Drama dhe fataliteti i Gjeneralit!Ukshin Morina


Perjetimi tragjik dhe kthimi i tij nga Gjermania në Kosovë pas 15 vitesh në romanin “Liridoniada”.Botim i shitur tashmë!

***

Nuk e di, ka kaluar shumë kohë, por gjithsesi ajo më do, – pohoi vetmevete duke ndaluar hapin, ndërsa kapërcente majën e një mali. “Ajo për mua ishte gjithçka, – vazhdoi ai i përhumbur si kurrë më parë. – Ajo për mua ishte gëzim.
Ishte gëzim për shpirtin tim, çlodhje për zemrën, ngaqë mendimi për të më mbush me mall dhe fle mbi trupin tim pa pushim.
Të falenderoj, moj e shtrenjta ime, për gjithë dashurinë që më ke dhuruar. Ndihem i lumtur, kur përfytyroj gëzimin e saj pranë meje.
Asgjë s’më ka shpëtuar, asgjë s’më ka humbur nga kujtesa, çdo gjë kujtoj, edhe pse të tjerët më lanë në harrim. Oh, moj Besarta, kërkoj ndjesë për gabimet dhe t’i puth sytë, që i lash të përlotur për kaq vite. Rrugët e mia në Gjermani ishin të mbushura me kujtimet e tua, që si lak në fyt më mbanin shtrënguar, të palëvizur. Atje prej së largu mbytesha nga dashuria e malli. Në zemrën time të dërrmuar flinte e vërteta. Sa herë që u shkoja rrotull ëndrrave të mia, shpirti më ndalonte pikërisht aty si unë mbi ty. Fuqishëm shkrehesha mbi to si shtegtari i lodhur në lëndinë, poshtë një rrapi ndanë udhës. Mendimi për ty mbetej i pavdekshëm, ndërsa veprimi më kishte paralizuar trupin në një mekanizëm të palëvizshëm. Gjithfarë mendimesh më vinin në mendje. Ato nuk rronin më shumë se një lule e çelur herët në mëngjes, që vyshkej me të rënë dielli. Sa herë që ndodhesha pranë pasqyrës, mallkoja fytyrën. Kjo shpërfillje nxirosëse ishte burimi i çdo shqetësimi, që më vinte prej saj. Tragjizmi që shfaqej aty, më mbyste dëshirën për të ëndërruar kthimin tim.
Si ta them unë i mjeri, kisha humbur gjithçka në jetën time dhe mendimi se dikush me shpirt kishte mbetur pranë meje, më mbytej në çast. Për sa e njoha Gjermaninë, s’ndiej ndonjë dëshirë për të qëndruar atje, ndaj vendosa të kthehem në folezën time, edhe sikur shpirti të më dergjet aty. E tash kur jeta ime s’po njeh as fillim e as fund, me kujtohen ditët e tua më të lumtura. Mbrëmjet e tua të mbushura me përkujdesjen e fëmijëve, kur shtriheshe e brengosur dhe e lodhur nga meraku i tyre, ecejaket dhe fëshfërima e këmbëve në dysheme. Të gjitha këto ma ndezin shpirtin, sa diçka nis e vajton brenda meje..