Bisedë me një pensionist-Vladimir Muça


Tek ky stol shlodh vitet e shkuara,

Jeta e ardhme vritet nga viruse,

Thërmohen vitet në mokrat

Si hënë e ngrënë në muzgje.

Ballë teje i ligsht përulem,

Mundin tënd të shkuar s’e arrij,

Sado në gjunjë të përulem

Diellin tënd shpirtëror nuk e shpik.

Krenaria tek ky stol t’u bë gjemb,

Jeta e fundvitëve të erdh së prapthi,

Me veshje “gabi”si në tjetër planet,

Mundi e puna në kubikë akulli.

Me Ty bashkë Ulem në at’ stol,

Falënderoj me zemër duart e tua,

Ata ngadhnjyes mbi një metropol

E sollën të ardhmen mbi mua.

I VETMUAR

Të jesh i vetmuar s’të njohin agimit

Çfarë je, kaçubë a ndonjë gurë,

Në shkretëtirën tënde si beduinët

I vetëm mbetesh në tëndin flamurë.

Dikur me plot miq më ishte bota,

Kur Jeta ngado gazmohej ende,

Në mjegullën e vetmisë u harrova,

Nga miqtë e mi nuk shoh asnjë.

Njerëzia s’e njeh këtë varrezë,

Dhe urtësinë e thellë sigurisht,

Ndaj mes njerëzish çdo brengë

Ndahet si naforja për të gjithë.

E rëndë të jetosh i vetmuar

Kur pemët degëzojn njëra tjetrën,

Ti mbetesh në jetë i gjymtuar,

I harruar prej vetes mbetesh.

2023

ADOLESHENCA

Si një makth mbi breglumë

Digjet trëndafil adoleshenca,

Nën strukjen time si një gëmushë

Pllakoset e pleqërisë heshtja.

Zhytem në lumin mbushur plot

Me kujtime ku më mbyste Kecka,

Nga syri i plakur një pikë lot

Në shpirt më zgjoi bukuritë e fjetura.

Të vdes e të ringjallem në ëndrra,

Me peshën e viteve të shkuara,

Të më mbulojë ndopak adoleshenca

Mbi këmbët e plakur e të sëmura.

2023