«Do të të doja» poezi nga Laura Ficco, Itali


«DO TË TË DOJA»

POEZI NGA LAURA FICCO,

ITALI

Piktore, poete dhe shkrimtare kjo është artistikisht Laura Ficco, me origjinë gjenoveze dhe banuese në Assemini (Cagliari). Doktoreshë në Letërsi për marrjen e Diplomës Honoris Causa nga Universiteti Constantinian – në shtetin Rhode Island (ShBA) në tetor 2012 për merita në fushën letrare. I është akorduar Çmimi i karrierës, më 28 tetor 2017, për merita në fushën e pikturës dhe të letërsisë, në kuadër të Edicionit të 5-të të konkursit ndërkombëtar të poezisë, prozës dhe arteve figurative, La Finestra Eterea 2017 (Dritarja Qiellore). Ndjeshmëria e saj e lindur del në pah, mbi të gjitha, në tematikat që trajton në vargjet, në të cilat shprehen mesazhet e shpresës dhe të humanizmit të thellë në të gjithë gjerësinë e tyre. Laura Ficco ka shkruar rreth njëzet tregime të shkurtra, të mbledhura pjesërisht në librin “Gishti tregues i dorës së djathtë – J’accuse”, botuar nga A. M. Gentile Edizioni, Lecce, në qershor 2018. Ka botuar tetë libra në poezi dhe prozë si dhe është vlerësuar me çmime të ndryshme.

DO TË TË DOJA

Do të të doja ende këtu
e megjithatë ti u largove
si fluturimi i një pulëbardhe,
pa më pyetur
nëse kisha nevojë për ty.
Do të të doja ende këtu,
për të të qortuar për vonesat e mia,
për të parë tek më mban inat,
për të të mbushur me puthje
brenda një faljeje pastaj.
Do të të doja ende këtu,
do të të ledhatoja fytyrën
që nga flokët e dendur,
duke rrëshqitur ngadalë
në trupin tënd sensual.
Do të të doja, do të të doja,
por nuk mundem tani,
imazhe, kujtime janë
gjithçka që më mbetet nga ti.
Do të të doja këtu
për të ndalur fatin mizor
që të ka grabitur
pa mëshirë nga unë.

(Marrë nga libri « Agim i purpurt » Lena graphic, Prishtinë 2022, i përkthyer nga IRMA KURTI)