurimin e mineralit të kromeve të varfëra, si dhe i disa rikonstruksione Fabrikash Pasurimi, ka ngritur e konsoliduar një Shoqëri nga e cila janë përpunuar dhe vazhdojnë të ripërpunohen mbi 2.5 milion ton sterile dambe, duke prodhuar koncentrat kromi për eksport. Sot në këtë shoqëri që po mbush afro 23 vjet, punojnë rreth 100 punonjës të profesioneve teknologë, mekanikë, elektrike, manovratorë e shoferë. Ai shprehet për përfshirjen më të gjerë të shoqërisë, jo vetëm në përpunim por dhe prodhim të lëndës së parë, qoftë dhe për kromite të varfëra, duke vërejtur se sasia e sterileve që mund të riciklohet po shkon drejt përfundimit, ndaj orientimit të ri të shoqërisë dhe drejt objekteve të reja të shfrytëzimit të kromit apo dhe kërkim-zbulimit të trupave të rinj minerare.
Këtë jubile të 75-vjetorit të krijimit të Minierës së Bulqizës, më të cilën ka lidhur jetën dhe aktivitetine e tij Bukurosh Koçi e konsideron një ngjarje të veçantë që realisht më prek jo vetem atë, por prek ndjenjat e shumë njerëzve që jetën e tyre dhe të familjeve e lidhën me këtë minierë.
Miniera e kromit “Todo Manço” në Bulqizë, që përfshin minierën e Bulqizës dhe një seri vendburimesh të tjerë, si Tërrnovë, Selishtë, Livadhi i Dashit, Pylli Zi, Qafë Lame, Qaf Bualli, etj, për gjithë këto 75 vite, ende sot mban peshën kryesore të industrisë së kromit në Shqiperi, duke prodhuar përgjatë këtyre viteve mbi 12 milion ton xeheror kromi. Fillesat e saj dhe aktiviteti i realizuar ndër vite janë kontribut i mijëra punonjësve, punëtorë, teknikë e inxhinierë, të cilët e lidhën pjesërisht ose përjetësisht jetën e tyre me këtë minierë.
Aktualisht Fabrika ka një kapacitet maksimal përpunimi deri në 240.000 ton në vit. Në vitet e fundit ka shërbyer gjithashtu, si objekt riciklues i sterileve të mëparshme të cilat janë përdorur si lëndë e parë sekondare për këtë fabrikë. Pranë kësaj fabrike kanë dhënë kontribut mbi 1200 punonjës, dhjetra inxhinierë teknologë, kimistë, mekanikë, elektrik, ndërtimi, etj, pjesë e ndërmarrjes minerare Bulqizë, por dhe të Institutit të Teknollogjisë së Nxjerrjes dhe Përpunimit të Mineraleve (ISPTM).
Shqipëria megjithëse ka një sipërfaqe të vogël, është një nga vendet më të pasura me vendburime dhe shfaqje të kromit. Rezervat e kromit në Shqipëri për 285 vendburimet e vlerësuara, përllogariten në 37 milion ton. Masivi i Bulqizës me një shtrirje prej 374 km2, në raport me gjithë masivet e tjerë ka rezultuar masivi me përqëndrime më të mëdha të trupave minerare në shfrytëzim.
Duke qenë pjesë e kësaj historie për pothuaj 40 vite tashmë, si inxhinier, drejtues e sipërmarrës pranë Fabrikës së Pasurimit, ai pohon se i krijon efekt të veçantë duke e kthyer pas në vite në kujtime me fillesat e kësaj fabrike, si dhe të gjithë miqtë e shokët e tij ndër vite që kontribuan pranë kësaj fabrike.