Gjyshua-Petraq Pali


GJYSHUA

Ishte e tmerrshme ta mendoje e jo më të veproje në atë kohë që dy të rinj të dashuroheshin e të përfundonin dashurinë e tyre në martesë pa komplekse thashethemnaje apo probleme me partinë.

Këtu nuk duam të përgjithësojmë,por në të shumtën e rasteve një lidhje e tillë mes dy të rinjve ishte me pasoja. Kryesisht respektohej apo ndiqej edhe gjendja shoqërore e dy të rinjve nga lufta e klasave duke u ndarë në dy kampe me “partinë” apo kundra saj.

Kishin kohë që dy të rinjtë ishin në lidhje intime me njëri -tjetrin, aq sa fjala kishte marrë dhenë dhe “komentet” bëheshin shpesh here në mënyrë private e shumë herë diskutohej edhe në publik apo nëpër kafenera në rrethe të ngushta miqsh në formën e thashethemeve.

Gjithsesi ishte një nga rastet e veçanta që ndodhnin ne ato vite në fshatrat tona. Aty respektonin te gjithë doket e zakonet në çdo kohë, sepse fejesat apo lidhjet beheshin më shumë me mblesëri apo me tarafe sipas familjeve dhe njohjeve të tyre qoftë brënda fshatit, por edhe jashtë tij.

Nica, ishte apo nuk ishte tek te shtatëmbëdhjetat. Ishte vajza më e bukur e fshatit, por fatzezë. Kishte një bukuri të rrallë; sytë të kaltër si det, një trup të derdhur si në bronx, flokët e verdha dhe të drejta si qiri, i binin deri mbi vithe, këmbët plot hijeshi, gjoksi super bukur. Zoti mbi të kishte derdhur tërë bukuritë njerëzore. Çdo ditë rritej e ëmbël, e dashur për të gjithë bashkëfshtarët, të cilët e shikonin me simpati e dashuri, mbasi ishte pa nënë, pa baba, pa motër, pa vella, pa gjyshe. Ajo jetonte vetëm me gjyshin nga i ati i cili për fatin e tij të keq i kishte humbur të gjithë.

Shpesh qante i ziu e thoshte:

-Pse më mallkove o perëndi e më le vetëm?! Të më ruaj Zoti bonjaken e të ketë fat e jetë,ta shof nuse atë pa le të vdes…

Nicën e shikonte në dritë të syrit. Ajo, rritej e Gjyshua t’kurrej. Kështu kalonin vitet një nga një. Plaku e porosiste të mbesën te mbronte nderin, dinjitetin e të kujtonte prindërit esaj duke i nderuar e duke qënë një vajzë e bekuar me uratat e tyre.

Për Nicen nuk kursente asgjë. Kishte pension të mirë, mall e prona plot, ullinj, portokalle bahçe me limona e vreshta, të cilat në fillim para se t’i ndodhnin fatkeqesitë i punonte e u dilte për zot vet, ndërsa tani merrte punëtorë dhe s’kishte fare probleme financiare. Dy gojë ishin, gjyshua dhe Nica.

Gjithe fshati ziente nga fjalët dhe e dinte kushdo lidhjen e saj me L.H, një djalë i përkryer, por fatkeqësisht i prekur politikisht,ndryshe nga Nica që dikur të atin e kishte komunist. I fundit që e mori vesh këtë lidhje të mistershme ishte Gjyshua, kur një ditë, vajza kishte ikur me të dashurin në drejtim të paditur.

Plaku, që atëhere ishte tek tetëdhjetat, kur i thanë nuk e donte më vehten. Ulëriti, bërtiti, as donte ta besonte. Gati në çmënduri qante e bërtiste rrugës:

– Ç’më ndodhi,mua të zinë?! Më lini të mbytem në det! Për çfarë e dua më jetën pa Nicën?! Hapuni….,- u thoshte njërëzve që përpiqeshin të ndalonin çmëndurinë e plakut,- do mbytem, do mbytem!

Njerëzit përpiqeshin ta qetësonin plakun,duke i thene:

-Nica mori atë që deshi, prandaj jepi uratën e kthehu i qetë, vajza do vijë e do të jeni sërish bashkë.

Plakut të mjerë një fytyrë i vinte e një i ikte. Nuk mund ta vazhdonte jetën dot me këtë që e gjeti. Pse ia punoi kështu, pa i thënë asgjë…Keto e të tjera si këto, e benë plakun të mos dëgjonte më asnjë.

Me thënë të drejtën, gjithë fshati u hidhërua dhe të gjithë dënonin Nicën,që la plakun fillikat. Ishte e tmerrshme.

Nga të gjithë e të gjithë njerëzit që iu gjëndën plakut afër duke e këshilluar, ishte dhe zonja Fillothea, një moshtare plakë e nderuar, vejushë, që plaku s’kishte folur kurrë me të, as tani e as më parë.

Ajo, i qëndroi kaq afër sa e stabilizoi dhe e qetësoi aq shumë sa ai hoqi dorë nga kërkimi i Nicës.

I gatuante, e lante , e mirëmbante sa njerëzia hera -herës, nuk e quanin të udhës këtë “miqësi”po hera -herës edhe i jepnin të drejtë bamirësisë saj.

Në fillimet e ikjes së Nicës, e cila për dy muaj nuk u bë e gjallë, duke mos pyetur as për gjyshin, as për fshatin, plaku mallkonte, e shante, çfrynte kundra saj. Hera -herës jepte deklarata emocionale:

– Nuk e qas më, nuk ia fal këtë që më bëri, nuk do ta afroj as në fshat, as në shtëpi,isha lidhur me të,ishte bonjake pse të ma bënte këtë gjëmë, – persëriste herë pas here.

Nderkohë Fillothea,plaka e ve u miqesua me plakun, e zbuti dhe e ëmbëlsoi kaq shumë sa arritën te ndienin për njëri -tjetrin. Dhe një ditë të bukur përfunduan bashke në shtrat.

Fillotheja e kishte mirestudiuar momentin emocional të plakut deri sa i shprehu të vërtetën duke i thenë:

– Mos rri vetëm, o zotni dhe këto ditë që mbetën le të jemi bashkë. Fshati do na qajë hallin, do merren ca ditë me fjalë, siç u morën për Nicën dhe ne bëjmë punën tonë.

Kur u kthye Nica nga “ilegaliteti”u gëzua më shumë Fillotheja se plaku. Ajo e mirëpriti duke i thënë:

-Nica ,dashuria s’ka moshë të keqen nëna, mire bëre ti, mirë bëmë dhe ne,mos ki merakun e Gjyshos, ai tani ka mua në krah.

Nica e mirëpriti dhe e përqafoi plakun i cili sa e pa i tha:

-Të më trashëgohesh vajza e gjyshit! Si ty dhe mua, kështu na erdhi jeta e ne duhet t’i përshtatemi asaj.

Falenderoje Filothene që e zgjidhi këtë problem.

Le të na urrojë fshati e të mos merren më fjalë se “i zoti e di ku i pikon çatia”.