Liria ime-Vaso Papaj


Vaso Papaj

Liria ime!

Të kam dashur si t’ishe një gonxhe.

Më sillje përherë ringjalljen.

Edhe në më jepje ndihmën,

Edhe pse brenda saj kishe ndëshkimin:

Të mos shkoja gjëkundi,

Të mos ngatërrohesha udhëve të fatit,

Të zgjidhja ëndërrimin,

Të mos humbisja shtigjeve të mëkatit.

Ta shihja busullën qoftë nën dritën e qiririt,

Në pragun e shterrimit.

Liria ime!

Më mësove të çarmatosesha

Gjer dhe nga thërrmijëza zakonesh.

Më bëre të vetmuar,

Më bëre të qesh…

Po… edhe të qesh,

Kur jetova

Fundin e pafund të një diktature të dështuar.

Kur më mbrojte

Për t’i fshehur plagët që më la.

Po më bëre dhe të qaj,

Sa herë mendoja tërë kohën e humbur

Dhe pyesja: Ka kohë më apo s’ka?…

Dhe dije pra, liria ime:

Të braktisa vetëm një here.

U dorëzove. Një natë, në mes të rrugës.

Qe pranverë.

Qe gjithçka për mua ajo që ndiqja,

Kur këmbët e lidhura m’i le të vraponin…

Dhe unë të tradhtova.

(Të parën dhe të fundit herë).

Të tradhtova për një qeli me pekule.

Po s’pata faj: gonxhja kish çelur…

Gardianija qe një lule.