Kristo Çipa-I biri i atdheut


KRISTO ÇIPA

I BIRI I ATDHEUT
(Kredo për Et’hem Rukën)

Sa herë e shikon e takon, dëgjon për të, sepse të kap një krenari e brendshme dhe sytë të mbushen me lot gëzimi. Në këtë kohë të trazuar kur një pjesë e kodeve tona morale e zakonore janë izoluar e ngushtësuar nga parakalimet vrasëse të krimit, korrupsionit, vesit dhe hipokrizisë,, ndesh rrallë personalitete që madhështinë e tyre e kanë mbuluar me gunën e mirësisë dhe thjeshtësisë. Në këtë përkohshmëri jetese ata punojnë me ngulm e vullnet drejt të ardhmes.
Atje në Turan buzë Vjosës e në prehër të diellit kanë qenë melaqet e kombit kur në vatrën e shtëpisë Ruka lindën dy djem, të dy me penë e libër në duar. Ndërsa njëri na dritësoi dhe mjaltësoi shpirtin me poezinë e kinematografinë, tjetri vazhdon të ndriçoj dhe qartësojë mendjen me përkushtimin shkencor e shoqëror.
Et’hem Ruka jo vetëm si personalitet shkencor, si ish politikan njerëzor por si mëmëdhetar i dhëmshur i imunizuar nga viruset e kohës i dhuron Atdheut çdo ditë horizont dhe mirësi
Dikur si deputet dhe ministër i arsimit ai i jepte fizionomi , lartësi dhe patjetër edhe mistikë shtetërore postit të lartë. Kultura, etika, profesionalizmi dhe mbi të gjitha njerëzorja në komunikim ishin tiparet e tij të spikatura në këto detyra dhe pelerinën e mirësisë kurrë se hoqi nga supet si pasuri familjare, krahinore dhe sot po e hipotekon si pasuri kombëtare. Është njeriu që të imponohet duke të çliruar, të këshillon duke të dëgjuar,të shpëton duke të qetsuar. O Zot sa të rrallë i kemi në mëmëdheun e pakët!
Në auditoret e universitetit “ Luarasi” ai i thjesht në madhështinë e tij të ngjan me Zeusin në majën e Çikës që hapte mjegullirat e shekujve nën sfondin e detit të thellë të Jonit. Në kohën e duhur në vendin e vet shkencëtari ynë qëron grurin nga egjëra për ti përgatitur të ardhmen atdheut. Po mirë bën me shkencën po ky profesor nuk na lë rehat me këngën polifonike. Se ku i mban mend këngët e vjetra, motivet biles edhe vargje të spikatura të këngëve të reja dhe na ngacmon me terezi duke na thënë se zemrën shpesh e lëshon vetëm në ison e labçes. Kanë thënë që labrit kanë lindur nga grykë e dyfekut por mua më rezulton që në shumicë kanë dalë nga mitra e polifonisë.
Profesor Et’hemi më lejo të të puth në ballin e mendimit duke dashur që me këtë puthje të takoj dhe “ Naforën e kombit” Petrit Rukën!
Pastë sa më shumë burra të tillë dheu ynë i shtrenjtë , koha jonë e ecjes ,o i biri i Atdheut!

( Kjo foto është bërë para pak kohësh tek holli i Akademisë së shkencave në një aktivitet të organizuar nga shoqata Labëria)