Fjalët e babait – Nga Lindita Çuka


Lindita Çuka

Edhe pse ishte një mëngjes i freskët, dielli rrezeartë që shkëlqente mbi malin e Dajtit përhapte gjithandej ngrohtësi dhe ta mbushte shpirtin me dritë. Së bashku me bashkëshortin hymë në QSUT dhe ecëm drejt Spitalit Onkologjik. Kisha kontrollin periodik të gjashtëmujorit,  ekografinë dhe vizitën tek kirurgu. U afruam drejt hyrjes. Gjithandej kishte shumë njerëz. Të gjithë hynin në spital radhë pas radhe sipas orareve të planifikuara. Diku, mes njerëzve dallova Shpëtimin, një djalë i ri nga lagjja ime. U afruam drejt Tij dhe u përshëndetëm me Të.

– Mirëmëngjes, si je? :- e pyeta unë.

– Mirë faleminderit: – u përgjigj Ai.

Përse ke ardhur? : – e pyeta unë përsëri.

Ai kaloi dorën mbi ballë, si për ta fshehur fytyrën e shqetësuar, mori frymë thellë dhe me një zë të mekur që mezi doli nga thellësia e shpirtit, u përgjigj:- Kam sjellë babain, është shumë sëmure, dhe fjala i’u drodh nën buzë. Me një lloj qetësie u mundua ta fshehë tronditjen që lexohej qartë në të gjithë qënien Tij, por fytyra e tradhëtonte herë pas here.

Dhembshuria për ta shpëtuar babain e kishte bërë të ndihej gjithnjë e më të dobët përballë kësaj sëmundjeje kaq të vështirë dhe agresive.

                                                                                *  *  *

Orari im i planifikimit  ishte afruar ndaj koordinatori me tha se mund të hyja, ndërsa Shpëtimi e kishte orarin e vizitës pak më vonë ndaj duhet të priste akoma. Hyra brenda dhe tek recepsioni bëra rregjistrimin rutinë të një pacienti, e më pas eca drejt koridorit për të mbërritur tek dhoma e vizitave. Edhe aty kishte shumë pacientë ndaj u ula në pritje. Dera hapej dhe mbyllej vazhdimisht. Mjeku dhe infermierja vazhdonin me vizitat që nuk mbaronin dhe  herë pas here dëgjoheshin zërat e tyre teksa  shpjegonin pareshtur dhe  përpiqeshim të jepnin informacione të plota lidhur me plotësimin e kartelave sidomos në rastet kur pacientët kishin ardhur për herë të parë dhe çdo gjë ishte një rrugë panjohur. Gjithçka bëhej edhe më e komplikuar kur pacientët ishin në faza të avancuara dhe faktori kohe, mosha si dhe gjendja psikologjike ndikonin negativisht për shëndetin. Të gjithë ishin të heshtur, dukeshin të lodhur dhe të strukur thellë hallit të vet. Për një çast hodha sytë nga vetja dhe më pushtoi një ndjenjë ankthi. Një ndjesi e pakëndshme më mbështolli të tërën dhe ndjeva zemrën të më rrihte fort. U mbusha me dhimbje dhe vështimi u tret e humbi në logjikën e mendimit teksa vështroja përreth ata njerëz që prisnin në heshtje për ta lehtësuar dhimjen që i brente përbrenda. Mu duk se e humba arsyen e mendimit kur papritur ra  zilja e telefonit. Ishte Shpëtimi që interesohej për ecurinë e vizitave. Babai është lodhur shumë,  – u dëgjua zëri i Tij në lutje. Ka vështirësi në frymëmarje dhe nuk po duron dot. Ndihet shumë i lodhur, vijoi të thoshte përsëri. Zëri i tij më erdhi si një goditje e fortë dhe më dhembi thellë në shpirt. Mbylla telefoninin duke i thënë edhe pak, edhe pak durim. Ndërkohë që dera e dhomës së vizitave ishte hapur, u çova nga vendi dhe i’u  drejtova koordinatorit.

     Të lutem, i them! – Është një rast me një pacient të moshuar që ka ardhur herët dhe është në gjëndje të avancuar, ndaj mundohu të krijosh një mundësi vizite jashtë radhe sepse nuk ndihet mirë. Ai më vështroi i habitur dhe më pas mu drejtua duke më treguar pacientët e tjerë.

Të gjithë këta që presin janë këtu sepse nuk ndihen mirë dhe nuk di të them në se do të lejojnë. Unë jam këtu për t’ju ndihmuar por duhet të respektojmë oraret. Ndërkohë mjeku e kishte dëgjuar të gjithë bisedën dhe mbeta e shtangur kur dëgjova zërin e Tij me ton të prerë.

     – Ku është i sëmuri?  – pyeti Ai. Në makinë, diku jashtë, – u përgjigja unë dhe zëri mu drodh disi në faj. Eja, më trego, – foli përsëri Ai dhe me hapa të shpejtë të dy ecëm përgjatë koridorit. Afër derës kryesore, Dr. Silvana e pyeti mjekun. – Ka ndodhur gjë?  – Pse je me kaq nxitim ? – tha Ajo  e shqetësuar. Kthehem shpejt, – u përgjigj mjeku pa i ndalur hapat.

Dolëm nga spitali dhe u afruam tek makina ku qëndronte babai gjysëm i shtrirë në sedilen e pasme. Aty pranë ishte Rovena, një nga mbesat e Tij më të dashura dhe Genci. Babait i ndritën sytë. Edhe pse shumë i lodhur mori të ngrihej duke u mbështetur pas sediles në një pozicion pak më drejtë.

Erdhe  biri im, – u dëgjua zëri i babait duke i zgjatur mjekut dorën që i dridhej, në shenjë mirëseardhje.

-Si je? Je burrë  i fortë ? – i’a ktheu mjeku. Ti je Dr Tani ? –  pyeti babai përsëri.

Po, unë jam , u përgjigj mjeku. Kam kohë që të pres, mor bir! Kam dëgjuar që je një mjek duarartë dhe zemërbardhë, që edhe fjalën e ke shërim! – vijoi të thoshte babai duke e parë mjekun në sy. Mjeku  buzëqeshi lehtë duke e ledhatuar babain në sup. Më pas i hodhi një vështrim gjithë zonës së fytyrës dhe gushës ku ndodhej melanoma. Ishte një moment i jashtzakonshëm. Të gjithë ishin në ankth dhe  me sy të përlotur vështronin nga mjeku. Vështrimi i Tij ishte i heshtur dhe thellohej në mendim. M’u duk si një lloj skanimi që depërtoi përmes melanomës dhe të padukshmes që sundonte në brendësi, në të gjithë qenien e babait, në shpirt dhe në çdo qelizë.

Mjeku mori frymë thellë,  e vështroi babain drejt e në sy e gjithë seriozitet e pyeti:-

-Si të quajnë?

-Sokrat, u përgjigj babai.

Paske emër filozofi, – i tha mjeku me humor. Po, po u përgjigj babai, por  Ai është  i pakrahasueshëm është filozof i madh i gjitha kohërave, ndërsa unë,… e çfarë jam unë ! dhe sytë i’u përlotën.

Mjeku i shtrëngoi dorën dhe i foli babait me shumë besim e  optimizëm. Ti je filozofi dhe frymëzuesi më i madh i fëmijëve  të tu, i familjes tënde, i gjithë njerëzve të dashur që të duan shumë dhe kujdesen për  Ty. Bëhu burrë dhe baba i fortë që nipërit dhe mbesat të krenohen me gjyshin e tyre, hero dhe filozof. 

Të paça mor bir, Ti je hero! më shërove!  – tha babai dhe fytyrën i’a përshkoi një rreze shprese, një dritë që reflektoi çuditshëm duke u përzier në ngjyrime me të kaltrën e syve dhe ngjyrën e bardhë të këmishës që i mbështillte kraharorin. Në vlerësimin tim je jo vetëm një mjek i mirë që shëron sëmundjen por një mjek i madh që shëron njeriun, – vijoi të shtonte përsëri  babai.

– Qofsh i bekuar gjithë jetën dhe i mbushur me mirësi në familjen tënde. Qofshin të bekuar të gjithë ata prindër, nëna dhe  baballarë që rrisin dhe edukojnë mjekë të mirë, Ëngjëj të bukur shpirtbardhë, njerëz humanë dhe vlera për shoqërinë.

Bekuar qofsh mor bir,  Ti dhe të gjithë mjekët që na ndihmojnë dhe na falin jetë çdo ditë,  – tha në fund babai i lehtësuar dhe me sytë e përlotur vështroi drejt qiellit.

E lamë babain dhe bashkë me mjekun hymë  përsëri në spital, aty ku pacientët e tjerë prisnin që Ai të bëntë më të mirën edhe për ta.

Tashmë sëmundjen e babait s’mund ta kuronim me ilaçe, me shkence …

Ajo kishte fituar, por ne duke ndjekur këshillat e Dr.Tanit do të mund ta menaxhonim sëmundjen, t’ia lehtësonim  dhimbjen babait dhe t’ia bënim ditët e çastet të lumtura duke e kuruar me mençurinë e fjalës dhe frymën e dashurisë.