Buza jote bërë plagë-Leonard Pipa


Buza jote bërë plagë,
O e shkreta buzë,
Herë më duket si zambak,
Herë si Meduzë!

Hërë më ngjan si karafil,
Pikon gjak mbi mjekër,
Hërë herë si trëndafil,
Në kopështin e vjetër!

Pse nuk vjen si flutur bari,
Siç vije gjithmonë,
Hënën në gotë qelibari,
T’a shtrydh si limon.

Kohën, tinëz mos të iki,
Ta lidh në kalatë,
Me zinxhirë të ndryshkur shpirti,
Deri në shtrëngatë.

Buzën plagë si ujë të pakët,
T’a mjekoj me mundje,
Atë çast t’i fshihen plagët,
Me të parën puthje