Filozofia e së dielës-Gerta Bandilli


Gerta Bandilli

Filozofia e së dielës…

Provuam t’i shkërmoqim shkëmbinjtë

Me duar dhe me këmbëngulje

Shteg të ri

Midis fosilesh të vendosura

Nga koha, stuhitë

Dhe zjarret e akullt

Në një natë të gjatë.

I mbajtëm mbi duar shkëmbinjtë

Dhe formën e tyre lamë atje

Si shenjë prehjeje dhe besimi

Për pasardhësit dyshues

Por shkëmbinjtë nuk i shkërmoqim dot

Me forcat e eshtrave.

Provuam me forcën e gjakut

Dhe dështuam po njëlloj

I flakëm tej shkëmbinjtë

Ecën mbi ta dhe u dëshpëruam

Që nuk gjetën shteg për lundrim.

Pastaj lotë të trishtuar në formë

Pikash të kripura ranë…

Sa të butë shkëmbinjtë

Që i shkërmoqim prej lotëve…