E paftuara vjen-Llesh Gjoka


Nuk e kisha menduar fill pasi u linda

Se e paftuara vjen nga lart

Luan pupthi me çdo sekondë të jetës

Bëhet shkallë durimi, matës i rezistencës

Vazhdimësi gjurmësh

mbi një pistë të gjatë vrapimi.

Sepse diçka më mashtroi me lindjen

Bota mu shkrep si një yll para syve

Shfaqje e bukur me spektatorë të qeshur

Të gjithë ëndërrimtarë

Me klounë hokatarë

Që për buzagazin tim ishin gati të vdisnin.

Me ngjyra ylberi përcillej dita

Me buzëqeshjen e verdhë të hënës ndriçohej nata

Fjalët e nënës më frymonin si uratë në vesh

Këshillat e babës

më ngjiteshin në palcë si amanete të zjarrta.

Nuk e kisha pritur motmotit se e paftuara vjen

Se ajo që po bënim me duart tona

Ishte një kurorë me nderime

Ishte një pemë jete me lëng qëndrese vaditur.

Mendonim se ajo

do të na mbante prej kahere gjallë

Nuk do të epej kurrë si skllave

Në gjunjë duke mërmëritur.

Por ja, e paftuara vjen

Ajo e padëshiruara

s’të jep shenjë për ta njohur, për ta cekur

S’ka fytyrë për të hyrë nga dera e miqve

S’ka moral për t’u gjegjur.

Vjen e beftë, ashtu e paftuar

Fik llampat një nga një, e bën errësirë

Nuk ka detektor që e kap në flagrancë

Vjen në heshtje, pa u ndier

Asnjëherë s’e pashë për të mirë.