Boris Miska:Breçkat e turistes!


Breçkat e turistes!

Po shkonte ora dhjetë e askush nga djemtë e Breshkës nuk lëvizte nga vendi. Të gjithë ishin shtrirë në rërë pranë çadrave të hotel Adriatikut dhe herë pas here hidhin vështrimin mbi dy kanatet e hapura të hyrjes kryesore.

-Ku e pe mor plak se na ç’mene, na le pa lujt futboll, foli i pari Sandri!

Askush nuk e vuri re se para tyre kishte ndalur Gjeta polici nga veriu, i cili në shumë raste i’a kishte marrë topin sepse ishte e ndaluar të luhej futboll aty.

-He mor gangstera, s’ua mban me lujt sot!

Kthyen kokën nga burri i shkurtër me kapele dhe asnjëri nuk reagoi, përveç Tutit që kishte gjithnjë qef të grricej me policët ngaqë ishte i mbrojtur. Daja i tij mbante një post në ministrinë e brendshme dhe në jo pak raste pati ndërhyrë në rajonin e plazhit që t’u kthehej topi i sekuestruar.

-E kena pushim sot shefo, do lujm i lojë tjetër qi nuk osht e nalume, dhe i shkeli syrin policit me këmishën ngjyrë gurëkali.

Në momentin që Gjeta vazhdoi patrullimin drejtë Ilirisë, u shfaq mbi pistë silueta e një gruaje të re, ishte e gjatë, elegante, me këmbë të drejta, gjoks e vithe të kërcyera, rrobat e plazhit i kishte fare të ngushta, sutjenat si lidhëse dhe mbathjet pothujase formale. Shpatullat e ngritura dhe flokët e mbledhura ia shtonin hijeshinë bustit dhe portretit të saj.

Dukej sikur sfilonte, ndali para çadrës të cilën nguti t’ia hapte një nga kamarjerët, vendosi peshqirin plot ngjyra mbi shezlon, kaloi dy gishtat në pjesën e pasme të breçkave, bëri sikur mbuloi pak vithet e bukura, hodhi një vështrim sfidues rreth e qark dhe filloi të lyhej me vaj plazhi.

Sjelljet e gruas së huaj veç elegancës kishin brenda shumë plastikë dhe nota erotike.

Çunat shtangën, përshkrimi që u kishte bërë Goni mbrëmë në xhiro ishte mëse i vërtetë, bile ai nuk pati mundur me fantazinë e tij ta arrinte atë që ata panë sot, ishte më befasuese.

Topit të plazhit pothuajse i ishte tharë rëra, askush s’po e prekte me dorë, ta shkundte, shumica luanin me gishta mbi rërë, disa nga çunat ishin kthyer përmbys pa ia ndarë sytë turistes së bukur të cilës nga vajisja trupi po i shkëlqente si statujë bronxi.

-Fifiuuu, u dëgjua një vërshëllimë kur gruaja me rrobat e banjës krejtë formale u fut në ujë dhe filloi të stërkalej.

Zgurdullimin e rioshëve e shoqëronte herë pas here ndonjë kollitje, e gërvishtur fyti si në ato raste kur shikonin filma me puthje në kinemanë verore të qytetit.

Breçkat e turistes së bukur nuk u kishin tërhequr sytë vetëm çunave të Breshkës, por edhe shumë të tjerëve që bënin xhiron e ditës buzë detit.

Disa ndalnin në cep të ujit, të tjerë bënin ecje të shkurtëra, ndërsa në dy anët e perimetrit para hotelit me të huaj çadrat ishin ngjeshur aq shumë sa dukej sikur aty do shfaqej ndonjë cirk.

Nëndrejtori i Adriatikut, punonjës i sigurimit, kur doli nga zyra për të pirë kafe me një mik i bëri përshtypje grumbullimi i pazakontë i njerëzve para hotelit, nuk lëviznin, as muzikë s’dëgjohej, të gjithë flisnin nën zë dhe s’ia ndanin sytë bregut të detit.

Për një moment mendoi mos ndonjë aksident, mbytje a zënkë që ndodhnin në jo pak raste.

Hodhi sytë dhe s’po kuptonte asgjë.

Kamarieri solli kafet e porositura dhe i pëshpëriti Luanit, operativit nga pas veshit.

-Shef kët rrëmuj e ka bo ajo francezja që erdhi dje me grupin e fundit. Ka dal gati pa brek, i çmeni robt t’u hec posht e nolt e t’u u ly me voj plazhi.

Garsoni hodhi sytë nga deti e gjeti notaren e huaj dhe ia tregoi me gisht operativit.

-Ja ku e ke t’u bo not për shtatë pal qefe.

Kur doli nga uji, trupi i saj shkelqente më shumë jo vetëm nga vaji por edhe nga e lagura e ujit të kripur.

Vërshëllimës së parë në dalje i’u shtuan edhe plot të tjera.

Kjo e trembi sigurimsin me syze qorri, i cili pa vetëdije kishte fluturuar nga kostumi i vet dhe po përtypej edhe ai si çunat me epshin e grumbulluar në sy.

U tërhoq nga mendimi i parë për t’i larguar me detyrim djemtë që e kishin rrethuar si kurorë hapsirën ku plazhonin turistët e huaj.

Nuk ishte zgjidhje kjo, grupi francez do qëndronte dy javë në Durrës, filloi të imagjinonte të nesërmen, ditën tjetër dhe tjetrën pas saj. Nuk kryhej me forcë, duhej vënë në punë mendja.

Ja bëri me kokë garsonit që i solli kafen dhe i dha informacionin për francezen e zhveshur dhe u ngjit në katin e dytë tek zyra ku shkruhej; n/drejtori i hotelit.

I riu që bënte edhe detyrën e kamarierit ishte djalë i shkathët, në mbrëmje kur ra errësira, u zgjat mbi kangjellat e ballkonit dhe me një thupër arriti t’i hiqte nga teli rrobat e banjës të kapura tek lidhëset, si breçkat ashtu dhe sutjenat.

Kostumet e banjës ishin aq të pakta sa arriti t’i fshinte në një dorë dhe i mbajti ashtu shtrënguar derisa arriti në zyrën e shefit të sigurimit.

Ja la të tre palët me ngjyra të ndryshme mbi tavolinë dhe iku më shpejt se sa hyri.

Luani zgurdulloi sytë pas xhamave optikë por nuk lëvizi nga vendi, ato breçka e patën turbulluar jo pak dhe filloi të mendonte ndryshe.

Si i vishte, imagjinoi momentin kur duart e saj i rrëshqisnin lithkat nëpër shalët e mbushura dhe rripat e sutjenave në gjoksin rrebel. Fantazia e ngjiti lart tek dhoma 33 ku flinte turistja franceze, ndoshta ajo tani ishte mbi shtrat lakuriq, brekët ia kishte hequr ai, edhe reçipetkat, i kishte mbi tavolinë, sapo ia solli garsoni, tamam si kafen e mëngjesit me tabaka.

E shkundi nga ëndrra e frikshme e trokitura e derës.

Hapi sirtarin dhe me shpejtësi i futi brenda që mos i shikonte askush.

Të nesërmen në mëngjes çunat e Breshkës u mblodhën më shpejt se ditët e tjera, po kështu edhe nga kabinat pranë u ngutën t’i vendosnin çadrat sa më afër perimetrit për ta parë e prekur nga afër turisten që dje i pati lënë pa mend.

Në të njejtën kohë francezja e bukur, veshur me një robdishambër po kërkonte sqarime tek recepsioni, nuk i kishte gjetur në mëngjes rrobat e banjës që dje në darkë i kishte nderur në telat e ballkonit.

Burri pas banakut ngrinte supet i habitur, nuk kishte ndodhur asnjëherë diçka e tillë.

Thirri pastrueset e dhomës, dhe ato të lulishtes, të gjitha thartonin buzët, nuk dinin asgjë.

-Doli çuna, reagoi i pari Sandri sapo pa të shfaqej francezja e cila nuk ecte si dje me kryet lart, kishte hedhur peshqirin e plazhit rreth belit dhe një shall që ia fshihte gjoksin e bukur.

Bisedat ndalën dhe po prisnin veprimin e rradhës, zhveshjen që turistja do bënte sa të afrohej pranë çadrës që sot e gjeti të hapur.

Habia shpërtheu si zhgenjim sapo gruaja shfaqi me përtesë trupin e saj, nuk ishte më ai i djeshmi, s’kishte shkëlqim, dukej i deformuar, tjetër gjë. Mbathjet e sotme arrinin deri tek kërthiza, vithet qenë fishkur pas si torba, ndërsa sutjenat i mbulonin pothuajse gjysmën e bustit që dje ngjante me statujat greke.

-Hajde çuna i fusim i loj se i paskan vesh brekët e trikotazhit të Korçes, shpërtheu Tuti i cili rendi i pari me topin në dorë drejtë bregut të detit, aty ku do bënin atë që kishin bërë çdo ditë, futbollin në rërë.

Ditë dimri, 9 janar 2023.