E etur me “lumin “tim:Teuta Shaqiraj


E etur me “lumin “tim

Jam rrjedha jote e çmendur në çdo kthesë,
Ha brigjet e tua me gaz e lot.
Gjumin ma trazon në verën e nxehtë,
kur me shira vjeshte gjirin ma gufon.

Unë, shtrati yt i rrjellshëm, ngaherë,
me eshtra pa jetë fshehur nën dhe
Shpirt zhveshur lakuriq, si natën e parë,
të ndaj, si Moisiu lumin Jordan në mes

Zbathur të zhgërryej e të hyj në palcë,
kujtimet ulen përmbi breg si guralecë,
Copëza jete lëvizin si në ekran pa gjak
syri m’u njom e shpirti memec m’u mpak..

Teksa filtroj ledhishten e plogët ,
në sitën e shpirtit që rrjedh ngadalë,
ca degëza atje, nën dritën e mugët
më kujtojne dikë që zgjethëroi kurrë.

Vështrimi më kapi mpleksur nëpër rrënjë,
një zemër guri të zbardhur pa damar,
e marr, e puth, ta ngroh në pëllëmbë
Eh ishte e kotë s’kishte rrahur kurrë.

Qortova vetveten pse, lidhem pas fjalëve,
ç’desha të hyja thellë si në rezonancë,
Jam rrjedh çmendurake që u përkëdhelet ijeve,
lumit të tij, përmes stinëve, si një romance.