Ditët zhgënjyese të prillit-Petro Sota


Shpejt iku dita, si e rrëmbyer,

Para muzgut, që sapo kish rënë,

Ndërsa hëna, mbeti e zhgënjyer

Nga një re që pamjen ia kish zënë.

Edhe mbrëmja, sapo ka arritur,

Me qetësinë, që kudo ka rënë,

Me shpirt të lodhur e rraskapitur,

Si në rrjetë, muzgu e ka zënë.

Kur shpirtin muzgu ta mbulon,

Gjithçka të duket e pamundur,

Rri në trishtim, dhe e kujton,

Atë, që sapo, të ka humbur.

Mbi një çati edhe qyqja po qanë,

Më zë të mjerushëm si në vajtim,

Se nuk e ka, qyqarin aty pranë,

E pikëlluar, po qanë papushim.

Pa yje sonte edhe qielli ka mbet,

Me hënën, si një vajzë e trishtuar,

Lozonjare, si e ndrojtur rrëshqet,

Dhe asaj, dashuria i ka munguar.

Përherë mungesa, sjell trishtim,

Sa ditët edhe netët nuk ikin dot,

Është si plagë, që nuk ka shërim,

Të veniten sytë, nga një pikë lot.

Prilli është muaji, kur lulet çelin,

Me të bardha pemët mbulohen,

Lulet e bardha në kujtesë ngelin,

Si dashuritë që kurrë s’harrohen.

Pas dimrit rrebel, dhe të vështirë,

Na vjen pranvera, si një balerinë,

Nëpër malet, borën e ka shkrirë,

Dhe në zemra, sjell dashurinë.

Por, se ka të lehtë, dashuria ta gjej,

Folenë në shpirt që si lule të çelin,

Aroma e saj, zemrën do e rrëmbej,

Por edhe trishtim pak do të ngelin,

Vjen një ditë e re dhe të rrëmben,

Por zemra e thyer, pa shpresë rri,

Se ka frikë, ndoshta e zhgënjen,

Po ashtu, si në të parën dashuri,

Ditët prilljane, si vajzat kapriçioze,

Si kupton, se shpejt ndryshojnë,

Se janë të bukura, por misterioze,

Dhe të vrullshme, kur dashurojnë,

Të ndezin flakë, të digjesh të lenë,

Me hiret e trupit, sytë t’i mbërthejnë,

Dhe kur dashuria, si lule shpërthen,

Për çudi, ato ikin dhe të zhgënjejnë,

Pa provuar akoma, puthjen e parë,

Shuhen ëndërrat e zhduken si hije,

Dashuria mbetet, si një lule e tharë

Si një kështjellë rëre, shëmbet e bije.

Nuk u kuptua, se çfarë misteri kish,

Që të bjerë një kështjellë dashurie,

Një shkak që u rrëzua, qe sigurisht,

Ndoshta pamundësia e një largësie.

Prilli, që në fillim, gënjeshtër ka sjellë,

Me ditët e tij, që të lenë shqetësime,

Herë, herë të vrënjura e herë me diell,

Të mbushura me trishtim e zhgënjime.