Leta Gj…Pajtim Çaushi


Pajtim Çaushi

Fluturoi dhe Leta,

ëngjëllorja flatrabardhë,

e ngjizur nga mëritë e serta,

e munxosur nga fati i përdalë…

E braktisur nga prindër të pamendë

si Kuazimodo* tek dera e Shën Marisë*…

Eh, ato kaçurela në flokët e kadifenjtë,

bënë xhelozë dhe ëngjëjt e jozilisë.

Gjimnaziste në vitet tetëdhjetë,

e mbetur pa strehë tek fëmijëria…

U shfaq rishtas si pulëbardhë nga retë

veshur me të njëjtën vello pafajësie.

Të njëjtit sy me valë lozanjare,

i njëjti vështrim pa asnjë ré gri,

e njëjtë hareja si fituese e një gare

në pistën e jetës rini – pleqëri…

Në orën pa tiktake të Gjithësisë

shumzimi muaj – vite vjen si moment…

Tek pjestimi i litarit jetë,

ngucja e babëzisë,

si dokun në ujë shkurton çdo segment…

Fluturoi pafajësia Letë!…

tek koha e munguar në çastin e sotshëm…

Në qiell gjallon psherëtima përjetë

për të ikurit e djeshëm,

të shtrenjtët e motshëm…

_________________________________________

* Kuazimodo – personazh i romanit Kadetralja e Parisit

* Shën Maria – emri i Katedrales së Parisit