Çdo çast bashkë kudo e ndamë-Kujtim Hajdari-


ÇDO ÇAST BASHKË KUDO E NDAMË
(Dhe pse na ndjek nga lart në qiell
ne prapë ditëlindjen ta festojmë)
1
Dhimbja mbyti gati shtatë vite,
Dashurinë tonë dot nuk e vranë,
Dhe pse qiellin si engjëll ngjite,
Çdo çast bashkë kudo e ndamë.
2
Sa na trondit kujtimi i rëndë,
Lamtumirën e hidhur kur na lë,
Aq shumë na lëndon e na dhemb,
Sa për ne, vetëm ditëlindje ke.
3
Mes kujtimesh ti rilind përherë,
Këtë ditë gjithmonë ta festojmë,
Si zbret një yll ti zbret e qetë,
Ulesh mes nesh të kuvendojmë.
4
Dhe zbehet e fshihet lajm’i zi,
Lajmi që na vrau aq shumë.
Ti jetën deshe në pafundësi,
Si mund të kish për ty një fund!?
5
Ti rron e çel përherë mes nesh,
Si një pranverë me ngjyra shumë,
Ti dhe në foto kur buzëqesh,
Na sjell kujtimet si një lumë.
6
Na shikon e na flet ëmbël,
Ty zërat tanë të japin dritë,
Zëri yt na ngroh në zemër,
Të ndjejmë më afër ne çdo ditë.